Në vend nuk ka mjaft veterinerë-specialistë për të zbuluar disa sëmundje të kafshëve

Mjekësia veterinare është ndoshta një nga profesionet që të rinjtë në Republikën e Maqedonisë së Veriut më së paku e pëlqejnë. Në vitin 2019 në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin “Shën Klimenti i  Ohrit” – Manastir kanë diplomuar gjithsej 19 studentë, ndërsa vitin e ardhshëm 2020 ky numër do të zbresë në vetëm 5 absolventë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Numri i studentëve të diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, ku edhe në vitin 2019 edhe në 2020 u diplomuan nga 13 studentë.

Përveç faktit se interesimi për mjekësinë veterinare është veçanërisht i ulët, në Maqedoni trendi i specializimit të veterinarëve në një fushë të caktuar është gjithashtu i ulët.

Siç sqaron doktori i mjekësisë veterinare, Boris Gjerovski, në Klinikën Veterinare “Grin Strit” (Rruga e Gjelbër), çdo veteriner i licencuar mund të punojë në cilëndo fushë që i përshtatet më së shumti, por për sëmundje të caktuara kërkohet specializimi.

“Nuk duhet të ketë specializim për kirurgji për të bërë kirurgji, apo specializim për kafshë ekzotike për t’u marrë me to. Specializimi është vetëm një proces trajnimi shtesë për një degë specifike në mjekësinë veterinare. Megjithatë, në Maqedoni ka mungesë të përgjithshme të veterinerëve”, thotë  Gjerovski.

Veterinerët mund të ndihmojnë kur bëhet fjalë për sëmundje të kafshëve, por në rast se një sëmundje specifike shfaqet te ndonjë kafshë, njohuria e veterinerit të licencuar mund të mos jetë gjithmonë e mjaftueshme.

I tillë është rasti me papagallin e llojit Rozenkolis, i njohur ndryshe edhe si “Zogu i Dashurisë”, i cili ka vuajtur nga një sëmundje që shkakton sulme, por siç thotë Ema Simoska, e cila e ka ruajtur atë në shtëpinë, ajo nuk e ka ditur as emrin specifik të sëmundjes dhe as për mënyrën për ta shëruar, pasi që nuk kishte pas njeri për ta orientuar si duhet për t’ia shpëtuar jetën papagallit të saj të dashur.

“Kur i vura re sulmet për herë të parë u trondita shumë sepse nuk kisha dëgjuar asgjë më parë për sulme të tilla te shpendët. Mendova se ndoshta ishte një herë dhe nuk do të ndodhte më, por fatkeqësisht nuk ishte kështu, ndodhte gjithnjë e më shpesh. Menjëherë shkova te një veteriner dhe më pas te një tjetër. Ata pak ku u lajmërova nuk dinin asgjë për shpendët”, thotë Simoska.

Ajo shpjegon se vetëm një veteriner i kishte rekomanduar disa vitamina dhe një antibiotik, por as ai dhe as të tjerët të cilët ajo i kishte kontaktuar nuk kanë pas dikë tjetër për ta rekomanduar se punon me komplikime më të ndërlikuara te kafshët ekzotike.

Të njëjtën gjë e pohon edhe doktor Gjerovski, i cili thotë se edhe pse në Maqedoni ka veterinerë që kujdesen për kafshët ekzotike, nuk ka asnjë që të ketë specializim në atë fushë, që në këtë rast do të ishte zgjidhja e vetme.

“Mendoj se është e rëndësishme të kemi veterinerë që kanë njohuri dhe pajisje për të trajtuar kafshët ekzotike sepse shumë njerëz në vend zgjedhin t’i mbajnë ato si kafshë shtëpiake. Mirëpo, nëse shfaqet ndonjë problem me gjendjen e tyre, nuk mund të zgjidhet, përveçse përmes ndonjë veterineri i cili është i specializuar në atë drejtim, që fatkeqësisht tek ne nuk është opsion”, thekson Simoska.

Nga ajo që kanë i kanë treguar veterinerët e tjerë, ka gjasa të ishte ndërlikim i shkaktuar nga mbarështim i pakujdesshëm i papagajve më parë.

“Më revolton që personat që rritin konkretisht papagallë para se t’i blejmë në dyqan nuk i kushtojnë fare rëndësi si e bëjnë kryqëzimin dhe ashtu fitohen pasardhës nëpërmjet marrëdhënieve incestuoze dhe ashtu shfaqen probleme“, thotë Simoska.

Megjithatë, sipas saj, më e rëndësishmja është të ketë veteriner specialist në këtë fushë, sepse shton ajo, ata që i kultivojnë kafshët shtëpiake në situata të tilla, nuk kanë çka të bëjnë gjë tjetër veçse ta shikojnë kafshën duke vuajtur dhe në fund të vdesë.

Dr. Gjerovski thekson se arsyeja për të cilën nuk kemi një numër të madh të specialistëve të veterinarisë në Maqedoni është madhësia e tregut.

“Çmimi për specializim jashtë vendit është i lartë dhe në krahasim me përfitimin nuk justifikohet. Nuk ka mjaft kirurgë dhe nuk ka mjaftueshëm internistë. Por ka gjasa të mira që e gjithë kjo të ndryshojë sepse kultura e kujdesit për kafshët shtëpiake në vendin tonë po ndryshon në mënyrë drastike për mirë”, thotë ai.

Përveç mungesës së veterinerëve të cilët janë ekspert në një fushë të caktuar për kafshët,  ashtu që njerëzit në vendin tonë të cilët e marrin si kafshë shtëpiake, Gjerovski shpjegon se në Maqedoni ka përqindje të ulët të interesimit për vaksinimin e kafshëve shtëpiake.

“Për shkak të përqindjes së ulët, Maqedonia është larg nga zhdukja e disa sëmundjeve infektive te kafshët shtëpiake. Një pjesë e rëndësishme e mjekësisë parandaluese te kafshët shtëpiake, krahas vaksinimit, është edhe trajtimi kundër parazitëve. Çdo mace dhe qen duhet patjetër, siç thotë populli, të pastrohet nga parazitët gjatë gjithë jetës së tyre. Përkundër mendimit të përhapur se kafshët shtëpiake që jetojnë ekskluzivisht brenda nuk janë të ekspozuara ndaj infektimeve, realiteti është ndryshe”, thekson Gjerovski.

Ai apelon se trajtimi i rregullt i kafshëve kundër parazitëve të jashtëm dhe të brendshëm është i detyrueshëm, ndërsa larja e rregullt e duarve pas kontaktit me kafshët dhe trajtimi i duhur i jashtëqitjeve të tyre është mbrojtja më e mirë për njerëzit.

Dr. Gjerovski vë në pah se ndonëse ende në nivele të ulëta, vetëdija e njerëzve për imunizimin ka filluar të rritet ose siç thotë ai, vërehet një trend i rritjes së vaksinimit.

Ai shpreson se popullariteti i mjekësisë veterinare si profesion do të rritet tek të rinjtë, pasi siç thotë ai, të rinjtë po interesohen gjithnjë e më shumë për praktikën e vogël – praktikën me kafshët shtëpiake, ndërsa sipas tij është interesant fakti që gjithnjë e më shumë nga studentët që zgjedhin këtë drejtim janë nga gjinia femërore, e cila kapërcen stereotipat se mjekësia veterinare është profesion mashkullor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button