Filloi me detyrë qeveria e përkohshme në Bullgari

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka emëruar qeveri të përkohshme që do të qeverisë vendin deri në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 2 tetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij në ceremoninë e betimit që u mbajt në presidencë, Radev tha se ka emëruar qeverinë e përkohshme.

Duke prezantuar kryeministrin e qeverisë së përkohshme, Galab Donev, si dhe anëtarët e kabinetit, Radev tha se, “Detyra jonë kryesore do të jetë të mbajmë shtetin larg nga pjesëmarrja në luftë dhe të mbrojmë sigurinë tonë kombëtare”.

Ai vuri në dukje se Bullgaria duhet të qëndrojë larg nga lufta Rusi-Ukrainë.

Sipas tij, qeveria do të jetë përgjegjëse për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në mënyrë transparente dhe të duhur. Ai shtoi se shpreson që paqëndrueshmëria politike në vend do të marrë fund.

Donev, nga ana e tij, shpjegoi se detyrat kryesore të qeverisë së përkohshme janë “përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme, vendosja e besimit të ndërsjellë midis institucioneve kryesore shtetërore në vend, gjetja e një rrugëdaljeje nga të gjitha krizat e trashëguara dhe reduktimi i tensioneve politike”.

Pas fjalimeve, kryeministri Donev dhe kabineti me 20 anëtarë u betuan.

Kabineti i presidentit bullgar njoftoi se ministër i Punëve të Jashtme është emërua Nikollaj Milkov, ambasador i Bullgarisë në Francë, ndërsa Dimitar Stojanov, i cili është shef i administratës presidenciale, ministër i mbrojtjes. Në qeveri rikthehet Atanas Pekanov, i cili do të jetë zëvendëskryeministër dhe përgjegjës për menaxhimin e fondeve evropiane. Së bashku me të në qeverinë tranzitore po rikthehet Velislav Minekov, i cili sërish do të drejtojë Ministrinë e Kulturës, si në dy qeveritë e kaluara. Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme është emëruar Ivan Dermenxhiev, i cili në qeverinë e dytë zyrtare vitin e kaluar ishte ministër i Drejtësisë dhe avokoi për shkarkimin e kryeprokurorit Ivan Geshev, që është pikë kyçe për reformat në gjyqësorin në Bullgari.

Kriza qeveritare në Bullgari

Qeveria e koalicionit të kryeministrit Kiril Petkov ra më 22 qershor pasi nuk arriti të marrë votëbesim në parlament.

Më pas, përpjekjet për formimin e një kabineti mes tre partive politike për zgjidhjen e krizës qeveritare rezultuan të pasuksesshme.

Presidenti Radev dje e shpërbëri parlamentin dhe vendosi që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 2 tetor.

Vitin e kaluar Bullgaria mbajti tre zgjedhje të përgjithshme.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button