Të punësuarit në “Sistemet energjetike të qytetit” dhanë dorëheqje pasi 3 muaj nuk kanë marre pagë: Arsovska krejtësisht e pa-interesuar për kompaninë

Ndërmarrja për energjetikë e Qytetit të Shkupit “Sistemet Energjetike të Qytetit” (SEQ) ka mbetur pa punonjës pasi të gjithë kanë dhënë dorëheqje, sepse tashmë tre muaj nuk kanë marrë rrogë dhe prej muajsh janë pa sigurim shëndetësor. Drejtori i SEQ Goce Tërpçevski thotë se për momentin SHA SEQ Shkup është në gjendje shumë të palakmueshme për shkak të mosinteresimit të kryetares Danela Arsovska. Përkundër kërkesave të vazhdueshme për takim, ata me Arsovskën janë takuar vetëm një herë, vitin e kaluar në nëntor, menjëherë pasi ajo mori detyrën. Më pas, Arsovska kërkoi që t’i paraqitet raport për funksionimin e mëparshëm të SEQ dhe asnjëherë nuk iu përgjigj thirrjeve të tyre, kurse janë lënë edhe pa para, shkruan Sdk.mk. transmeton Portalb.mk.

“Jemi drejtuar deri te Qyteti i Shkupit disa herë i dhe i kemi njoftuar për gjendjen e Kompanisë dhe problemet me të cilat ballafaqoheshim, por askush nuk po na përgjigjet edhe pse Qyteti është pronar i vetëm i Shoqërisë. Të gjithë punonjësit i kanë anuluar kontratat e punës, ashtu që punonjësit e fundit janë çregjistruar më 31 korrik 2022. Braktisja e Shoqërisë nga punonjësit vjen pasi ata kanë mbetur pa paga tash e tre muaj dhe pa sigurim shëndetësor gjatë pandemisë kovid. Përkundër përpjekjeve dhe kërkesës që ia kemi dërguar kryetares Arsovska, gjatë krijimit të buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2022, për të paraparë mjete financiare për punën e SEQ, kjo nuk u bë dhe na kanë lënë pa para”, thotë Tërpçevski.

SHA SEQ është themeluar në kohën e ish-kryetarit Petre Shilegov për ta marrë përsipër rrjetin e ujit të ngrohtë të Shkupit, të përfshihet në gazifikimin e qytetit dhe të krijojë politika energjetike si një nga masat për zgjidhjen e problemit të ndotjes në Shkup.

Tani kur licencat për ngrohje janë hequr nga “Balkan Energy Group” (BEG) dhe shteti do të publikojë shpallje për marrjen e rrjetit të ujit të ngrohtë, Arsovska, edhe pse ka ndërmarrje për këtë aktivitet, tha se nuk do të marrë pjesë në atë thirrje.

“Duke marrë parasysh zhvillimet aktuale me operatorin e sistemit për shpërndarje dhe heqjen e licencave, u hap mundësi që SEQ të marrë licencën e shumëpritur dhe të fillojë me aktivitetin e shpërndarjes së energjisë termike për shfrytëzuesit e ngrohjes qendrore në qytetin e Shkupit. Megjithatë ne nuk kemi marrë asnjë informacion dhe qëndrim zyrtar nga  Qyteti i Shkupit për hapat e mëtutjeshëm që janë planifikuar të ndërmerren dhe nuk jam unë ai që duhet të them nëse do të aplikojmë apo jo për licencë për shpërndarjen e energjisë termike, por qyteti i Shkupit”, thotë Tërpçevski.

Ai shton se me muaj të tërë nuk po caktohet Kuvendi i aksionarëve për të cilën materialet u janë dorëzuar në mënyrë të rregullt aksionarëve, gjegjësisht Këshillit të Qytetit të Shkupit. Kuvendi i Aksionarëve duhet të mbahet sa më parë, për shkak të zgjedhjes së organeve drejtuese të Shoqërisë për shkak të mandatit të skaduar të anëtarëve të mëparshme.

Redaksia e Sdk.mk qysh para një muaji dërgoi pyetje në zyrën e kryetares Danela Arsovska se çfarë planifikohet me SEQ dhe cili është vizioni i saj për të ardhmen e kompanisë energjetike. Por, si shumë herë më parë, përgjigje nuk ka akoma.

Në seancën e fundit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, Arsovska e themeloi institucionin publik për urbanizëm “Kenzo Tange”, ndërsa ka dashur të themelojë edhe kompani për sigurim. Pas reagimeve në opinion se do të punësohen kuadro partiake dhe cila është nevoja që të themelohet një ndërmarrje e tillë e cila nuk do të kontribuojë në zhvillimin e qytetit, Arsovska e tërhoqi pikën nga rendi i ditës dhe tha se është dashur të përpunohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button