Çfarë nënkupton skriningu dhe cilat janë fazat e tij nëpër të cilat duhet të kalojë RMV në rrugën drejt BE-së

Maqedonia e Veriut së shpejti duhet të fillojë “skriningun”, proces nëpër të cilin kalon çdo vend që aspiron integrimin në BE. Faza e parë e skriningut që fillon në shtator, e cila do të pasojë me zhvillimin e konferencës së dytë ndërqeveritare, pritet të zgjasë nga një e gjysmë deri në dy vite.

Çfarë nënkupton skriningu dhe cilat janë fazat e tij, Portalb.mk ju sjell informacione më të detajuara.

Skriningu është rishikim analitik i përafrimit të legjislacionit të vendit kandidat me Acquis communautaire-in (legjislacionin) e BE-së dhe përfaqëson hapin fillestar në negociatat e anëtarësimit, në të cilin jepet vlerësimi i përafrimit të legjislacionit në çdo kapitull individual. Qëllimi i këtij procesi është të përcaktojë dallimet ekzistuese ndërmjet legjislacionit të BE-së dhe legjislacionit të vendit kandidat.

Në procesin e shqyrtimit, përfaqësuesit e Komisionit Evropian (KE), përkatësisht përfaqësuesit e drejtorive të përgjithshme kompetente, marrin pjesë në emër të BE-së, ndërsa anëtarët e grupeve të punës për përgatitjen e negociatave sipas kapitujve individualë të negociatave dhe përfaqësuesit e autoriteteve të administratës publike dhe organet marrin pjesë në emër të vendit kandidat, pra Maqedonisë.
Skriningu kryhet veçmas për çdo kapitull negocimi, por mund të kryhet për disa kapituj njëkohësisht. Kohëzgjatja e tij sipas kapitullit varet nga shtrirja dhe sasia e acquis-it në kapitullin e dhënë, dhe mund të zgjasë nga një deri në disa ditë, ndërsa e gjithë procedura e shqyrtimit zgjat përafërsisht një vit. Fazat bazë të skriningut analitik të legjislacionit janë:

  1. Skriningu shpjegues;
  2. Skrining dypalësh;
  3. Raport skriningu
Eurointegrime BE Bashkimi Evropian
Komisioni Evropian, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Periudha kohore (timetable) e skriningut përgatitet nga KE, pas së cilës KE-ja e negocion atë me shtetin kandidat. Periudha kohore paraqet afatin kohor indikativ në të cilin do të kryhet procesi i shqyrtimit analitik të legjislacionit të vendit kandidat, si dhe procesi i vlerësimit të nivelit të përafrimit të tij me ligjin e BE-së. “Timetable” përfshin gjithashtu rendin në të cilin do të kryhet rishikimi analitik i të gjithë kapitujve të negociatave, si dhe kohën e nevojshme për shqyrtimin shpjegues dhe dypalësh. Qasja e re nënkupton që kur bëhet plani i shqyrtimit, kapitujt 23 dhe 24 duhet të vihen të parët.

Skrinigu shpjegues ka për qëllim prezantimin e plotë të kuadrit ligjor të BE-së në kapitullin e dhënë për fushat individuale të politikave për përfaqësuesit e vendit kandidat. Ai përgatitet nga KE dhe zhvillohet në formën e një takimi me agjendë të përcaktuar rreptësisht, ku përfaqësuesit e KE-së nënvizojnë informacionet dhe faktet më të rëndësishme nga korpusi i caktuar i legjislacionit të BE-së, përmes prezantimeve të ndryshme.

Skriningu dypalësh përgatitet nga vendi kandidat në përputhje me materialin e dorëzuar nga KE (lista e skriningut, pyetje, pyetje shtesë etj.). Në takimet e skriningut dypalësh, përfaqësuesit e delegacionit të vendit kandidat prezantojnë kuadrin ligjor kombëtar në kapitullin e dhënë të negociatave, si dhe vlerësimin e nivelit të përafrimit dhe planet për arritjen e harmonizimit të plotë me acquis-in e BE-së me hyrjen në anëtarësim. Në mënyrë shtesë, tregohen edhe problemet dhe vështirësitë që mund të ndodhin në procesin e mëtejshëm të harmonizimit. Ky skrining kryhet në formën e një takimi, duke ndjekur të njëjtin ose një agjendë të ngjashme me atë të vendosur për takimet e skriningut shpjegues.

Pas mbajtjes së takimit të skriningut dypalësh, KE përgatit Raportin e skriningut për çdo kapitull negociues, i cili përmban vlerësimin e nivelit të harmonizimit të legjislacionit të vendit kandidat me acquis-in e e BE-së, si dhe rekomandimet për përafrimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor kombëtar me acquis-in e BE-së. Në përgatitjen e këtij raporti përdoren dokumente dhe informacione të paraqitura nga vendi kandidat si në vetë skriningun ashtu edhe pas tij. Gjetjet e dhëna në raport në masë të madhe përcaktojnë ecurinë e mëtejshme të aktivitetit në të gjithë procesin. KE ia paraqet raportet e skriningut shteteve anëtare të BE-së, pra Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili i merr në konsideratë dhe më pas i miraton.

Në varësi të vlerësimit të KE-së, gjegjësisht në përfundimin e Raportit të skriningut, ekzistojnë dy skenarë të mundshëm:

  • KE-ja në raport konkludon se vendi kandidat e ka përafruar mjaftueshëm legjislacionin e tij me acquis-in e BE-së dhe se është i gatshëm të fillojë negociatat për kapitullin e caktuar, dhe jep rekomandimin në përputhje me rrethanat. Raporti i paraqitet Këshillit për shqyrtim dhe miratim. Në rast se shtetet anëtare të BE-së brenda Këshillit nuk kanë kundërshtime ndaj raportit, Këshilli fton drejtpërdrejt vendin kandidat që të paraqesë qëndrimin e tij negociues për kapitullin e dhënë.
  • KE-ja arrin në përfundimin se vendi kandidat nuk është i gatshëm të fillojë negociatat për kapitullin e caktuar të negociatave dhe se duhet të kryejë aktivitetet e nevojshme të cilat do të çonin në përafrim të mëtejshëm me ligjin e BE-së. Në atë rast, në raport, KE-ja jep rekomandime, pra standarde hapëse të cilat duhet të plotësohen në mënyrë që të hapet ai kapitull i negociatave. Standardet hapëse për kapitujt e veçantë mund të kenë forma të ndryshme, si kërkesat për miratimin e strategjive dhe planeve të aksionale, kërkesat për përmbushjen e detyrimeve kontraktuale ndaj BE-së – kryesisht zbatimin e Marrëveshjes së atabilizim-asociimit, dhe kërkesat për miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore. Standardet mund të rishikohen ose ndryshohen, veçanërisht në rastet kur vendi negocion për një kohë të gjatë dhe ndërkohë BE-ja miraton rregullore të reja në atë fushë.

Këshilli shqyrton raportin e skriningut të përgatitur nga KE dhe miraton një dokument të quajtur Rezultati i skriningut, bazuar në të. Ky dokument përmban rekomandime për hapjen e negociatave për një kapitull të caktuar të negociatave, gjegjësisht standarde të cilat vendi kandidat duhet t’i përmbushë si parakusht për hapjen e negociatave për këtë kapitull. KE, në konsultim dhe bashkëpunim me vendin kandidat, monitoron zbatimin e planeve për përmbushjen e standardeve dhe ia paraqet raportin Këshillit të Bashkimit Evropian.

Raporti i vlerësimit të standardeve hapëse përfaqëson rishikimin e masave që vendi kandidat synon të zbatojë për të kapërcyer mangësitë në Raportin e skriningut. Kur KE-ja është e kënaqur me cilësinë e planeve aksionale dhe kur vendi kandidat i plotëson standardet e përcaktuara, KE-ja ia paraqet raportin e përgatitur organeve kompetente të Këshillit të Bashkimit Evropian. Bazuar në faktet e paraqitura dhe vlerësimin e KE-së, Këshilli miraton konkluzionet dhe fton vendin kandidat që të paraqesë pozicionin e tij negociues për kapitullin e caktuar të negociatave.

Komisioni Evropian, Eurointegrime BE Bashkimi Evropian
Komisioni Evropian, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Maqedonia e Veriut në fazën fillestare të skriningut

Zëvendës kryeministri i Qeverisë për çështje evropiane Bojan Mariçiq, në konferencën për media më 21 korrik, dy ditë pas mbajtjes së konferencës ndërqeveritare BE-RMV, njoftoi skriningun e parë – Raporti për klasterin “Vlerat themelore”, të cilin vendi, sipas njoftimeve nga Brukseli e pret në tremujorin e parë të vitit 2023.

“Ky klaster përfshin pesë Kapituj edhe atë Kapitujt lidhur me sundimin e ligjit – 3.23 Drejtësia dhe të drejtat themelore dhe 3.24 Drejtësia, liria dhe siguria, si dhe 3.05 Prokurimet publike, 3.18 Statistikat dhe 3.32 Kontrolli financiar. Në klaster janë edhe fushat e reja të cilat janë pjesë e procesit negociues – funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe kriteret ekonomike”, tha Mariçiq.

Njëkohësisht, ai njoftoi se për këtë Klaster, duhet të përgatiten tre udhërrëfyes, të cilët duhet të pasqyrojnë përkushtimin politik për zbatimin e reformave kyçe strategjike përmes definimit të qëllimeve afatshkurtra dhe afatmesme edhe atë: Udhërrëfyes për qeverisjen e të drejtës, Udhërrëfyes për funksionimin e institucioneve demokratike, që nuk do të jetë faktor përcaktues për hapjen e Klasterit dhe i cili duhet të fokusohet në ndërtimin e administratës profesionale në shërbim të qytetarëve dhe forcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e ligjeve dhe politikave që janë të harmonizuara me standarded evropiane

“Në mënyrë shtesë, në kuadër të Udhërrëfyesit për sundimin e ligjit – do të duhet të përgatitet edhe Plan aksional (veprimi) për mbrojtjen e të drejtave të pjestarëve të pakicave dhe bashkësive me masa për mos-diskriminim, luftë kundër gjuhës së urrejtjes dhe arsim”, tha Mariçiq.

Zëvendëskryeministri Mariçiq prezantoi edhe kornizën kohore në të cilën pritet të bëhet skriningu shpjegues sipas kapitujve së bashku me skriningun dypalësh. Kalendarin e takimeve e përcaktor Komisioni Evropian dhe në bazë të asaj që iu është prezantuar në takimin për hapjen e skriningut, si kalendar parimor i KE-së (i cili mund të pësojë ndryshime të caktuara), mund të shihet se na pret periudhë dinamike, duke pasur parasysh se procesi i prezantimit të legjislacionit të ri fillon nga shtatori i këtij viti, ndërsa paralelisht skriningu dypalësh do të bëhet në periudhë paralele prej rreth 15 muajsh, përkatësisht Komisioni Evropian planifikon ta përfundojë këtë proces deri në nëntor 2023.

Kur kjo fazë të ketë përfunduar, duhet të kenë përfunduar edhe ndryshimet kushtetuese që i kërkon Bullgaria, të cilat nëse nuk bëhen, vendi përsëri do të ketë ngecje në rrugën e procesit integrues në BE.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button