Socialistët nuk formuan shumicë – Bullgaria shkon në zgjedhje, Radevi duhet të caktojë datën

Socialistët bullgarë (BSP) nuk arritën të formojnë shumicën dhe do të kthejnë mandatin për të formuar qeveri të re. Kjo u bë e qartë pasi sot nuk kaloi përpjekja e tyre për të futur si pikë të rendit të ditës programin e punës së Kuvendit për gjashtë muajt e ardhshëm. Ajo mori mbështetjen e 119 deputetëve, 106 ishin kundër dhe një deputet abstenoi nga votimi. Socialistët njoftuan dje se nëse ideja e tyre realizohet, pra propozimi merr 121 vota “pro”, do të nisin menjëherë procedurën për zgjedhjen e qeverisë së re, me kandidat për kryeministër Asen Vasilev, transmeton Portalb.mk.

“Meqë skenari ynë dështoi, nesër do ta kthejmë mandatin”, tha koordinatori i grupit parlamentar të BSP-së, Georgi Svilenski, në një brifing në Kuvend.

Vendimi për shpalosjen e krizës politike në të cilën ka hyrë Bullgaria pas largimit të koalicionit qeveritar të partisë Ka një popull të tillë (ITN) të Slavi Trifonovit tani është në duart e presidentit Rumen Radev. Ai disa herë ka paralajmëruar se nëse nuk gjendet zgjidhje dhe nuk zgjidhet Qeveria, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

Si datë eventuale, në të cilën do të mbaheshin zgjedhjet, përmendet 2 tetori.

Vitin e kaluar në Bullgari u mbajtën tre cikle zgjedhore radhazi. Vetëm në tentativën e fundit u formua qeveria e udhëhequr nga subjekti i ri politik “Ndryshimi vazhdon”, në të cilin rol kyç luajti çifti Kiril Petkov – Asen Vasilev, dy ministra në qeverinë teknike të presidentit Rumen Radev.

Koalicioni i tyre, në të cilin morën pjesë edhe BSP, Bullgaria Demokratike dhe ITN, zgjati pak më shumë se gjashtë muaj. Kabineti i Petkovit u zgjodh më 13 dhjetor të vitit të kaluar. Votimi i mosbesimit ndaj qeverisë së tij u miratua më 22 qershor të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button