Pendarovski me urim për qytetarët për hapjen e negociatave të RMV-së me BE-në

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot ka dërguar urime deri te të gjithë qytetarët për fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE. Në kumtesë presidenti thotë se edhe përskaj sfidave me të cilat jemi përballur ndër vite, qytetarët e kanë mbajtur mbështetjen për plotësimin e agjendës tonë evropiane, njofton Portalb.mk.

“Fillojmë fazë të re për integrimin politik, të bëhemi pjesë e familjes evropiane të kombeve,, ku gjuha maqedonase do të jetë një prej gjuhëve zyrtare të Unionit”, tha ai.

Presidenti theksoi se na pret “punë e mundimshme, investim i të gjithë kapaciteteve sociale dhe institucionale për fazat e mëtejshme të procesit të negociatave’.

“Falënderime deri te të gjithë të cilët ndër vite ishin pjesë e institucioneve që kanë punuar drejt integrimit në Bashkimit Evropian dhe maksimalisht kanë kontribuuar për eurointegrim të suksesshëm”, thotë presidenti.

Pendarovski bëri thirrje që të mundësojmë që vlerat evropiane të lirisë, demokracisë, drejtësisë, diversitetit dhe prosperitetit të mbizotërojnë këtu në shtëpi, në atdheun tonë të përbashkët.

Sot në Bruksel zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në gjuhën maqedonase lexoi fjalën hyrëse, ndërsa menjëherë më pas, sipas shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, do të fillojë procesi i skriningut, i cili do të zgjasë një vit e gjysmë. Pas përfundimit të skriningut, është planifikuar Konferenca e dytë ndërqeveritare, në të cilën duhet të përfundojë faza e hapjes së negociatave, por mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button