Varhelji: Është kyçe të mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj procesit, të ndryshohet Kushtetuta që të avancohen të drejtat themelore

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varheji, në seancën e sotme ndërqeveritare në Bruksel tha se dita e sotme nuk është e rëndësishme vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Bashkimin Evropian. Ai theksoi se votimi i së shtunës në Kuvend ishte një hap vendimtar dhe dëshmi e vendosmërisë për të vazhduar drejt BE-së, por edhe dëshmi e vendimmarrjes demokratike. Konferenca e sotme, sipas Varhejit, është njohje e merituar e progresit të Maqedonisë së Veriut, të arritur përmes reformave në vitet e kaluara, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë të gjitha kushtet, të vazhdojë me reformat e brendshme, forcimin e institucioneve demokratike. Keni shoqëri civile të larmishme, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit është për çdo lëvdatë dhe jeni model i suksesshëm për një shoqëri multietnike dhe prandaj meritoni të ecni përpara me procesin e anëtarësimit. Është thelbësore që Maqedonia e Veriut të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi, të ndryshojë Kushtetutën për të avancuar më tej të drejtat themelore, fundamentale dhe me këtë do të mbajmë një konferencë tjetër pa vonesa të mëtejshme dhe as vendime politike”, tha Varhey.

Ai konsideron se duhet t’i kushtohet vëmendje të veçantë klasterëve bazë, reformave në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimit të institucioneve demokratike si dhe kritereve ekonomike, për të arritur respektimin e plotë të kritereve të anëtarësimit.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim Maqedoninë e Veriut që të përgatitet për marrjen e detyrimeve të saj si shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Unë llogaris tek ju, se do të kemi një qasje gjithëpërfshirëse në të gjithë procesin, se do të punojmë me të gjithë aktorët, me opozitën parlamentare, me shoqërinë civile, me organizatat joqeveritare, si dhe t’i prezantojmë publikut mundësitë e siguruar nga ky proces. Ne do ta këshillojmë Maqedoninë e Veriut për përballimin e sfidave, roli i Komisionit është të sigurojë që procesi të respektojë parimet dhe standardet evropiane. Qëllimi ynë është të sigurohemi që Maqedonia e Veriut të jetë gati kur të bashkohet me ne”, tha Varhey.

Ai deklaroi se shpreson që opozita në Maqedoninë e Veriut tash e tutje do të punojë për të ardhmen evropiane dhe nuk do të fillojë me polemika.

“Shpresoj që tani e tutje të gjitha partitë politike, përfshirë edhe opozitën, të punojnë për të ardhmen evropiane dhe të mos fillojnë polemika dhe të shkaktojnë emocione që nuk do ta çojnë vendin përpara, emocione që nuk do të rezultojnë me asgjë të rëndësishme për vendin. Prandaj i blj thirrje opozitës. Kam pasur rastin të shoh se si janë kapërcyer kufijtë e vlerave evropiane gjatë këtij debati. Por shpresoj se me këtë konferencë ndërqeveritare sot mund të kthejmë një faqe të re dhe të fokusohemi në atë që duhet të bëjmë që Maqedonia e Veriut të bëhet shpejt anëtare e BE-së, sepse i kam lexuar deklaratat e opozitës dhe ata gjithmonë pretendojnë se janë të përkushtuar ndaj këtij anëtarësimi, prandaj le ta dëshmojmë këtë”, tha Varhey.

Sot në Bruksel zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në gjuhën maqedonase lexoi fjalën hyrëse, ndërsa menjëherë më pas, sipas shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, do të fillojë procesi i skriningut, i cili do të zgjasë një vit e gjysmë. Pas përfundimit të skriningut, është planifikuar Konferenca e dytë ndërqeveritare, në të cilën duhet të përfundojë faza e hapjes së negociatave, por mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button