Arushani që u gjet në Radozhdë është kthyer në natyrë, por aktivistët janë të shqetësuar për sigurinë e tij

Shqetësim për mirëqenien e kafshës së vogël të egër kanë shprehur edhe nga Katër Putrat (Four Paws), organizatë globale për mbrojtjen e kafshëve, në një letër që e dërguan në Meta.mk.

“Four Paws është në dijeni për gjendjen e vështirë të arushanit të gjetur në Maqedoninë e Veriut, i cili për fat të keq është kthyer dhe lëshuar përsëri në natyrë, kundër rekomandimeve tona për autoritetet lokale. Pasi u kontaktua nga personi që e kishte gjetur arushanin rreth rrugës, një ekspert i Four Paws ka këshilluar që shëndeti i arushanit duhet të përcaktojë hapat e ardhshëm për të garantuar sigurinë e tij. Nga pikëpamja e mirëqenies dhe mbrojtjes së kafshëve, propozimi ynë ishte t’i jepnim atij një shans të rehabilitohet në një qendër të specializuar dhe më pas të kthehet në natyrë”, thuhet në letrën e drejtoreshës së sektorit Wild animals rescue & Advocasy (shpëtimit dhe avokimit për kafshët e egra) në kuadër të Four Paws International, Barbara van Genne.

Ajo theksoi se vendimi i autoriteteve për lirimin e këlyshit është shqetësues sepse në emër të organizatës menjëherë i kanë ofruar mbështetje Ministrisë përgjegjëse të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut me të gjitha masat e propozuara.

Edhe eksperti Dime Mellovski nga Shoqata Ekologjike Maqedonase (SHEM) thotë se është i diskutueshëm vendimi për lirimin e arushanit, i cili qëndroi disa ditë në kontakt me njerëzit.

“Nuk është për t’u habitur që arushani ka dalë në rrugë sepse ka shumë gjasa të mos ketë nënë. Me arinjtë çështja është shumë delikate sepse pasi të jenë në kontakt me njerëzit është shumë e vështirë t’i kthesh në natyrë, sidomos kur ariu është i vogël dhe mendoj se ai ka fat të keq, përveç nëse i gjendet nëna. Arinjtë janë shumë të adaptueshëm me njerëzit. Duke qenë se është arushan i vogël, do të thotë se nuk ka mësuar ende si të ushqehet vetë dhe nuk mund të gjendet vetë në natyrë, prandaj e vetmja zgjidhje e të mos jetë eutanazi është që arushani ta çohet në një nga strehimoret për arinj në vendet fqinje”, tha Mellovski.

Megjithatë, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari janë të bindur se kanë vepruar drejt sepse në mungesë të qendrës për shpëtim të kafshëve të egra nuk do të ketë vend për kujdes për arushanin derisa të organizohet transporti i tij në një objekt të përshtatshëm shpëtimi.

“Arushani mbase do të ikë përsëri në pyll. Procedura për të shpëtuar arushanin Pelushi nga Shtipi zgjati disa muaj, gjysmë viti. Dhe… ku duhej ta mbajmë atë arushan gjatë asaj periudhe? Kjo ishte zgjidhja më e mirë për të shpëtuar arushanin. Tjetër gjë është po të dërgohej në Bullgari. Është një procedurë e madhe me leje, jo vetëm me lejet tona, por edhe lejet nga Bullgaria. Çfarë mund të bëjmë kur shteti nuk i ka zgjidhur çështje të tilla. Ne reaguam menjëherë dhe organizuam shoqata gjuetarësh vullnetarisht, sepse edhe arushani vetë është rrezik, ndërsa kërkimi i nënës në një situatë të tillë është shumë i rrezikshëm dhe kushdo që është afër saj mund të pësojë”, tha për Meta.mk inspektori Pejo Kirovski nga AUV.

Lehtësimi i procedurës ndërkufitare për shpëtimin e kafshëve të egra ishte një nga temat e diskutuara në fund të majit nga përfaqësuesit e Four Paws International, Iona Dangler dhe Barbara van Genne, me përfaqësues të disa institucioneve nga Maqedonia. Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, në një nga ato takime theksoi nevojën e krijimit të kornizës ligjore për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve të egra në vend.

Dimovski tha se legjislacioni i vendit tonë është në masë të madhe në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe se vendi është nënshkrues i marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare që i prekin këto tema.

Ai shprehu besimin se Qeveria, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Kuvendi do të angazhohen intensivisht në promovimin e legjislacionit për mbrojtjen e kafshëve të egra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button