Ka përfunduar ndërtimi i rrjetit të gaz-sjellësit në Pollog, Ministria e Ekonomisë ende s’ka vendosur se kush do ta bëjë shpërndarjen

Ka përfunduar ndërtimi i rrjetit të gaz-sjellësit në Pollog i cili premtohet nga viti 2017. Kanë mbetur për t’u ndërtuar vetëm dy-tre kilometrat e fundit në rajonin e Shkupit, mirëpo ende nuk është vendosur se kush do të jetë ndërmarrja e cila me partneritet-publiko privat do të bëjë distribuimin e gazit. Autoritetet thonë se është drejt fundit dhe se pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti, shkruan Portalb.mk.

Në rajonin e Pollogut pjesa ndërtimore ka përfunudar, kështu shprehet drejtori i Resurseve Energjike në RMV, Bajram Rexhepi për Portalb.mk.

“Këtë periudhë po ndërtohen dy-tre kilometrat e fundit në rajonin e Shkupit. Pjesa e testimeve është në vijim e sipër. Po bëjmë përpjekje maksimale që projekti të merr leje përdorimi konform akteve dhe normave pozitive ligjore sa më shpejtë është e mundur”, tha Rexhepi.

Për sa i përket negociatave me parterët privat të cilët do e bëjnë distribuimin e gazit, ai thotë se faza e dytë e procedurës për nënshkrimin e marrëveshjes për partneritet publiko-privat është drejt fundit.

“Është kjo një procedurë voluminoze dhe nëse shkon gjithçka sipas planit, besoj se deri në fund të vitit kjo procedurë do të mbarojë”, theksoi Rexhepi.

Projektimi , financimi, ndërtimi dhe menaxhimi i rrjetit te distribuimit do jetë obligim i partneritetit privat. Ndërkaq siç thonë nga Drejtoria e Resurseve Energjetike në RMV, komunat duhet të përshpejtojnë fazat e dhënies së lejeve të ndërtimit.

“Në komuna janë hartuar projekte dhe sidomos që janë pajisur me leje ndërtimi, ndertimi i distribuimit do të mund të fillojë më shpejtë”, theksoi Rexhepi.

Organizata ekologjike “Eco Guerila” thotë se rrjeti i gazifikimit tani për tani është vetëm premtim dhe se duhet sa më shpejtë të përfundojë që sado pak të ulet ndotja e ajrit në Pollog, e cila kryesisht shkaktohet nga ngrohja tradicionale.

“Ajo që premtohet me vite nga qeveritë por nuk realizohet është rrjeti i gazifikimit. Nëse jo amvisëritë, por objektet publike si shkollat, spitalet e bizneset e mëdha po të fillonin ngrohjen me gazifikim do ishte një hap i madh për uljen e ndotjes. Për fat të keq lufta në Ukrainë ka shkaktuar mungesa serioze të gazit”, tha Ngadhnjim Mehmeti nga “Eco Guerila”.

Ministri i Ekonomisë, Kreshik Bekteshi në muajin shkurt të këtij viti tha se negociatat për distribucionin e gazit janë në faze finale me dy kompani turke- Aksa Energy dhe Palmet Energy, ku deri në mes të këtij viti do të ketë marrëveshje me njërën prej tyre.

Por, sot nga kjo Ministri deklarojnë afat kohor tjetër, edhe atë deri në fund të vitit.

“Procedura për përzgjedhjen e partnerit publiko-privat që do të zhvillojë rrjetin e shpërndarjes në vend është në fazën e dytë. Pritet që deri në fund të vitit të zgjidhet një kompani që do të ndërtojë rrjetin e shpërndarjes në të gjithë territorin e vendit”, thanë nga Ministria e Ekonomisë. 

Nga kjo ministri thonë se kompania e përzgjedhur do të jetë njëra nga Aksa Energy ose Palmet Energy, pa dhënë detaje të tjera.

Kontaktuam edhe kompanitë e lartpërmendura se a janë duke negociuar në këtë drejtim, por deri në këtë moment përgjigje nga ana e tyre nuk kemi marrë.

Rikujtojmë që nga Qeveria e RMV-së kishin siguruar 90 milion euro për 204 kilometra rrjet të gazsjellësit. Eko-aktivistët vazhdimisht kanë bërë thirrje për sjelljen e gazit natyror në rajonin e Pollogut, marrë parasysh se ishte një ndër rajonet më të ndotura në vend.

Ndryshe, vendi momentalisht është plotësisht i varur nga gazi rus. Maqedonia e Veriut ka vetëm një gazsjellës me Bullgarinë, i cili është plotësisht i dhënë me qira nga Gazprom. Deri në fund të vitit pritet të fillojë ndërtimi i interkonjektorit të gazit natyror me Greqinë, i cili pritet të zvogëlojë varëshmërinë e vendit nga gazi rus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button