Kuvendi e përcaktoi datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Komunën e Tetovës

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka miratuar vendimin që me 20 gusht të mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale për Këshillin e Komunës së Tetovës, transmeton Portalb.mk.

“Vendim për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit të Komunës së Tetovës për pjesën e mbetur të periudhës zgjedhore. Shpallen zgjedhjet për anëtar të Këshillit të Komunës së Tetovës për pjesën e mbetur të periudhës zgjedhore. Zgjedhjet do të mbahen më 20 gusht 2022”, bëjnë të ditur nga Kuvendi.

Në njoftim sqarohet që vendimi do të zbatohet nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, komisioni komunal i zgjedhjeve dhe këshillat zgjedhorë.

Ndryshe, komuna e Tetovës do të shkojë në zgjedhje për Këshillin Komunal pasi e njëjta nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin 2021 në afatin kohor, sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale kështu vendosi Qeveria para një jave.

Sektori për Inspektim Financiar në Sektorin Publik të Ministrisë së Financave do të hapë procedurë për kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për (mos)respektim të afateve ligjore për dorëzimin e llogarisë përfundimtare në Këshillin e Komunës, për çka parashihet gjobë prej 1.500 deri në 3.000 euro. Nga Komuna e Tetovës thonë se Kasami nuk u ik përgjegjësive.

Kryetari i Komunës së Tetovës, pavarësisht se ka qenë i obliguar, sipas nenit 33 të Ligjit për Financim të Pushtetit Lokal që llogarinë përfundimtare të komunës për miratim në Këshillin e Komunës ta dorëzojë më së voni deri më 28 shkurt 2021, ai këtë e ka bërë me 7 prill 2021, gjegjësisht e ka shkelur nenin përkatës të këtij ligji.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button