ANALIZË: Kredi më të shtrenjta, kushte më të rrepta kreditimi – aktivitet ekonomik më i ngadaltë! 

Për tre muaj me radhë, Banka Popullore merr vendime që nënkuptojnë “shtrëngim” të politikës monetare. Edhe këtë muaj BPRM-ja e rriti kamatën për bonot e thesarit, e cila arriti në 2%. Por, u rritën edhe kamatat për depozitat shtatëditore të disponueshme dhe ato njëditore. Kjo do të thotë se BPRM-ja i “stimulon” bankat që t’i “deponojnë mjete likuide në BPRM për kamatë më të lartë – që nga ana tjetër është hyrje në ndryshimin e politikës së kamatave për kompanitë dhe qytetarët – kredi më të shtrenjta, shkruan Portalb.mk.

Kredi për kompanitë – kushte më të rrepta, rritje e lehtë e kërkesës…

Kushtet e kreditimit për kompanitë do të shtrëngohen, ndërsa do të ketë një rritje të lehtë të kërkesave për kredi. Kështu presin të ndodhë bankierët në tremujorin e dytë të vitit.  Për shkak të krizës së përgjithshme, pasigurisë, tregjeve të trazuara, rritjes së çmimeve, kërkesat për kredi nga kompanitë janë ngadalësuar. Me shtrëngimin e politikës monetare dhe rritjen e kamatave për kreditë, pritet që edhe në periudhën e ardhshme kërkesa të ngadalësohet me ritme më të shpejta se sa pritej. Bankierët paralajmërojnë shtrëngim të kushteve për dhënien e kredive për kompanitë.

“Në tremujorin e parë të vitit 2022, Anketa tregon një rritje minimale neto të kërkesës totale për kredi të firmave, e cila është shumë më e dobët se anketa e mëparshme.  Për tremujorin e dytë të vitit 2022, bankat presin një rritje të lehtë neto të kërkesës për kredi nga kompanitë” – thuhet në Anketën e aktivitetit kreditor të BPRM-së.

Kreditë për amvisëritë – pritje për ulje të kërkesës…

Rritja e çmimeve të ushqimeve, energjisë elektrike dhe derivateve të naftës tashmë ka fuqi shkatërruese për standardin. Në kushte kur qytetarët po bëjnë llogari se çfarë harxhimesh mund të shkurtojnë për të nxjerrë muajin në fund, pritet që kjo situatë të reflektohet edhe në kërkesën për kredi – përmbajtje për të marrë kredi për udhëtime, vetura, shpenzime ditore. Bankierët presin që në tre muajt e ardhshëm amvisëritë të përmbahen nga aplikimi për kredi, ndonëse paralajmërohet lehtësimi i kushteve të kreditimit për amvisëritë.

“Pritjet për tremujorin e dytë të vitit 2022 për kreditimin e popullsisë janë në drejtim të lehtësimit të mëtejshëm të moderuar neto të kushteve për marrjen e kredive dhe uljen neto të kërkesës për kredi për amvisëritë” – thuhet në Anketë.

Megjithatë, është interesant fakti se anketa e fundit vë në dukje një pritje për rritje të kërkesës për kredi për banesa:

“Për sa i përket faktorëve që ndikojnë në kërkesën për kredi për banesa, perspektivat e tregut të ndërtimit të banesave, besimi i konsumatorëve, kursimet e amvisërive dhe burimet e tjera të financimit vazhdojnë të kontribuojnë në rritjen neto të kërkesës për kredi.

Cilat kredi do të shtrenjtohen pas hapit të BPRM-së?

Bankierët për “Portalb”-in pas hapit të parë të BPRM-së për shtrëngimin e politikës monetare njoftuan se do të bëjnë korrigjime të kamatave – kredi më të shtrenjta, por edhe kamata më të larta për kursimet. Sipas BPRM-së, shtrëngimi i politikës monetare duhet të çojë në rritjen e kursimeve.

“Presim që këto masa, në kushte të stabilitetit të kursit të denarit, të nxisin ndryshime në politikën e kamatave të bankave me qëllim të rritjes së përqindjeve të kamatave për kursimet në monedhën vendase dhe rritjes së mëtutjeshme të depozitave në banka në denarë” – njoftuan nga Banka Popullore.

Në periudhën e kaluar është shënuar trend i tërheqjes së depozitave nga kompanitë dhe qytetarët – me një ritëm më të ngadaltë të rritjes së kursimeve. Por, kamatat më të larta për depozitat nënkuptojnë edhe kamata më të larta për kreditë. Sipas shpjegimit të bankierëve, korrigjim në rritje do të ketë te kreditë me përqindje të ndryshueshme të kamatës – kreditë konsumatore, saldot negative në llogaritë rrjedhëse, kartat e kreditit, madje edhe te kreditë për banesa, sepse kanë kamatë fikse vetëm për një periudhë të caktuar. Vetëm në bazë të kredive konsumatore, qytetarët kanë borxh prej 1,7 miliardë euro, ndërsa për kreditë për banesa, 1,1 miliardë euro.

Në muajin prill, kamata mesatare e kredive të firmave ishte 3,45%, kurse për kreditë për amvisëritë 5,09%. Kamata mesatare e depozitave ishte 0,65%.  Rritja e kamatave paraqet hyrje në ngadalësimin e aktivitetit kreditor, që nga ana tjetër nënkupton ngadalësim të aktivitetit ekonomik në kushte kur qeveria paralajmëron shpenzime publike ekspansive – nëpërmjet rritjes së rrogave, pensioneve, masave mbështetëse.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button