Petkov: Çdo propozim i BE-së për RMV-në që devijon nga qëndrimi ynë duhet të kalojë në parlament

Çdo propozim për integrim evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili devijon nga qëndrimi kornizë i Bullgarisë nga viti 2019, duhet të dërgohet për mendim në Komisionin për politikë të jashtme të Kuvendit popullor, transmeton Portalb.mk.

Këtë vendim, qeveria do ta votojë në seancën e sotme, tha kryeministri Kiril Petkov.

Vendimi do t’i detyrojë përfaqësuesit e Bullgarisë në Komitetin e përfaqësuesve të përhershëm dhe në Këshillin për çështje të përgjithshme që të mos miratojnë asnjë vendim për Maqedoninë e Veriut që devijon nga pozicioni kornizë i vendit pa pëlqimin e qartë të Kuvendit Kombëtar, raporton BNT.

BGNES dje njoftoi se kryeministri bullgar Kiril Petkov synon të izolojë plotësisht Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) në përpjekjet e saj për të hequr veton për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë, duke cituar pjesë të një projekt-propozimi që vetë Petkov do ta paraqesë në seancën e parë të mundshme të qeverisë.

“Çdo vendim i Presidencës franceze të BE-së, shteti anëtar apo Komisionit Evropian në lidhje me miratimin e fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE të PMV-së dhe Shqipërisë, i marrë në përgatitje apo mbajtjen e takimeve të Komitetit të përfaqësuesve të përhershëm (COREPER) ose Këshilli për çështjet e përgjithshme, i cili devijon nga qëndrimi Kornizë i këshillit të ministrave nga viti 2019 për t’i dërguar menjëherë Komisionit të politikës së jashtme të Asamblesë Kombëtare”, thuhet në tekstin e cituar nga BGNES.

Deputetët sot në mëngjes e pranuan kërkesën e Ka një popull si pikë e parë për të dëgjuar ministren e Punëve të Jashtme Teodora Gençovska për procesin e anëtarësimit në RMV-së dhe kjo të jetë në seancë të mbyllur, raportojnë mediat bullgare.

Kryetari i Kuvendit Nikolla Minçev urdhëroi personat nga jashtë të largohen nga salla dhe të ndalojnë transmetimin e drejtpërdrejtë, përfshirë edhe ueb-faqen e Kuvendit Popullor.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button