Dështoi organizimi në Prishtinë, “Sunny Hill” zhvendoset në Tiranë

Festivali i madh “Sunny Hill” nuk do të organizohet në Prishtinë sivjet. Ky festival do të zhvendoset në Tiranë. Organizatorët kanë fajësuar institucionet e shtetit për dështimin e organizimit në Kosovë.

Deri të martën ka qenë afati që institucionet në Kosovë t’i përgjigjen për dhënien në shfrytëzim të lokacionit. Në njoftimin zyrtar të Festivalit është konfirmuar se zhvendosja në Tiranë është bërë për shkak të vonesave për përgjigje nga autoritetet për dhënien e lejes së pronës për shfrytëzim.

Sipas njoftimit, të gjithë ata që kanë blerë biletat e që s’mund të shkojnë në Tiranë, do të rimbursohen.

Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, që është dashur të merrej me lejen për pronën e “Sunny Hillit”, i telefonuar nga KOHA ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me e-mail sepse “s’është e thjeshtë të përgjigjet”. Ai ka thënë se MAPL-ja nuk merr vendime për festivalin, por për pronë komunale.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se organizatorët tashmë i kanë njoftuar disa kompani të pjesës teknike që të përgatiten për Tiranë. Se Tirana i ka bërë ofertë “Sunny Hillit” kishte njoftuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në mbledhjen e Kuvendit Komunal kur u vendos për ndarjen e lokacionit.

“Për shkak të qytetarëve të Prishtinës kemi negociuar me ‘Sunny Hillin’. Ky festival sjell artistë të mëdhenj botërorë dhe ka krijuar mundësinë për ardhjen e një numri të madh të turistëve. 8-9 milionë euro ka sjellë për kryeqytetin. ‘Sunny Hill Festival’ është Dua Lipa e cila e ka përfaqësuar Kosovën më së miri. Nëse ne nuk e marrim ashtu, mundet të shkojë në Tiranë, në Shkodër. Nuk i vyen Prishtina ‘Sunny Hillit’, por Prishtinës i vyen ‘Sunny Hill Festival’. Kemi kërkuar që ajo zonë kur nuk shfrytëzohet të jetë park. Nuk do të ketë aty hotele, është me kontratë kjo gjë. Nuk e kemi falë tokën, nëse nuk bëhet më ‘Sunny Hill’ atëherë toka i kthehet komunës. Janë pak nëse ka vizion për ngritje të festivalit në nivel botëror”, ka thënë Rama.

Sivjet ishte paraparë që edicioni i tretë i festivalit të mbahej më 4, 5, 6 dhe 7 gusht dhe për herë të parë në Bërnicë të Poshtme. Në edicionet e shkuara ishte mbajtur në parkun “Gërmia”. Vitin e kaluar, “Sunny Hill Festival” qe anuluar për shkak të pandemisë.

Në fillim të majit, Komuna e Prishtinës pati ndarë 17 hektarë tokë bujqësore në Bërnicë për festivalin, për 99 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button