Tetovë, nga e mërkura tre oborre shkollash do shndërrohen në parkingje

Nga dita e mërkurë (16 maj) oborret e shkollave fillore “Liria” dhe “Istikball”, si dhe i gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë do të shndërrohen në parkingje, transmeton Portalb.mk.

Parkimi ashtu si herëve tjera do të jetë falas dhe kjo pritet që të lehtësojë komunikacionin, tani që veç se kanë filluar të vijnë mërgimtarët dhe numri i veturave për çdo ditë e më shumë shtohet.

“Duam të bëjmë apel te vozitësit që të respektojnë rregullat në komunikacion, të mos bllokojnë nënstacionet pritëse të udhëtarëve si dhe të shfrytëzohet autobusi i qytetit për të ulur kështu ndotjen e ajrit dhe për të mos shkaktuar kaos në komunikacion”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Shndërrimi i oborreve të shkollave të lartpërmendura nuk është diçka e re, kjo ndodh gjatë sezonit të pushimeve verore dhe dimërore kur nxënësit janë në pushim.

Sipas planit të shpalosur me 11 janar, Komuna e Tetovës planifikon që deri në fund të vitit të rris numrin e vendeve të parkimit, përmes parkingjeve zonale, atyre të mbyllura si dhe garazheve në kate. Numri i planifikuar i parkingjeve zonale është 410, të mbyllura 790 dhe garazhet në kate 1,890.

Gjithsej deri në fund të këtij viti Kasami deklaroi se priten të krijohen 3,730 vende të reja parkimi.

Për periudhën janar-mars 2022 edhe pse ishin paraparë të realizohen 230 vende parkimi të reja të mbyllura, Komuna e Tetovës nuk arriti të realizojë asnjë prej tyre. Gjatë kësaj periudhe ishin paraparë të shtohen 195 vende parkimi zonal, por deri në fund të marsit u shtuan vetëm 72 parkingje të reja zonale, që nuk nënkupton vende të reja parkimi, por disa ekzistuese janë bërë me pagesë.

Ndërkaq për periudhën prill-qershor planifikohen 415 vende parkimi të mbyllura, por kjo do të verifikohet në fund të muajit qershor se sa janë realizuar sipas afatit kohor të premtuar.

Tetova çdo ditë përballet me komunikacion të ngarkuar, ku ka raste ku qytetarëve ju duhen mesatarisht nga 15 deri 30 minuta për të arritur nga qendra deri te UEJL, apo anasjelltas, pa mos e llogaritur kohën e gjetjes së vend-parkimit e cila është një problematikë në vete. Së fundmi, filloi të qarkullojë përsëri transporti publik i cili pritet të lehtësojë sado pak kaosin në trafik.

Ndryshe, në dhjetor, mërgimtarët në hapësirat e Komunës së Tetovës theksuan pikërisht këtë problem me të cilin ballafaqohen gjatë sezonit kur vijnë për pushime dhe se i njëjti duhet të zgjidhet nga autoritetet komunale, për të cilën Kasami u zotua se do gjejnë zgjidhje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button