Tetova po vuan nga komunikacioni i mbingarkuar dhe mungesa e parkingjeve (VIDEO)
Gjatë periudhës së verës, me ardhjen e mërgimtarëve shtohet edhe numri i veturave në Tetovë. Kjo është edhe periudha kur më së shumti rëndohet dhe komunikacioni në qytet.
Gazetari i Portalb.mk udhëtoi me veturë nga Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) deri në Sheshin “Iliria” për tre ditë me radhë dhe vërtetoi se për të udhëtuar në këtë rrugë prej tre kilometrave, duhen mesatarisht 20 deri 40 minuta, pa mos e llogaritur kohën e gjetjes së vend-parkimit e cila është një problematikë në vete.
Gjithashtu, gazetari i Portalb.mk në të njëjtat ditë udhëtoi me veturë edhe nga Luna Parku deri në Universitetin e Evropës Juglindore. Në këtë rrugë prej 3,4 kilometrave mesatarisht nevojiten prej 15 deri në 25 minuta deri në arritjen në pikën përfundimtare.
Portalb.mk i dërgoi pyetje Komunës së Tetovës në lidhje me çështjen e kaosit në komunikacion, por ata zgjodhën që të mos përgjigjen.
Sipas Arianit Xhaferit nga sektori civil, kaosi në komunikacion në Tetovë është rezultat i mungesës së vullnetit dhe mosinteresimit të autoriteteve komunale për të ndërtuar garazhe në kate dhe vend-parkime.
“Mungesa e kësaj infrastrukture ju jep mundësi qytetarëve të ndalin veturat e tyre kudo nëpër qytet dhe kjo automatikisht mbyll një korsi qarkullimi, me çka krijohet kaos edhe më i madh, sepse në vend që të lëvizin dy automjete përnjëherësh, mezi se lëviz dhe një. Gjërat komplikohen akoma më shumë kur ndonjë autobus duhet të kalojë në ato hapësira të ngushta ku qytetarët parkohen paralelisht, sepse kjo bllokon tërësisht rrjedhën e trafikut”, tha Arianit Xhaferi.
Mungesa e Parkingjeve, problem shtesë për kaosin në komunikacion
Një ndër faktorët kryesor për kaosin e trafikut në Tetovë është edhe mungesa e parkingjeve. Komuna e Tetovës deri më tani nuk ka siguruar parkingje shtesë si nevojë shumë e rëndësishme e qytetarëve. Andaj “lufta” e qytetarëve të Tetovës për të gjetur një vend-parkim gjatë sezonit të verës është e dyfishtë.
As në mandatin e dytë qeverisës të kryetares së komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nuk u rregullua mungesa e vend parkimeve.
Disa muaj më herët Arifi pa u konsultuar me banorët e lagjes, nënshkroi kontratë me kompaninë “Eurovia” kontratë për ndërtimin e një parkingu në kate i cili do të kushtonte rreth 820.000 euro, gabimet në hapa i kushtuan Arifit që banorët e lagjes përmes një peticioni të mos lejojnë fillimin e punimeve.
Edhe premtimi për zgjerimin e parkingut zonal deri te “ëmbëltorja taksi” nuk është realizuar, kryetarja Arifi këtë e premtoi në “Debat për nime” të Kallxo.com në bashkëpunim me Portalb.mk.
Korsitë e biçikletave, sa janë të nevojshme janë po aq problematike për trafikun në Tetovë
Gjatë muajit prill, Komuna e Tetovës bëri instalimin e korsive të biçikletave në rrugën e Ilindenit. Por kjo siç duket ka vështirësuar akoma më shumë komunikacionin, sepse në të kaluarën kishte dy korsi për vetura.
Arianit Xhaferi, nga sektori civil thotë se korsia e biçikletave, sado që është e nevojshme, e ka ngushtuar akoma më shumë rrugën.
“Korsitë e tilla vendosen në rrugë ku nuk lejohet parkimi anësor, as i organizuar e as paralel, siç ndodh në Tetovë. Faji për kaosin medoemos i faturohet Komunës së Tetovës sepse nuk kanë arritur që të ndërtojnë garazhe dhe vendparkime për drejtuesit e automjeteve”, tha Arianit Xhaferi.
Qytetarët ende nuk janë ulur në karriget e autobusëve
Edhe pse kanë kaluar gati 8 muaj nga koha kur pesë autobusë për transport publik arritën në Tetovë, këta mjete transportuese ende nuk janë parë duke qarkulluar në qytet.
Muajin e kaluar, Kryetarja kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, potencoi që gjatë kësaj vere qytetarët do të mund të shfrytëzojnë transportin publik në Tetovë.
“Ne mendojmë që kjo verë do të jetë vera e cila në atë komunikacionin e ngarkuar njerëzit do të mund t’i shfrytëzojnë autobusët, pra më pak të përdorin makinat e më shumë autobusët. Këtë e kemi edhe për obligim nga Banka Botërore, sipas marrëveshjes tonë me ata” tha Teuta Arifi në Klan Maqedoni.
Por, autobusët ende nuk janë lëshuar në funksion edhe pse jemi në mes të verës.
Megjithatë, rikujtojmë se drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” në një intervistë për Portalb.mk disa javë më herët theksoi se autobusët mund të mos qarkullojnë as gjatë verës, pasi që sipas tij nuk ka kushte për këtë.
Bulevardet e reja, të realizuara pjesërisht
Në muajin prill u bë vazhdimi i Bulevardit Industrial i cili është një ndër arteriet kryesore të komunikacionit për trafikun e mbingarkuar të Tetovës, i njëjti tash e disa muaj është lëshuar në përdorim dhe ka filluar të shfrytëzohet nga qytetarët.
Arifi në promovimin e këtij bulevardi në muajin prill theksoi se kjo rrugë do të jetë alternativa më e mirë për makinat të cilat kanë për qëllimin drejtimin për në autostradë për në Gostivar apo Shkup si dhe në drejtimin rrugor për në vendkalimin kufitar në Jazhincë.
Edhe pse vazhdimi i këtij bulevardi një fare forme e ka lehtësuar komunikacionin në Tetovë përsëri nuk e ka zgjidhur problemin.
Nga ana tjetër pas premtimeve maratonë, tre muaj para zgjedhjeve lokale, kur edhe i mbaron mandati i dytë kryetares aktuale të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, autoritetet komunale kanë filluar me prishjen e objekteve për hapjen e pjesës së parë të bulevardit “Blagoja Toska”.
Ndryshe, komunikacioni në Tetovë këtë periudhë është në gjendje kritike marrë parasysh se jemi në sezonin veror dhe numri i banorëve dhe veturave është shtuar ndjeshëm me ardhjen e mërgimtarëve, dhe qytetarët vazhdojnë të humbin shumë kohë në komunikacion.