Të rinjtë në “Bostanie” mund të mësojnë mbjelljen e kulturave të kopshteve, por edhe ta provojnë vetë (FOTO)

Në parkun e vendbanimit Novo Lisiçe, prapa terminalit të autobusit numër “5”, rreth 50 entuziastë po e mirëmbajnë kopshtin shoqëror “Bostanie” për të dytin vit radhazi. Të gjithë qytetarët e interesuar, përfshirë edhe të rinjtë, në këtë hapësirë përmes trajnimeve dhe punëtorive mund të mësojnë si të punojnë në kopsht dhe të bëjnë kompostim, si t’i mbrojnë dhe ushqejnë bimët, por gjithashtu mund të mbjellin direkt perime në leha të veçanta, shkruan Meta.mk.

“Bostanie” u hap zyrtarisht në gusht të vitit 2021, ndërsa Dimitar dhe Aleksandri nga organizata civile “Arka e Gjelbër” thonë se për hapjen e tij janë përgatitur dy vite, duke e konceptuar në praktikë idenë në gjysmën e dytë të vitit 2019. Puna e përbashkët e qytetarëve të përfshirë zë një vend qendror në funksionimin e kopshtit shoqëror.

Kopshti Shoqëror "Bostanie" në Novo Lisiçe, foto: Meta.mk
Kopshti Shoqëror “Bostanie” në Novo Lisiçe, foto: Meta.mk

“Gjatë çdo faze të ndërtimit dhe rregullimit të kopshtit, morën pjesë kopshtarët me kontributet e tyre personale, i rregulluam së bashku hapësirat, së bashku vendosëm gardhin dhe në atë mënyrë secili nga pjesëmarrësit mund të ndjejë se i përket këtu dhe se ka pjesën e tij, si dhe ta ndjejë si të veten”, thotë për Meta.mk Dimitar Samarxhiev nga “Arka e Gjelbër”.

Ai dërgoi mesazh për të gjithë të rinjve të interesuar se kushdo që dëshiron të jetë kopshtar ose të mësojë të punojë si kopshtar, mund të marrë pjesë në kopshtin shoqëror “Bostanie”, dhe mund ta bëjnë në dy mënyra.

“Njëra mënyrë është nëse dikush dëshiron të përkushtohet gjatë gjithë sezonit të kopshtarisë, gjatë gjithë vitit kalendarik në një vend të caktuar, ashtu që mund të aplikojë duke e plotësuar formularin onlajn që është në dispozicion për të gjithë”, tha Dimitar, duke kujtuar se në këtë rast do të duhet përkushtim për të rritur kulturat e kopshtarisë që nga mbjellja e deri në vjelja e frutave.

Kopshti Shoqëror "Bostanie" në Novo Lisiçe, foto: Meta.mk
Kopshti Shoqëror “Bostanie” në Novo Lisiçe, foto: Meta.mk

Mënyra tjetër është nëse dikush mund të marrë pjesë herë pas here në kopshtin shoqëror “Bostanie”, ndërsa nuk është në gjendje t’i kushtojë kohë shpesh një vendi të caktuar për të bërë punë kopshtarie. Të gjithë të interesuarit mund të marrin pjesë në pjesët e përbashkëta të kopshtit, siç është pjesa edukative me leha të ngritur demonstrues ose të ndihmojnë kopshtarët e tjerë.

“Ka shumë aktivitete që në shikim të parë mund të duken se nuk janë aktivitete të kopshtarisë, por që ndihmojnë shumë në zhvillimin e kopshtit. Në atë drejtim, është një vend i përshtatshëm për të rinjtë ku ata mund të mësojnë aftësitë themelore të jetës – si të kultivojnë ushqimin e tyre, sepse kopshtaria do të thotë të kultivosh mbi të gjitha fruta që hahen”, shpjegon Dimitar.

Kopshti Shoqëror "Bostanie" në Novo Lisiçe, foto: Meta.mk
Kopshti Shoqëror “Bostanie” në Novo Lisiçe, foto: Meta.mk

Një moment shumë i rëndësishëm në “Bostanie” është shoqërimi, takimi me njerëz të moshave të ndryshme, me kultura dhe eksperienca të ndryshme, të cilat jo vetëm mund të ndihmojnë në kultivimin e kulturave kopshtare, por edhe të fitojnë përvoja të reja jetësore, ndërsa në periudhën e ardhshme “Arke e Gjelbër” njofton gjithashtu mundësinë që në këtë lokacion të organizohet shfaqja e filmave në natyrë.

Përveç plotësimit të aplikacionit online, të gjithë të interesuarit që duan të punojnë në “Bostanie” si parakusht duhet të pranojnë 25 rregullat bazë në rendin e kopshtarisë, pra t’i respektojnë ato gjatë punës në kopsht.

“U përpoqëm t’i specifikojmë sa më qartë dhe t’i referohemi aktiviteteve të përditshme që nevojiten për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e kopshtit. Në baza mujore mbajmë takime koordinuese të kopshtit, ku e shqyrtojmë situatën aktuale, çfarë sfidash mund të kenë kopshtarët, cila është gjëja tjetër që duhet të organizojmë si grup dhe të bëjmë së bashku dhe të kujdesemi për të gjithë hapësirën, përgjegjësinë e përbashkët për ruajtjen e kopshti në tërësi”, dhe jo vetëm përkushtim për ndonjë lehë apo parcelë të caktuar”, shpjegon Dimitar Samarxhiev nga “Arka e Gjelbër”.

Ata shpjegojnë se në këtë sezon tashmë kanë mbjellë qepë, sallata, hudhra, ndërsa në momentin e vizitës tonë vërejtëm se janë mbjellë luleshtrydhe, domate, speca, tranguj dhe patëllxhan.

Kopshti Shoqëror "Bostanie" në Novo Lisiçe, foto: Meta.mk
Kopshti Shoqëror “Bostanie” në Novo Lisiçe, foto: Meta.mk

“Në një hapësirë ​​të vogël, mund të shihni diversitet këtu dhe ne inkurajojmë këtë që mos të fokusohen njerëzit vetëm në monokulturë, por të përpiqemi të zhvillojmë shoqëri për bimësi që e plotësojnë njëra-tjetrën për sa i përket vetive dhe nevojave për rritje dhe zhvillim,” tha. Dimitar.

Megjithatë, në këtë sezon, në “Bostanie” kultivohen edhe bimë më ekzotike, si luleshtrydhet peruane, shafrani i Indisë dhe kultura të tjera që nuk janë të zakonshme për këtë nënqiell. Nëse ndonjë nga të interesuarit dëshiron të kultivojë bimë që nuk janë të zakonshme në këtë rajon, mund ta bëjë këtë nëse ka mundësi të prodhojë fruta dhe farëra për vitin e ardhshëm, por në të njëjtën kohë të mos jenë bimë pushtuese për mjedisin.

Kopshti Shoqëror "Bostanie" në Novo Lisiçe, foto: Meta.mk
Kopshti Shoqëror “Bostanie” në Novo Lisiçe, foto: Meta.mk

Përveç 50 njerëzve që janë aktivisht të përfshirë në kopshtari, më shumë njerëz vijnë në fundjavë, shpesh familje dhe grupe miqsh. Gjatë ditëve të punës, ata janë zakonisht të pranishëm në kopsht pasdite ose herët në mëngjes. Kopshti shoqëror “Bostanie” është krijuar si rezultat i projektit të financuar nga Qyteti i Shkupit me titull “Zhvillimi i kopshtit të parë urban në qytetin e Shkupit”, i realizuar nga organizata “Arka e Gjelbër”. Ata shpresojnë se kopshtaria do të përhapet si kulturë në qytetin e Shkupit dhe në qytete të tjera.

“Mesazhi për të rinjtë do të ishte që të vijnë të punojnë në kopsht së bashku, këtu supozoj se do të gjeni kushte të mira për kopshtari dhe shoqërim, kjo edhe është poenta e kopshtit”, tha Dimitar.

Autor: Bojan Bllazhevski

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button