FYROM – e sëmura e Ballkanit

Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) po e vuan sindromën e përkatësisë së shpifur antike dhe të megalomanisë hegjemoniste sikur ish-Federata Jugosllave në fazën e parë të dezintegrimit të saj…Madhështia e paqenë i mban peng vendet e Evropës Juglindore (Ballkanit Perëndimor), sepse nuk japin liri, pra janë shtete të themeluara sa mbi doktrinën hegjemoniste, sa mbi krimet ndaj fqinjëve më të vegjël e më pak të mbrojtur…

Shkupi zyrtar është duke parë ëndrra të sëmura dhe s’i bëhet vonë që të zgjohet nga identiteti i paqenë antik, nga traditat e shpikura, për ta parë veten si një vend normal, me qeverisje normale dhe me qasje normale ndaj qytetarëve të saj, por edhe ndaj fqinjëve në rajon. 

Ky shtet që ka probleme të mëdha me veten, pra që gjendet në një stad të konfuzionimit identitar në zhvillimin e kombit dhe shtetit, sidomos pas dështimit të Samitit të Ohrit, ende nuk po zgjohet nga ethet ultranacionaliste, duke mbetur vendi më i vetmuar në tërë Evropën Juglindore dhe në konflikte permanente me fqinjët e saj, me Greqinë për emrin, me Bullgarinë për identitetin etnik dhe gjuhën, me Shqipërinë për asgjë fare (edhe pse Tirana zyrtare gjatë e ka mikluar Shkupin zyrtar), me Serbinë për Kishën Autoqefale Maqedonase që KOS-i nuk e njeh dhe së fundi edhe me Kosovën, për shkak të shumë dështimeve të vetë shtetit maqedonas, sidomos për shkaqe të kleronacionalizmit maqedonas në rritje, si dhe si pasojë e lajthitjeve të shërbimeve të saja inteligjente, që naivisht e kanë projektuar një armik të paqenë në Prishtinë!?

Tashti së voni, përmes disa miqve opozitarë në Shkup e mësova faktin që ambasadori i FYROM-it në Prishtinë, Stojan Karajanov, dëshpërueshëm është përpjekur që përmes kanaleve diplomatike dhe presioneve tek Qeveria në Prishtinë të më pengojë në qasjen time kritike ndaj këtij shteti!? 

FYROM, ndonëse ka një marrëveshje ndërkombëtare për ndarjen e shtetit dhe pushtetit me shqiptarët etnikë që jetojnë në FYROM (Marrëveshja Kornizë e Ohrit), në një mënyrë e ka ndarë vetëm pushtetin me forca të degraduara politike shqiptare atje, por jo edhe shtetin dhe mirëqenien. 

FYROM nuk mund të ekzistojë si shtet njëetnik i maqedonasve sllavë qofshin ata edhe kushërinj të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, nxënësit të Aristotelit!?

Përpjekjet e këtij ambasadori natyrisht se dalin të jenë të kota, sepse të shkruash për sindromën megalomane që bart shteti i tij si virus në trupin e tij, e ka bërë këtë shtet që ta marrë epitetin si “e sëmura e Ballkanit”, sepse Karajanov nuk e di se t’ia thuash publikut në FYROM të vërtetat për politikat mitologjike dhe nacionaliste është në fakt dashamirësi, mbështetje e emancipimit politik dhe perëndimorizimit të një FYROM-i modern, shtet qytetar dhe demokratik. 

E kurrqysh armiqësi!

Kjo ishte dhe mbetet mësymja ime si kolumnist.

Të tjerat janë paranoja të Shkupit zyrtar!

Karajanov duhet të dinte se në vazhdimësi kam shkruar në mënyrë kritike dhe shumë hapur edhe ndaj qeverisjes së keqe dhe retorikave nacional-romantike të lidershipit politik në Tiranë e Prishtinë, (sidomos me rastin e festimit të 100-vjetorit të shtetit shqiptar), por edhe për trupin e sëmurë politik të shqiptarëve etnikë në FYROM, prandaj kjo më jep të drejtë që ta kritikoj edhe megalomaninë e shtetit të brishtë maqedonas sot e tehu… 

Synimi i tij që ta ndalë fjalën e lirë në një vend sovran dhe demokratik, siç është nominalisht atdheu i kosovarëve, është edhe një skandal i radhës që dëshmon se politikanët maqedonas sa herë që u rriten thonjtë, sefte duan t’ua ngulin fqinjëve të parë.

Kombi maqedonas është ndër kombet më të reja në tërë arealin evropian, pra është një konstrukt politik që në përbërjen e vet etnike ka pos maqedonasve sllavë edhe elementin vllaho-cincar, atë shqiptar ortodoks (i cili po këndellet dhe po u kthehet rrënjëve dhe këtë fakt më s’po mund ta ndalë as politika klero-fashiste e Ivanovit dhe Gruevskit), mysliman dhe turk. 

Vëllezërit Miladinov (të lindur në Strugë, por të vdekur në Carigrad) ishin rilindësit bullgarë ata që iniciuan emancipimin kulturor tek maqedonasit, ndërsa Kryengritja e Ilindenit ishte e përçarë në tri fraksione të financuara nga Greqia, Serbia dhe Bullgaria. Dhe ende nuk kishte një identitet të formuar maqedonas. 

Fillimin e Kryengritjes antiosmane të Ilindenit e kumtuan kambanat e kishave në Krushevë, më 1903. 

Nja 800 kryengritës e çliruan qytetin, pas dy ditësh, Nikola Karevi e shpall Republikën e Krushevës duke u bërë edhe kryetari i parë i saj, por kjo republikë e lirë ishte jetëshkurtër, ajo ka rrojtur vetëm dhjetë ditë. Nën komandën e Bahtiar Pashës, 18 mijë ushtarë osmanlinj nisen një aksion për kthimin e pushtetit në Krushevë. Vrasja e prijësit Pitu Guli e shënon fundin e saj.

Gjatë Rilindjes, 1903 – 1908, kur shqiptarët po zgjoheshin dhe po e ngjiznin kombin si produkt të nacionalizmit dhe idustrializmit, krahas shumë popujve evropianë, maqedonasit e sotëm sllavë e njihnin veten e tyre si bullgarë etnikë dhe tek më 1925 ishte shfaqur nacionalizmi i tyre inicial kombformues, përmes themelimit të partisë IMRO, kurse më 1934 u përkrah nga Kominterna. 

Tek më 2 gusht 1944, nën tutelën e Partisë Komuniste Jugosllave dhe Titos mblidhet Kuvendi antifashist i çlirimit popullor të Maqedonisë (ASNOM), ku zyrtarizohet kombi maqedonas dhe pastaj maturohet Republika Socialiste e Maqedonisë në kuadër të federalizmit jugosllav. 

Kuvendi është mbajtur në manastirin Prohor Pçinski afër Kumanovës. 

Në vitin 1991 krijohet shteti i pavarur i Republikës ish-jugosllave të Maqedonisë, kurse pas konfliktit me shqiptarët etnikë (2001) përmes Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Maqedonia de jure bëhet shtet qytetar dhe shumetnik, sepse kjo marrëveshje ua njeh shqiptarëve të drejtën e vetos!? 

Porse këtë fakt kleronacionalizmi i Shkupit zyrtar përpiqet që të mos e njohë, duke i bërë obstruksion vetë marrëveshjes, pra duke ua vënë minat në të katër anët vetë themeleve të shtetit qytetar maqedonas!?

Kur kryetari aktual i FYROM-it, Georgi Ivanov, e mori me hez animin ndaj Beogradit duke anashkaluar Prishtinën zyrtare, askush i kthjelltë në Shkup nuk e paramendonte rolin e faktorit shqiptar në rajon dhe mbështetjen që ata kanë në rrugën e integrimeve euroatlantike. Por një ‘jo’ që pasoi nga Tirana, Zagrebi dhe u paralajmërua nga Lubjana e la Ivanovin me gishta në gojë dhe me sy nga Beogradi, i cili, në një anë e ysht Shkupin kundër shqiptarëve, e në anën tjetër ia mohon autoqefalinë Kishës Ortodokse Maqedonase, madje duke pretenduar t’ia marrë edhe një copë territori, rreth Prohor Pçinskit. 

Partia e ish-kryeministrit, Ljupçe Georgievski, VMRO – Popullore, ka akuzuar presidentin e shtetit, Ivanov, se ka diskredituar në sytë e botës Maqedoninë, duke dështuar të organizojë një samit historik ku do të merrnin pjesë edhe presidentët e Serbisë dhe Kosovës. Kjo parti probullgare ka akuzuar kreun e shtetit se para dhjetë ditësh ishte dëshmuar si rojtari madje më i madh se vetë presidenti serb, i interesave serbe.

“Për fat të keq, VMRO-Popullore mund të konstatojë se ishin të rreme të gjitha shpresat tona se Gjorge Ivanov kishte tejkaluar fazën e tij jugosllave, të cilën e kujtojmë të gjithë. Nga distanca e sotme, dhjetë ditë më vonë, duket qartas se presidenti i Republikës ka problem në botëkuptimin se ç’është interes burimor shtetëror”, thuhej në reagimin e VMRO-PP. 

Aktualisht dështimi i Samitit të Ohrit qiti në pah forcën e shqiptarëve, përkatësisht të Prishtinës zyrtare, jo pse ata janë vërtet të fuqishëm ushtarakisht dhe diplomatikisht, por për faktin se shqiptarët, sidomos në Kosovë u dëshmuan liberatorë duke dhënë liri për etnitë e tjera, e jo duke ua marrë atë. 

Në këtë kontekst Prishtina me Pakon Ahtisaari u ka dhënë autonomi të gjerë serbëve kosovarë në veri të vendit, ndërsa me Marrëveshjen e 19 prillit 2013, është konfirmuar ndërkombëtarisht kjo autonomi. 

E Shkupi nuk po e kupton se integrimet euroatlantike presupozojnë qasje liberatore të brendshme dhe moderim e paqe me të tjerët, duke hequr dorë nga pak nga mitet dhe identitetet e ngurta kombëtare dhe sidomos duke hequr dorë nga hegjemonizmi shtetomadh!

E çka mund të thuhet për fund?

Interesi vital kombëtar dhe shtetëror i Kosovës është Maqedonia unike, si shtet qytetar dhe demokratik, që jep liri e nuk ua merr të drejtat tashmë të arrira shqiptarëve etnikë atje, një shtet që mbështet Kosovën në konsolidimin e vet si shtet modern e demokratik. Sepse këto dy shtete (Fyrom dhe Kosova) kanë të përbashkët shumë histori e të afërt familjarisht shumë njerëz dhe që i kanë përpara sfidat e njëjta të integrimeve euroatlantike dhe mbrojtjen nga hegjemonizmi serb në skadencë!?. 

Shkupi zyrtar duhet ta dijë se shtetet që mësyjnë Brukselin duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën në të gjithë procesin e jo t’i hedhin pengesa njëri-tjetrit, duke ia ngulur thikën pas shpine!

Kështu po vepron Shkupi zyrtar edhe me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, edhe me klero-fashizmin e shpërfaqur në sheshin qendror duke i diskriminuar dhe shtyrë shqiptarët nga periferia, kështu veproi edhe Ivanov duke mos ftuar presidenten e Kosovës!

Porse, kjo iu kthye si bomerang i vërtetë.

Por a mblodhi mend Shkupi zyrtar pas dështimit të Ohrit?

Ashiqare jo!

Kur partneri qeveritar Ali Ahmeti më në fund dha propozimet e veta për emrin e FYROM-it, sërish zyrtarët e lartë të shtetit i quan hundët, sepse këtë herë shqiptarët po dilnin më të matur, më të moderuar duke hequr dorë nga mitet për një Iliridë etj.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti për DW ka sqaruar se pse e ka ndërmarrë këtë ofensivë diplomatike që pas SHBA-së tani po qëndron në Gjermani. 

Lideri i BDI-së Ahmeti, afërmendësh që ka kundërshtuar nismat që vendi të quhet Republika Sllave e Maqedonisë, as Republika Nacionale e Maqedonisë, por për të as emërtimi ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë nuk është tutje i pranueshëm. 

Ahmeti ka dhënë versionet shqiptare për emrin e shtetit, si për shembull Republika Maqedonia e Epërme, Republika e Maqedonisë së Veriut etj. 

Në këtë situatë Maqedonia i ka përpara tre skenarë. 

I pari është siç e theksuam më lart, një emërtim neutral dhe deetnizimi i shtetit, pra vendosja e shtetit qytetar duke e zbatuar plotësisht dhe pa ekuivokë Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, si dhe fqinjësi të mirë par excellence me shqiptarët, sidomos mospengim në rrugën e tyre integruese;

Skenari i dytë, nëse Shkupi zyrtar nuk trandet dhe nuk u qaset politikave liberatore do t’i shtynte shqiptarët etnikë jashtë institucioneve të shtetit, kështu që rinegociimi i Ohrit do të ishte imperativ për shpëtimin e shtetit nga çarja përfundimtare, së këndejmi ky shtet do të rimendohej mbi bazat  binacionale sipas modelit belg.

Por shteti binacional do të jetë lule e dritë në krahasim me skenarin e tretë, sipas të cilit shqiptarët e dëshpëruar nga pamundësia që të jetojnë në këtë shtet si në shtëpi të vet, ata do të zemëroheshin dhe kush mund t’i ndalë në organizimin e tyre autonom mbi bazën e vullnetit të tyre politik!?

Pra skenari i tretë, në këso situate do të ishte dalja e shqiptarëve në krah të Greqisë dhe shpërbërja e FYROM-it, si hallka e fundit e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. 

Nëse Shkupi s’heq dorë nga karagjozllëku, Shqipëria dhe Kosova do t’i rishikonin politikat e tyre rajonale dhe në veçanti karshi Shkupit zyrtar duke bërë një pakt me Greqinë rreth emrit. 

Pse duhej të vazhdojnë tutje Tirana dhe Prishtina në krahë të Shkupit të pabesë, kur nga Athina kanë shumëfish më tepër interesa politike. 

Athina e ka mbështetur Tiranën gjatë anëtarësimit në NATO por jo edhe Shkupin; Athina e mbështet Tiranën drejt BE-së, por jo Shkupin; në anën tjetër Shkupi po i vë  ndërskamca Prishtinës edhe pse kjo e ka mbështetur pa rezerva. 

Pra Prishtina mund të ndërrojë qasjen, të bëhet me Athinën kundër Shkupit!

E si shpagim të marrjes anë, Athina do ta shpërblente Prishtinën me njohjen e shtetit të ri, si dhe në proceset e saj integruese në BE dhe NATO. 

Shqipëria dhe Kosova, së këndejmi mund të dakordohen me 25-përqindëshin e popullsisë në shtetin maqedonas që t’ia ndërpresin luajalitetin Shkupit zyrtar, jo në kuptimin e instrumentalizimit të tyre, assesi, por në kuptimin që FYROM-in ta qesin në pozicion të keq para Fuqive të Mëdha!?

Shkupi zyrtar duhet ta ndërrojë me urgjencë kursin e politikave të veta nëse ka pak Raison D’Etat (rezon shtetëror) duke ua zgjatur dorën shqiptarëve etnikë atje, por edhe Tiranës e Prishtinës, sepse tutje pa mirëbesim ndaj shqiptarëve nuk mund ta hedhë asnjë hap dhe nuk shkon asgjëkundi.

Burimi: Koha Ditore

Lajme të ngjashme

Back to top button