Nepenthi i përrallshëm

Brenda ditës shiten mijëra kuti me pilula kundër depresionit, ankthit, stresit ose pagjumësisë. Nëse lajmi është i vërtetë (sepse më s’dihet çfarë është e vërtetë e çfarë është mashtrim), atëherë rezulton se shumë njerëz përjetojnë tronditje shpirtërore. Pavarësisht lajmit, dihet se gjendja shpirtërore e njerëzve është rënduar së tepërmi. Veçanërisht gjatë dy viteve të fundit si pasojë e pandemisë, luftës në Ukrainë ose e krizës ekonomike që thellohet çdo ditë.

A ka dritë në tunelin e jetës? Banka Botërore paralajmëron se bota ka hyrë në fazën e rritjes së inflacionit dhe të recesionit. Lajmeve të frikshme u besohet shumë. Frika krijon ankth e depresion. Në këtë gjendje ndodh që shpëtimi të kërkohet te pilulat, të cilat nuk e zgjidhin problemin, por vetëm i vënë në gjumë të përkohshëm demonët që na torturojnë qenien.

Në vendet me krizë politike, ekonomike, psikologjike dhe morale, këto pilula përdoren për të gjetur zgjidhje artificiale, për ta ndryshuar personalitetin, për ta duruar realitetin e trishtë ose për t’u shkëputur prej tij.

***

Pilula e harresës ose “nepenthi i përrallshëm”, që mjeku Galen e quajti “pilula e gëzimit”, u përdor që në lashtësi për të shkaktuar pandjeshmëri ndaj dhimbjeve e për ta kthyer në harresë trishtimin dhe hidhërimin.

Në librin IV të Odisesë së Homerit thuhet se derisa Menelau e Telemaku i qanin shokët e rënë në luftë, Helena ua futi në verë barin që fashit çdo dhembje e vuajtje.

“Hodhi Helena një bar n’atë verë nga merrnin e pinin / që t’u fashitej mëria e dhembja, t’harronin çdo vojtje. / Kush do të pinte, s’kish më për të qarë një ditë të tërë, / t’atin a t’ëmën sikur të kish humbur, a qoftë vëllain,/ qoftë edhe djalin e dashur të shpirtit sikur të ja kishin therur me thikë aty para syve të tij. / I tillë ishte ai bar i dobishëm, që falur i pat Polidamna, / shoqja e Thonit, në vise t’Egjyptit…” (Shih: Homeri, Odisea, përktheu: Spiro Çomora, Naim Frashëri, Tiranë, 1973, f. 33.)

Ose siç e përkthen Gjon Shllaku: “Kur, ja ç’i ra ndër mend bijës së Zeusit/ Helenës. Menjëherë në shtambë të verës / bar kundër dhembjes dhe brengës hodhi, / që të këqijat t’i harronin fare. / E kush e pinte atë me verë të tretur / nga sytë e tij nuk dilte pika e lotit / dhe sikur babë e nënë t’i kishin vdekur, / ose të shihte para syve t’tij / nën shpatë t’i binte vëllai a djali i vetëm. / Balsamin çudibërës ia kish falur / Helenës Polidamna nga Egjipti, / Gruaja e Tonit… (Homeri, Odiseja, përktheu: Gjon Shllaku, Buzuku Prishtinë, 2003, f.86.)

***

Në romanin Pangopësia (1930) të shkrimtarit dhe piktorit polak Stanisław Witkiewicz-it (1851 – 1915) flitet për një pushtim mongol të Polonisë. Filozofi mongol Murti – Bingu i shpiku pilulat që njerëzve u ngjallnin kënaqësi, bindje të verbër dhe u krijonte personalitet të dyfishtë. Këtë motiv e shfrytëzoi shkrimtari disident Czeslaw Milosz-i (1911 – 2004) në librin Mendja e robëruar. Milosz, në esenë “Murti – Bing”, në të njëjtin libër, flet për njeriun e ekzaltuar nga “bukuria” e “Kohës së Re” dhe e “Besimit të Ri”. Sipas tij, njerëzit që i përdornin pilulat e Murti – Bingut transformoheshin dhe e gjenin lumturinë. Efektet si të pilulave i shkaktonte indoktrinimi nga ideologjia komuniste që i privonte njerëzit nga të menduarit kritik. I bënte të njëjtë. Pasi mendja e tyre ishte e kontrolluar, ata ndjeheshin të lumtur nën një sistem të egër shtetëror. Por, pasi njerëzit nuk mund të çliroheshin plotësisht nga uni i mëparshëm, vuanin nga skizofrenia. Murti – Bingu, shkruan Milosz-i, “më fort sesa fshatarin ose punëtorin, e tundon intelektualin”. Intelektuali, nëpërmjet fshehjes së mendimeve dhe ndjenjave, bëhej pjesë e spektaklit të hipnozës kolektive.

***

Kësi pilulash tani na japin mediat dhe autoritetet. Na krijojnë lumturi çasti. Njerëzit duhet ta harrojnë rritjen e çmimeve, krizën ekonomike, politike, shpirtërore, morale. Propaganda synon të përligj gjithçka. Prandaj, “bukë e festa”, siç thanë latinët…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button