Pse duhet t’i lexoni politikat e kukive?

Sa herë që e vizitoni një ueb-faqe, gjëja e parë që e vini re është dritarja e pranimit të kukive që i përdor ueb-faqja. Shpesh i pranoni pa i kushtuar shumë rëndësi, sepse thjesht dëshironi ta përdorni ueb-faqen të mos humbni kohë për lexim shtesë. Por, çfarë saktësisht pranoni dhe si mund të ndikojë kjo në përvojën tuaj në internet?

Për ta kuptuar më mirë se si kukit ndikojnë në përvojën tuaj, së pari duhet ta kuptoni se çfarë janë kukit.

Kukit (cookies / cookies HTTP) janë skedarë të vegjël tekstualë që dërgohen nga ueb-faqet që i vizitoni dhe ruhen në pajisjen tuaj (kompjuter, tabletë ose telefon celular). Kukit përdoren për ta lehtësuar funksionimin e ueb-faqes ose për të mbajtur mend aktivitetet dhe preferencat tuaja ose për të ofruar përmbajtje të personalizuar në atë ueb-faqe. Kur të vizitohet përsëri ajo ueb-faqe, ato i lexojnë këto skedarë tekstualë për të ndihmuar në identifikimin e përdoruesit.

Kukit mund të jenë kuki të vendosura nga pronari i ueb-faqes (first party cookies) ose kuki të vendosura nga palët e treta, gjegjësisht persona me të cilët pronari i ueb-faqes është në bashkëpunim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (third party cookies), si p.sh. Google Analytics. Ato gjithashtu mund të ndahen në kuki të përhershëm ose në kuki për një sesion të vetëm.

Kukit e përhershëm janë ato që ruhen në pajisjen tuaj përgjithmonë ose për një kohëzgjatje të përcaktuar nga vetë kuki dhe përdoren sa herë që e vizitoni një ueb-faqe të caktuar, ndërsa kukit për një sesion të vetëm u mundësojnë ueb-faqeve t’i lidhin veprimet e përdoruesit gjatë një sesioni të vetëm. Çdo sesion fillon kur përdoruesi e hap një dritare te shfletuesi i internetit (si p.sh. Google Chrome, Firefox, Safari, etj.) dhe përfundon kur ajo mbyllet.

Kukit mbledhin një shumëllojshmëri informacionesh. Në thelbin e tyre, ato janë të destinuara për tre qëllime: menaxhimin e sesionit, personalizimin dhe monitorim. Përmes menaxhimit të sesionit, kukit “mbajnë mend” se cilën pjesë të ueb-faqes e vizitoni ose çfarë informacioni ju intereson më shumë. Për shembull, nëse hapni një portal lajmesh, kukit do të mbajnë mend nëse shpenzoni më shumë kohë për lajmet e biznesit, lajmet sportive apo lajmet politike. Kështu, gjatë vizitës suaj të radhës në atë ueb-faqe, më të dukshme, gjegjësisht më dominuese do të jenë kategoritë e lajmeve që i keni lexuar më shumë ose që i keni klikuar më shumë.

Me personalizimin nënkuptohet përshtatja e reklamave sipas aktiviteteve të përdoruesit që mbahen mend përmes kukive. Për shembull, nëse vizitoni një ueb-faqe për ushqim për kafshët shtëpiake, shumica e reklamave tuaja do të lidhen me kafshët ose ushqimin për kafshët shtëpiake.

Ueb-faqet i ndjekin aktivitetet ose kategoritë në të cilat qasen përdoruesit. Ueb-faqet për blerje në internet, për shembull, ndjekin se cilat dhe çfarë produktesh zgjidhni dhe i ruajnë ato informacione, si dhe produktet në shportën tuaj të blerjes më qëllim të blerjes më të lehtë, por edhe si një mënyrë për të reklamuar të njëjtat produkte ose produkte të ngjashme të cilat mund t’i pëlqeni.

Për shkak se kukit mbledhin informacione rreth përdoruesit, si p.sh. adresa IP e tij, vendndodhja, etj., dhe vetë shërbejnë si identifikues për përdoruesin, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e konsideron këtë informacion si të dhëna personale dhe i detyron pronarët e ueb-faqeve të kërkojnë pëlqim eksplicit nga përdoruesit përpara se t’i vendosin kukit në pajisjet e tyre. Gjithashtu, pronarët e ueb-faqeve janë të detyruar të vendosin politikën e kukive në vetë ueb-faqet e internetit ku ata do të shpjegojnë në mënyrë transparente se çfarë lloj kukish përdorin, si dhe qëllimin e çdo kuki.

Ata mund të bëjnë dallimin midis kukive të nevojshme, gjegjësisht llojeve të kukive që mundësojnë përdorim më efikas të ueb-faqes – nëse pranohen – dhe kukit opsionale, të cilat do të përdoreshin për të mbledhur informacion shtesë rreth përdoruesit, por të cilat përdoruesi mund të zgjedhë të mos i pranojë, gjegjësisht t’i përdorë. Në rast të mospranimit të kukive, pasojat do të ishin rënia në cilësinë e përvojës së përdoruesit gjatë përdorimit të ueb-faqes.

Atëherë, pse duhet pasur kujdes? Gjegjësisht, pse është e rëndësishme të lexohet me kujdes politika e kukive në ueb-faqent që i përdorni?

Politika e kukive i përmban të gjitha informacionet se kush, në çfarë mase, në çfarë mënyre dhe për çfarë qëllimesh i përdor të dhënat tuaja. Siç u shpjegua më lart, përveç efikasitetit të funksionimit të një ueb-faqeje, kukit mund të përdoren për një sërë qëllimesh, të tilla si marketingu i synuar, mbledhja e bazës së të dhënave, e disa madje mund të përmbajnë edhe viruse kompjuterike. Kujdes i veçantë duhet treguar kur hyni në ueb-faqet që kërkojnë më shumë të dhëna personale për përdorimin e tyre, siç janë emri dhe mbiemri, adresa, numri i telefonit, adresa e postës elektronike (e-maili) dhe të ngjashme. Në disa raste, këto ueb-faqe ose palë të treta që vendosin kuki në pajisjet tuaja mund t’i shkëmbejnë ose edhe t’i shesin të dhënat tuaja, me atë që ju i keni pranuar në mënyrë të pavetëdijshme kushtet dhe politikat e tyre të kukive dhe u keni mundësuar ta bëjnë këtë pa ndërprerje.

Prandaj, një mënyrë për t’u mbrojtur nga këto efekte anësore kur i përdorni ueb-faqet është ta lexoni me kujdes politikën e kukive në çdo ueb-faqe dhe të shihni se për çfarë qëllimesh përdoren informatat tuaja. Për më tepër, nëse dëshironi t’i fshini kukit që tashmë i keni pranuar, çdo shfletues i internetit jep një mundësi të tillë në çdo kohë (Për më shumë informacion se si t’i fshini kukit që tashmë i keni pranuar, klikoni në këtë link). Në rast se të dhënat tuaja personale ende përdoren pa pëlqimin tuaj, gjegjësisht keqpërdoren (përsëri shihni reklama, oferta etj. nga ueb-faqet pa miratimin tuaj), mund ta kontaktoni drejtpërdrejt zyrtarin për mbrojtjen e të dhënave personale te pronari i ueb- faqes që e kryen këtë keqpërdorim, informacioni për të cilin duhet të jetë vendosur në ueb-faqen që e keni vizituar ose të paktën duhet të jetë shënuar e-maili i kontaktit, për ta raportuar rastin në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Maqedonisë së Veriut ose në Sektorin për Krimin Kompjuterik dhe Forenzikën Digjitale në MPB të RMV.

Qëllimi kryesor i kukive është që ueb-faqet të përdoren në mënyrë më efikase dhe më të lehtë. Megjithatë, për shkak se ato i mbledhin të dhënat personale të përdoruesve, ato mund të keqpërdoren ose të përdoren për qëllime të ndryshme nga qëllimi i tyre i synuar. Prandaj, është shumë e rëndësishme që çdo përdorues të informohet për qëllimin e çdo kuki dhe me (mos) pëlqimin e tij të menaxhojë plotësisht dhe në mënyrë të sigurt me mënyrën dhe qëllimin për të cilin përdoren të dhënat e tij personale gjatë shfletimit të faqeve në internet.

Autor: Mr. Nikolla Dimitrov

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button