Petkov për negociatat me Maqedoninë: Nuk bëjmë asgjë nën presion

Nuk do të bëjmë asgjë nën presion, tha sot kryeministri bullgar Kiril Petkov, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse Bullgaria është nën presion ndërkombëtar për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Nuk bëhet fjalë për presion politik. E gjithë korniza se dikush po na bën presion, ndërsa ne do të bëjmë diçka nën presion – nuk do të bëjmë asgjë nën presion. Kjo duhet të jetë absolutisht e qartë për të gjithë popullin bullgar. Ajo që po bëjmë është të shohim nëse dëshirat dhe nevojat bullgare për mbështetje të bullgarëve në RMV mund të garantohen përmes procesit evropian. Do t’ia lë Ministrisë së Jashtme, pasi janë duke negociuar tani. Pyetja është tjetër, a mund të garantohet pozicioni bullgar përmes procesit evropian dhe jo dikush të na bëjë presion për çfardo qoftë”, tha Petkov, raportojnë mediat bullgare.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se kur të vijë koha, ai është i gatshëm të takojë autoritetet e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në Paris, për të ketë përfunduar marrëveshja dypalëshe që do të lejojë fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Macron mbrëmë ka biseduar me presidentin bullgar Rumen Radev dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, pas së cilës Pallati Elysee ka kujtuar se Franca, e cila mban presidencën e BE-së deri më 30 qershor, ka mbështetur kërkimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjes mes dy shteteve.

Gjatë bisedimeve, presidenti francez shprehu mbështetjen e tij të plotë për një marrëveshje ndërmjet dy vendeve, e cila do të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe konsolidimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, si dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve që pretendojnë se i përkasin komuniteteve të tjera apo pakicave.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje tha se Franca si kryesuese e BE-së i lehtëson bisedimet ndërmjet dy palëve, por se në tryezë nuk ka propozim konkret për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button