Vuçiq për Ballkanin e Hapur: Po përgatisim gjëra të mëdha

“Ballkani i hapur” është nisma më e mirë për popujt e Ballkanit, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Në profilin e tij në Instagram, Vuçiq sot ka postuar edhe foto nga video-konferenca e liderëve të vendeve pjesëmarrëse të këtij projekt rajonal.

“Po përgatisim gjëra të mëdha për qytetarët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, theksoi Vuçiq.

Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk i janë bashkuar deri më tani këtij projekti rajonal.

Mali i Zi për nisma kundër barrierave

Goran Gjuroviq, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit i Malit të Zi, tha më 27 maj në Beograd, se Podgorica nuk ishte kundër nismës Ballkani i Hapur.

“Çdo nismë që çon në heqjen e barrierave, qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve, do të pranohet në Mal të Zi”, theksoi Gjuroviq, pas takimit me ministren e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Tatjana Matiq, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Ministrja Matiq shprehu shpresën se Mali i Zi do t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”.

“Ne u pajtuam që se prania dhe mbështetja e Malit të Zi në atë nismë është shumë e rëndësishme”, tha Matiq.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dje tha se do t’i përgjigjet ftesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të marrë pjesë në samitin në Ohër.

“Çdo nismë rajonale që mund të përshpejtojë integrimin, është diçka që ne duhet ta pranojmë”, tha Abazoviq, duke shtuar se për anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk ekziston alternativa.

Takimi i radhës në Ohër

Takimi i radhës i nismës “Ballkani i Hapur” do të mbahet në Ohër, më 7 dhe 8 qershor, ku, siç njoftoi kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, gjatë një vizite zyrtare në Shkup më 18 maj, do të prezantohet një sistem informativ i identifikimi të numrit unik për leje të punës.

Qëllimi, siç tha ajo, është krijimi i një tregu të përbashkët të punës për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha atëherë se nisma e “Ballkanit të Hapur” kishte kontribuar në më shumë se një miliard euro në tregtinë midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar.

Përndryshe, nisma “Ballkani i Hapur” për lëvizje të lirë të mallrave dhe njerëzve mes shteteve të këtij rajoni, është një nismë që deri më tani është përkrahur vetëm nga Qeveria e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Edhe përkrah luftës në Ukrainë dhe pozicionit të Serbisë për të mos i’u bashkangjitur sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga kjo iniciatvië.

Paraprakisht, në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministër ishte Zoran Zaev, Maqedonia e Veriut gjithashtu refuzoi që të tërhiqet nga “Ballkani i Hapur” për shkak zhvillimeve në veri të Kosovës, ku për më shumë se tetë ditë, serbët bllokuan vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti mbi targat e automjeteve të Serbisë. Asokohe, Zaev, tha se mbështet dialogun mes dy vendeve.

Krahasuar me ngjarjet në veri të Kosovës, situata është shumë më serioze, duke e pasur parasysh se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell  më 27 shkurt tha se kriza në Ukrainë mund të përhapet edhe në vende tjera, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Frika nga përhapja e krizës para se gjithash është për në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë, dy shtete të cilat kanë mosmarrëveshje me aleatin numër një të Rusisë në Ballkan, Serbinë.

Bosnja dhe Hercegovina për shkak Republikës Serbe, ndërkaq Kosova për shkak mosvënie në kontroll të veriut. Të dyja shtetet e refuzojnë të bë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, pasi sipas tyre me këtë fuqizohet Serbia. Ata e mbështesin pjesëmarrjen në procesin e Berlinit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button