NDARJA

Ajo sjellte aurën e vet në çdo takim, në qindra takimet tona…Isha mësuar me shkëlqimin e mendjes së saj të mprehtë dhe shpirtit oqean, mu si ai diell i fortë në ditën e ndarjes.

Qëkur e njoha, qëkur e kisha privilegjin të ndjej Energjinë e saj dhe humorin specifik me theks strumice, akoma më të gjorë më duken ata që kanë edhe punë edhe kulm mbi kokë edhe pare të rregullta edhe dikend afër për t’u mbështetur, por edhe elan për t’u ankuar, për të qenë të mërrolur. Kjo është kohë e ankesave të imta, të bezdisshme, pa shumë rezon, veçanërisht femrat janë Kampione në sport, kurse më të shpifura tingëllojnë ankesat e tyre për fëmijët. Zoti u fal fëmijë si molla, ato mandej ankohen se si lodhen (me ushqimet dhe pastrimet), se si fëmijët nuk dëgjojnë (sigurisht s’kanë lindur të padëgjueshëm!?), se si duhet shume kohë të harxhojnë duke mësuar bashkë me fëmijët – sa shumë detyra shtëpie në vend që të përcjellin rahat serialet, tre-katër seriale në ditë.

Gunçe kishte një mal problemesh mbi supe, por i mbante burrërisht. Vetëm ndonjëherë rrallë, rrallë kur flisnim për hallet e përbashkëta, thoshte “…sekoj si go nosi svojot krst”. Sado e vrazhdë që ishte jeta me të (pa shëndet, pa punë, pa banesë, e divorcuar “a çovek ne e skroen da zhivee sam” – thoshte), asnjëherë nuk e kam parë të jetë pa sabër ndaj Denicës: gjithmonë e butë, e durueshme, gjithmonë me të qeshura. Më kujtohet se me vite çohej herët që ta dërgojë deri në shkollë anise mundej ta hypte në bus vajzën e cila e dinte se ku duhej të zbret. Më vështirë e kishte ato muaj kur s’arrinte të nxirrte kartë mujore: e përcjellte të bijën deri në oborr të shkollës, kthehej në këmbë, me kilometra nga qendra deri në Maxhari ku jetonte me qera, dhe prap në këmbë mandej për ta marrë nga qëndrimi gjithëditor.

Edukonte me shembull personal, atëherë nuk ka nevojë për shumë fjalë, atëherë efekti është më i plotë: pasi mbajmë mend më mirë me të parë se sa me të dëgjuar. Kështu Denica mësonte nga shembulli i së ëmës se humori është i domosdoshëm për të mos bezdisur të tjerët por as vetveten, mësonte sa si ecet ballëlartë pavarësisht sfidave rrugës, mësonte sa të vlefshëm janë miqtë e mirë, si dallohen ata që janë të vërtetë prej atyre që bëhen sikur janë miq…

Denica është vajzë shembullore, rrezaton jetë. Kur isha herën e fundit në vizitë te Gunçe, rrinte në anën tjetër të paravanit (një dhomë e ndarë më dysh me njëfarë muri të përkohshëm, kjo ishte banesa e tyre). Bënte çka bëjnë gjithë moshatarët: me celular, para televizorit, në facebook… mandej biseduam pak: e përqëndruar, pa panikë, e gatshme për t’u përballur me atë që çdo çast mundeshte të ndodh në anën tjetër ku nëna ishte shtrirë në shtratin e vdekjes, e dobësuar sa s’bëhet, por prap kohë pas kohe bënte batuta, po ai konstrukcion i mendimeve që më afroi drejt saj, para vitesh.

…Dita e varrimit të Gunçes ishte festë ortodokse, 24 maj. Në fillim një shi i rrëmbyeshëm, ajo në këto raste thoshte se edhe qielli qan për të vdekurin. Posa varri iu mbulua i tëri me lule, doli një diell i fortë, gati përcëllues. Udhëtimin e fundit e kishte si jetën vetë.

Isha mësuar ta kem të afërt, thuaja në rangun e Kikit dhe Mirushes.

Shumë do më mungojë.

Isha mësuar me aurën që sjellte në çdo takim, në qindra takimet tona.

Isha mësuar me Shkëlqimin e Mendjes së mprehtë dhe Shpirtit oqean, mu si ai diell i fortë në ditën e ndarjes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button