Spanja planifikon projekt-ligj i cili parashikon tre ditë pushim gjatë ciklit menstrual
Spanja po planifikon të prezantojë projekt-ligj për leje mjeksore për gratë që vuajnë nga dhimbje të forta nga cikli menstrual, shkruan BBC, transmeton Portalb.mk.
Projekt-ligji thotë se gratë do të mund të marrin tre ditë pushim në muaj dhe në disa rrethana më kritike deri në pesë ditë pushim.
Por, politikanët paralajmëruan se lajmi i zbuluar nga mediat spanjolle, është ende duke u punuar.
Nëse miratohet, do të ishte e drejta e parë e tillë ligjore në Evropë. Vetëm një pjesë e vogël e vendeve në mbarë botën kanë një legjislacion të tillë në fuqi.
Legjislacioni spanjoll është pjesë e një reforme shumë më të gjerë të shëndetit riprodhues, e cila do të përfshijë ndryshime në ligjet e vendit për abortin.
Mediat që kanë parë pjesë të ligjit, raportojnë se ai do të paraqitet në kabinet në fillim të javës së ardhshme.