Maqedonisë i kërcënohet epidemia e fruthit?

Maqedonia në vitin 2019 u përball me epideminë e fruthit, në të cilën viktima më e vogël ishte foshnja gjashtë muajshe, e cila ndërroi jetë si pasojë e komplikimeve. Pas tre vjetësh, vaksinimit po bie sërish. Mjekët kanë frikë nga një epidemi e re dhe u bëjnë thirrje prindërve që të imunizojnë fëmijët e tyre në kohë.

Mjekët paralajmërojnë se një epidemi e re fruthi mund të ndodhë për shkak të vaksinimit të ulët me MMR gjatë pandemisë kovid, transmeton REL.

Përndryshe, të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se vaksinimi kundër fruthit, rubeolës dhe shytave është larg përqindjes së kërkuar prej 95% të vaksinuar për të arritur imunitetin dhe mbrojtjen kolektive në komunitet.

Gjatë vitit 2020 vërehet vaksinim jashtëzakonisht i ulët, 63% për dozën e parë dhe 68,5% për dozën e dytë, në nivel nacional.

Mbulimi në vitin 2021 është rritur kështu që për dozën e parë të vaksinës MMR është 70,4%, ndërsa për dozën e dytë 80,4%, por akoma jo e kënaqshme.

Mjekja Sonja Raleva, specialiste e mjekësisë së përgjithshme, e cila është pjesë e ekipeve të vaksinimit të fëmijëve në Shkup, thotë se duhet të rritet mbulimi, përndryshe do të përballemi me një epidemi të re.

“Padyshim pritet një epidemi e fruthit nëse nuk korrigjojmë këtë pjesë dhe nuk arrijmë të rrisim nivelin e imunizimit për të mbajtur situatën ashtu siç është që të mos përballemi me një epidemi të re fruthi. Pra, në vetë pandeminë mund të ketë një epidemi të një sëmundjeje tjetër në këtë rast fruthi”, shtoi ajo.

Dr Raleva shton se nëse virusi lejohet të hyjë në popullatë do të përhapet me shpejtësi, sepse fruthi është një infeksion viral ngjitës që transmetohet përmes teshtitjes, kollitjes, kontaktit të ngushtë apo sipërfaqeve të kontaminuara.

Edhe Dhoma e Mjekëve ka alarmuar për rënien e vaksinimit me MMR.

Arsyet i shohin në pandemi, por edhe në lëvizjen e intensifikuar antivaksinë, prandaj theksojnë se duhet të ndërmerren hapa për të rikthyer mbulimin e nevojshëm prej 95 për qind.

“Mjekët duhet të marrin mbështetje për të promovuar më mirë rëndësinë e vaksinave, si dhe për të përmirësuar aftësitë e tyre të komunikimit për t’iu përgjigjur siç duhet hezitimit të prindërve për të marrë vaksinime të rregullta. Edukimi i studentëve të mjekësisë është thelbësor për t’u mundësuar mjekëve të ardhshëm të komunikojnë në mënyrë efektive me pacientët e tyre dhe ndërgjegjësimi i prindërve duhet të fillojë gjatë periudhës prenatale dhe gjithashtu të jetë i vazhdueshëm”, thonë nga nga Dhoma e Mjekëve.

Dr. Raleva thekson rrezikun e lëvizjeve antivaksinë dhe thekson se në vend të të gjitha dilemave që kanë prindërit në rrjetet sociale, ata mund të vijnë në pikat e vaksinimit dhe të konsultohen drejtpërdrejt me mjekët profesionistë.

Sipas të dhënave, në janar dhe shkurt 2022 janë raportuar 17.338 raste me fruth. Midis prillit 2021 dhe prillit 2022, janë regjistruar gjithsej 21 epidemi të mëdha të fruthit, shumica e tyre në Afrikë dhe Mesdheun lindor.

UNICEF paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e fruthit, duke thënë se në shekullin e 21-të, jeta e fëmijëve nuk duhet të rrezikohet me vetëdije dhe të ekspozohet ndaj rrezikut të sëmundjeve që mund të parandalohen me anë të vaksinave dhe të cilat janë provuar të jenë të sigurta dhe shumë efektive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button