PDSH e Strugës e gatshme për bashkëpunim me BDI-në

Burime pranë kryetarit të Komunës së Strugës, Ziadin Sela, kanë theksuar  për Portalb se  PDSH është e gatshme për bashkëpunim me të gjitha  forcat politike, të përfaqësuara në Këshillin Komunal të Strugës  dhe në radhë të parë me BDI-në.

“Ne kemi  deklaruar prej fillimi vullnetin për bashkëpunim me BDI-në. Kryetari  i Komunës, disa herë, e ka thënë publikisht  që ne ua kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit, por ata janë përgjigjur se nuk kanë qëndrim .  Ne jemi të hapur për bashkëpunim, në radhë të parë,  normalisht, me BDI-në, por pa kushtëzime , si dhe me partitë tjera politike, si RDK, DR,  PEI, dhe  jo vetëm me forcat politike shqiptare” deklaroi  burimi pranë Kryetarit të Komunës së Strugës.

Më tej , ai tha se  bashkëpunimi me BDI-në ka ekzistuar që prej  fillimi, sepse  këtij subjekti që në start PDSH ia ka ofruar këtë, por ata as nuk kanë parashtruar kërkesa, as nuk janë prononcuar , domethënë nuk kanë pasur qëndrim të definuar.

“Edhe mbledhja e parë e Këshillit të komunës u thirr me aminin e atyre. Ata  njëherë na thanë në rregull, pastaj thanë se nuk kanë qëndrim. Ata nuk kanë asnjë qëndrim. Ne i pyesim çfarë kërkojnë ata thonë, se presin qëndrimin e partisë në qendër . Të gjitha takimet me BDI-në kanë qenë në këtë frymë dhe ata na thanë që janë për bashkëpunim, por kur kemi dashur t’i konkretizojmë gjërat, janë shprehur se presim përgjigje nga lartë. ”,  thotë burimi pranë Kryetarit të Komunës së Strugës, Ziadin Sela.

 Ndërkaq kryetari i Degës së BDI-së në Strugë, Ramiz Merko mohoi se PDSH i ka ofruar bashkëpunim partisë që ai drejton në Strugë, ndërsa interesimit të Portalb për atë nëse ky subjekt ka premtuar votimin e kandidatit për kryetar  të Këshillit, të propozuar nga kryetari Sela, Merko i është përgjigjur se këtë vendim duhet ta marrë partia.

“Para Këshillit të parë, kërkuan bisedime për ta votuar kryesuesin. Unë ua përcolla lart këtë kërkesë, kryesisë dhe qëndrimi i kryesisë ishte se, në fakt nuk kishte edhe aq kohë që ajo të ndërtojë qëndrim, për këtë çështje, prandaj ne abstenuam”, thotë Merko.

I pyetur nëse BDI- ka pasur kërkesa konkrete në këto bisedime,  kryetari i BDI-së, Ramiz Merko përgjigjet se ata nuk kanë pasur kërkesa konkrete, sepse nuk janë ftuar të bisedojnë.

“Ne u kemi lënë dyert e hapura që ata  të  zgjedhin  nëse janë për bashkëpunim me partitë shqiptare ose maqedonase. Por kemi thënë se do të jemi për bashkëpunim, në interes të qytetarëve të Strugës”, përfundon Merko.

Këshilli Komunal i Strugës, nuk ka zgjedhur kryesuesin e vet, për shkak të mungesës së koalicioneve, në kushtet kur asnjë subjekt politik, vetëm nuk  i ka votat e mjaftueshme për ta bërë shumicën në Këshill.

Lajme të ngjashme

Back to top button