Fitër Bajrami festohet në Maqedoninë e Veriut dhe botën islame, gëzuar!

Besimtarët musliman, sot në mbarë botën e festojnë Fitër Bajramin, pas 30 ditëve agjërim në muajin e shenjtë të Ramazanit. Pas dy viteve me pandeminë COVID-19 dhe katër Bajrameve, kjo është hera e parë që festohet pa asnjë masë mbrojtëse kundër virusit, shkruan Portalb.mk.

Besimtarët sot në mëngjes, në ora 06:10, e kanë falur namazin e Fitër Bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup, dhe u transmetua drejtëpërdrejtë në TVM2.

Pas faljes së namazi i Fitër Bajramit, myslimanët kanë uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie respekti.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, në mesazhin e tij urues me rastin e festës së Fitër Bajramit ka theksuar se kjo festë është ngadhënjim i së mirës ndaj së keqes, i shpirtërores ndaj epshores dhe emocionales, i moralit ndaj amorales dhe të tjera.

“Jemi në kulmin e përjetimit të gëzimit të thellë të festës së Madhe të Fitër Bajramit. Po e përcjellim musafirin tonë të dashur dhe të begatë të bindur se me përkushtimin më të madh е kryem kushtin themelor të Islamit, agjërimin e ditëve të tij që e përshkon gëzimi i madh, me çka dëshmuam vetëdijen e lartë dhe përkushtimin tonë të madh se lidhja jonë me Zotin është bindje e thellë në zemrat, të menduarit dhe në jetën tonë praktike, konform fjalëve të Allahut të Gjithmëshirshëm kur thotë: ”Që të jeni të devotshëm”. Sot, si asnjëhërë më parë, jemi bindur se muaji i Ramazanit mbolli tek ne bindjen e paluhatshme se dija, meditimi mbi gjithçka që krijoi Zoti janë argumente mbi ekzistencën dhe rrugëtimin e drejtë të njohjes së Tij, sepse në këtë muaj, në Natën e Kadrit zbriti imperativi i Zotit: “Lexo në emër të Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)”, tha Shaqir Fetahu. 

Urime kanë dërguar edhe liderët politik në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

Redaksia e Portalb.mk të gjithë besimtarëve ua uron festën e madhe të Fitër Bajramit. Zoti ua pranoftë agjërimin dhe lutjet. Me shëndet!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button