RMV, kreu i shtetit me mesazhe për 1 Majin – Ditën ndërkombëtare të punës

Me mesazhe për respektim të të drejtave të punëtorëve dhe punës dhe sigurim të kushteve më të ndershme pune, kreu i shtetit uroi 1 Majin – Ditën ndërkombëtare të punës, njofton Portalb.

Presidenti Stevo Pendarovski në mesazhin thekson se shteti duhet vazhdimisht të investojë përpjekje për avancim të së drejtave të të gjithë punëtorëve dhe të respektohet e drejta e tyre për jetë dinjitoze.

“Të luftojmë për valorizim të vërtetë të çdo punëtori dhe punëtoreje në vend, të çdo individi i cili përmes veprimtarisë së tij, me punën dhe sakrifikimin e tij kontribuon për të mirë të përbashkët. Një maji është mundësi e duhur për përkujtim se synimi ynë për shoqëri më të mirë, më të drejtë, evropiane në çdo segment të jetës duhet me forca të përbashkëta ta shndërrojmë në përditshmëri”, porositi Pendarovski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në urimin e tij potencon se çdo çast, çdo atom energji që e harxhojnë për të siguruar funksionim normal të përditshmërisë sonë, për të pasur bukë në tryezë, për të pasur çati mbi kokë, për të arsimuar dhe shëruar fëmijët tanë, qytetarët tanë, duhet të na rikujtojë se jo vetëm sot, por çdo ditë, çdo orë duhet të luftojmë të gjithë për respektimin e mundit të punëtorit dhe të drejtave të punëtorit, për sigurimin e kushteve dinjitoze për punë, për mbrojtjen e vendeve të punës dhe krijimin e vazhdueshëm të vendeve të reja, për pagë dinjitoze dhe vlerësim të barabartë të punës së çdo punëtori ose punëtoreje, pa diskriminim.

“Këto ditë jemi dëshmitarë të grevës për shkak të harmonizimit të pagave të punëtorëve arsimorë dhe mua më vjen keq që kjo situatë, dëmi kolateral i të cilës megjithatë janë më të vegjlit dhe më të dashurit tanë, në të gjitha fazat e procesit arsimor, të cilët, nëse merren parasysh kushtet e jashtëzakonshme të imponuara nga kriza disavjeçare e pandemisë, edhe ashtu pësuan humbje shumë të mëdha dhe kanë zbrazëtira në atë proces arsimor, zgjat tepër shumë dhe nuk gjetet gjuhë e përbashkët dhe mirëkuptim. Shpresoj se me qëllim dhe vullnet dypalësh së shpejti do të arrihe marrëveshje dhe do të vazhdohet atje ku edhe u ndal. Fëmijët nuk guxojnë të pësojnë, ato janë ardhmëria jonë, ardhmëria e shtetit tonë. Ndërtimi i bashkësisë së barabartë e cila kujdeset për të mirën e të gjithë qytetarëve të vet dhe e stimulon dëshirën për kontribut personal dhe kolektiv është përgjegjësi dhe udhërrëfyes për të gjithë ne, për ndryshimin kah më e mira për të gjithë ne”, shkruhet në kumtesën e kryeparlamentarit Xhaferi.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka uruar 1 Majin dhe ka theksuar se për çdo çështje tek ai dhe në Qeveri mund të drejtohen dhe së bashkë me punëtorët dhe sindikatat do të tejkalohen të gjitha sfidat.

“Punëtorët janë forca shtytëse e ekonomisë dhe zhvillimit social. Prandaj kjo Qeveri dhe unë si Kryeministër e njohim dhe vlerësojmë punën e tyre. Këtë vit ne festojmë Ditën Ndërkombëtare të Punës në kushtet e krizës globale ekonomike dhe energjetike. Pavarësisht të gjitha sfidave, ne mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave të punëtorëve. Në tri javët e para të punës së Qeverisë së re, arritëm deri te rritja historike e pagës minimale në 18.000 denarë. Filluam dialogun me Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë për të arritur një marrëveshje të re të përgjithshme kolektive për sektorin publik. Do të mundësojë rritje të vazhdueshme të pagave sipas kritereve që do t’i përcaktojmë bashkërisht”, ka shkruar Kovaçevski.

Ndërsa, ministrja e Punës dhe Politikë Sociale Jovanka Trançevska në urim thekson se për Qeverinë dhe Ministrinë resore, promovimi i të drejtave të punëtorëve mbetet i lartë në agjendën e synimeve prioritare.

“Ne po punojmë për zgjidhje që do të jetë sistematike dhe solidare për të gjithë. Rritje lineare prej 2806 denarë, për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Në kuadër të negociatave, për Marrëveshjen e re të Përgjithshme Kolektive, është kthimi i pagesës së pushimeve për të gjithë sektorin publik në vitin 2023. Si dhe një metodologji e re për përllogaritjen e pagave, e cila do të sigurojë korrigjim të rregullt të pagave sipas kritereve që do të përcaktohen dhe që do të pasqyrohen në kontratat kolektive të degëve, që nënkupton rritje të vazhdueshme të pagave në sektorin publik”, tha Trançevska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button