Macroni fitoi zgjedhjet në Francë, për herë të dytë president

Projeksionet e televizioneve franceze tregojnë se Emmanuel Macron ka fituar mandatin e dytë në zgjedhjet presidenciale të Francës me 58 për qind të votave, transmeton REL.

Francezët votuan sot më 24 prill për të zgjedhur presidentin e tyre për pesë vjetët e ardhshëm.

Macron ka garuar kundër kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Ajo besohet se ka fituar 42 për qind të votave.

Projeksionet e përgatitura nga mediat franceze janë kombinim i rezultateve reale dhe atyre të sondazheve, andaj konsiderohen tejet të besueshme.

Momentet e gëzimit janë parë menjëherë në ekranet e mëdha afër Kullës Eiffel, ku janë mbledhur mbështetësit e Macronit, të cilët janë parë me flamuj francezë dhe ata të Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, mbështetësit e Le Penit janë dëgjuar duke bërtitur me zemërim teksa kanë marrë vesh lajmin.

‘Jam president i të gjithëve’

Macron ka nisur fjalimin e fitores duke falënderuar mbështetësit e tij dhe popullin francez.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm se disa e kanë votuar për të bllokuar të djathtën ekstreme.

Macron ka thënë se është duke menduar për ata që nuk e kanë votuar dhe ata që kanë votuar për Le Penin e tani janë të zhgënjyer.

“Prej tani e tutje unë nuk jam kandidat i një kampi, jam president i të gjithëve”.

“U them atyre që kanë votuar për të djathtën ekstreme që do të jetë përgjegjësi e imja dhe ekipit tim që të adresojmë shqetësimet e tyre”.

Mbështetësit e tij kanë bërtitur “edhe një, edhe dy, edhe pjesë vjet tjerë”.

“Do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe për barazi në mes të burrave dhe grave”, ka thënë Macron.

“Ne duhet të tregojmë respekt sepse shteti ynë është aq i ndarë… askush nuk do të lihet anash”.

Presidenti francez po ashtu ka thënë se “kjo epokë e re nuk do të vazhdojë me metodat e pesë vjetëve të fundit”.

“Lufta në Ukrainë na tregon se jemi duke jetuar në kohëra tragjike”, duke shtuar se Franca duhet të ndërtojë forcat e veta.

Macron e ka përmbyllur fjalimin e tij duke thënë se është krenar që do t’i shërbejë sërish popullit francez.

Le Pen, mbështetësve: Edhe ky rezultat përbën fitore

Liderja e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen u është drejtuar menjëherë mbështetësve që kanë thënë me zë të lartë emrin e saj.

Ajo ka thënë se rezultatet – që parashohin humbjen për të – përbëjnë fitore për partinë e saj.

Ajo ka thënë se e respekton rezultatin e zgjedhjeve.

Le Pen ka shtuar se do të vazhdojë të luftojë në politikën franceze, ndonëse në të kaluarën ka thënë se mund ta lë politikën nëse humb garën.

Ajo ka falënderuar njerëzit që e kanë votuar dhe është larguar nga foltorja.

Liderët evropianë urojnë Macronin

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka mirëpritur rezultatin dhe ka uruar Macronin për parashikimet për fitore.

Përmes një postimi në Twitter, Michel ka thënë se Bashkimit Evropian i duhet një Francë e përkushtuar ndaj projektit të bllokut evropian në një kohë turbulente në kontinent.

Atij i është bashkuar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka thënë se mezi pret të vazhdojë punën me presidentin e rizgjedhur.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka uruar po ashtu Macronin.

Ai ka thënë në Twitter se do të vazhdojë punën me liderin e “një prej vendeve aleate më të afërta dhe më të rëndësishme”.

Urime edhe nga Ballkani

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski uroi Macronin për mandatin e tij të dytë.

“Ky sukses vjen në një kohë sfidash thelbësore ku zgjedhja pro-evropiane është e rëndësishme. Shpresoj për një vazhdimësi të bashkëpunimit tonë që synon të sjellë vendet dhe popujt tanë”, shkroi Pendarovski.

Macron urime mori edhe nga Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.

“Sapo e kam uruar Presidentin e rizgjedhur të Francës, Emmanuel Macron, të cilin uroj që së shpejti ta mikpresim në Shqipëri në vizitën e parë të një kreu të shtetit francez në vendin tonë”, shkroi Rama.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti urou presidentin e Francës, Emanuel Macron, në rizgjedhjen e tij si president.

“Urime për Emanuel Macron në rizgjedhjen e tij. Është një fitore e shpresës mbi frikën dhe një shans i ri për Francën për të ndihmuar në bashkimin e Evropës në paqe, demokraci dhe solidaritet. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë dhe të promovojmë vlerat tona të përbashkëta”, shkroi Kurti në urimin e tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në urimin e saj tha se pret me padurim të punojë sërish me Macron në thellimin e marrëdhënieve me Kosovë-Francë.

“Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit dhe thellimin e marrëdhënieve tona të shkëlqyera dypalëshe. Mbështetja e Francës për Kosovën është kyçe për rrugën tonë të fortë euroatlantike”, shkroi Osmani.

Fitorja e pro-evropianit Macron mund të konsiderohet nga disa si pushim nga ngjarjet që kanë goditur politikën kohën e fundit, përfshirë largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe rritjen e një gjenerate të liderëve nacionalistë.

Macron është bërë presidenti i parë në historinë moderne të Francës që ka fituar mandat të dytë dhe ka shumicë parlamentare.

Franca mban zgjedhjet e reja për Parlament në muajin qershor dhe situata mund të ndryshojë, mirëpo tani për tani ai mund të vazhdojë të çojë përpara politikat e tij të brendshme dhe ato ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button