RMV, tryezë e rrumbullakët për digjitalizimin e arsimit të lartë: proces i shtrenjtë, ndërsa buxheti modest
Forumi Rinor Arsimor (FAR) sot organizoi një tryezë të rrumbullakët me temë “Digjitalizimi i arsimit të lartë – sfidat dhe mundësitë” ku u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet kryesore të dokumentit të politikave me të njëjtin emër, ndërsa u prezantua edhe vegla digjitale e zhvilluar nga disa studente gjatë hakatonit studentor, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.
Dokumenti i Politikës Publike i përgatitur nga FAR është në kuadër të projektit “Aksioni Studentor për Shërbime të Digjitalizuara Arsimore”, i cili mbështetet nga Fondacioni Metamorfozis dhe bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian.
Gjatë prezantimit të dokumentit, FAR theksoi se është bërë analiza e dokumenteve të Qeverisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), UKIM-it, si dhe Këshillit Kombëtar për Arsimin e Lartë, lidhur me aktivitetet e tyre për digjitalizimin.
Nevojitet digjitalizimi i programeve arsimore, por edhe i procedurave administrative
Në dokument janë dhënë rekomandime në lidhje me hartimin e një Strategjie Kombëtare për Digjitalizimin e Arsimit të Lartë, proces për të cilin u theksua se duhet t’i përfshijë studentët, më pas të rritet buxheti për arsimin e lartë me një zë të ri për digjitalizimin, krijimin e grupeve të punës për digjitalizimin e arsimit të lartë, futje në përdorim të pagesës elektronike për shkollim, regjistrim dhe certifikim elektronik të semestrave dhe trajnimit të personelit administrativ.
“Për mendimin tim, këto janë problemet më mëdha dhe më kritike të studentëve; jo vetëm që pritet në radhë, por shumë studentë e kanë humbur mundësinë të regjistrohen në studimet master sepse procesi i regjistrimit me dokumente të shtypura është shumë i ngadalshëm, prandaj nuk ia kanë dalë të marrin diplomën ose së paku ndonjë vërtetim se i kanë kaluar provimet, sepse ka humbur ndonjë aplikim në shërbimin studentor ose profesori ka harruar të marrë aplikacionin”, tha Joana Treneska, moderatore e tryezës së rrumbullakët.
Rekomandimet e tjera përfshijnë futjen e internetit falas në universitete, por edhe një kompjuter falas për studentët të cilët nuk do të kenë mundësi të përballojnë blerjen e pajisjes së tillë.
“Kjo duhet të unifikohet, sepse nuk mund të ketë shërbime digjitale pa internet, që ato shërbime të përdoren. Përveç kësaj, studentët të cilët kanë internet të dobët në shtëpi ose nuk e kanë fare, duhet të mbështeten në fakultetet e këta duhet t’u ofrojnë internet”, theksoi Treneska.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, theksoi se në shoqërinë tonë digjitalizimi konsiderohet një luks, ndërsa futja e tij në përdorim kërkon bashkëpunim ndërmjet më tepër institucioneve.
“Procesi i digjitalizimit nuk mund të realizohet kurrë vetëm nga një anë, do të duhet të ketë bashkëpunim nga disa anë. Për këtë periudhë 2021/2022, me vullnetin tonë apo pa vullnetin tonë, e dimë se të gjithë kemi kufizime në pjesën e buxhetit, që ka të bëjë me krizën shëndetësore, e më pas me krizën ekonomike. Por në digjitalizim duhet investuar edhe në kohë krize”, theksoi Shaqiri.
Shaqiri tha se institucionet, duke përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, por edhe vetë universitetet, duhet të respektojnë konkluzionet dhe rekomandimet e Qeverisë dhe të sigurojnë mjete për digjitalizim. Ai tha se në këtë proces duhet të kontribuojnë Këshilli Kombëtar i Arsimit të Lartë, si dhe Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë.
“Kjo është nevojë për të gjithë studentët, për shembull shumë procese me të cilat ne e menaxhojmë jetën studentore të studentëve varen nga procesi i digjitalizimit – regjistrimi i provimit, vërtetimi i semestrit, marrja e vërtetimit nga universitetet. Kjo nuk është bërë, duhet të hyjmë në këtë proces dhe të punojmë më shumë”, ka përfunduar Shaqiri.
“Digjitalizimi është një vegël e shtrenjtë”
Në këtë ngjarje folën edhe prorektorja për mësimdhënie në UKIM, Hristina Spasevska dhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI), Ivan Çorbev. Si sfida kryesore për procesin e digjitalizimit të universitetit më të madh, ata vunë në dukje buxhetin modest të UKIM, kompleksitetin e programeve të studimit të fakulteteve, por edhe sigurinë e sistemit elektronik.
“UKIM në dhjetë vitet e fundit ka qenë tërësisht i fokusuar tek vetja, tek resurset e veta teknike, financiare dhe njerëzore, sepse aq ishte mbështetja. Të gjitha sistemet tona që po zhvillohen janë prej burimeve tona. Ajo që do të jetë sfidë e madhe është siguria e sistemit. Sistemi që e kemi është i vjetër 15 vjet, i ndërtuar me një projekt evropian dhe ka kushtuar 1,5 milionë euro. A ka UKIM tani aq para për një sistem të ri?”, tha Spasovska.
“Universiteti po e financon me shumë vështirësi mirëmbajtjen e këtij sistemi. Nuk janë vetëm pajisjet, duhen licenca, për të mos folur për sigurinë. “Digjitalizimi është një gjë e shtrenjtë në shumë aspekte dhe po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë,” tha Çorbev.
Dekani i FINKI-t shtoi se për digjitalizimin e proceseve, fillimisht duhet një reforma e tyre, që do të eliminojë hapat dhe dokumentet e panevojshme.
“UKIM është një universitet jashtëzakonisht i larmishëm. Regjimet e studimeve të fakulteteve teknike, krahasuar me ato sociale dhe artistike, nuk kanë asnjë pikë kontakti. Nevojitet ekuilibër midis dëshirave të fakulteteve, nevojave reale të studentëve dhe regjimit të studimit, përballë unifikimit të proceseve në një mejnstrim mënyrë të thjeshtë të punës. Sa më të thjeshta dhe sa më pak të ndërlikuara të jenë sistemet, aq më lehtë janë për t’u mirëmbajtur, përmirësuar, përdorur dhe riparuar,” vuri në pah Çorbev.
Nga UKIM njoftuan se ata janë para testimit të modulit të pagesave elektronike, i cili pritet të prezantohet në fakultete me fillimin e vitit të ri akademik në tetor.
Kryetarja e Parlamentit Studentore Universitar (PSU) të UKIM-it, Eva Cvetkovska, tha se ka shumë arsyetime për digjitalizim dhe se studentët po krijojnë neveri ndaj proceseve të tilla.
“Aty ku ka vullnet për realizim, ka realizim. Mendoj se të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë në nivel institucional”, tha Cvetkovska.
Në këtë ngjarje u prezantua edhe zgjidhja fituese nga Hakatoni i organizuar nga FAR. Vegla digjitale “Students2Students” është konceptuar si një përmirësim i sistemit aktual iKnow, i cili duhet të zgjidhë problemet me të cilat ballafaqohen shpesh studentët e UKIM-it, të cilat janë shkelje e të drejtave të tyre studentore.