KFOR-i dhe Ambasada e Amerikës reagoi pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës

KFOR-i është i gatshëm ta mbështesë Policinë e Kosovës nëse është e nevojshme, ka thënë KFOR në një përgjigje për KOHËN. KFOR-i ka dënuar sulmet gjatë tri ditëve të fundit në veri ndaj policëve.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe e kërkuar”, thuhet në përgjigje.

KFOR-i ka bërë thirrje që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të tensioneve.

“Ne presim që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive, dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet, të ndikojnë negativisht në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”.

Përgjatë tri ditëve, nga 13 deri më 15 prill, në pikat kufitare në veri të vendit janë sulmuar katër herë policët e Kosovës.

Fillimisht automjeteve të tyre u janë vënë iriqë xhemborë në rrugën nga kanë kaluar. Në sulmin e dytë u gjuajtën me gurë, gjatë sulmit të tretë janë dëgjuar rafalë të shkurtër me rreth 30 fishekë që dyshohet se kanë qenë nga territori i Serbisë. Sulmi i katërt ndodhi të premten në mëngjes, ku patrullat janë sulmuar me granatë dore dhe armë zjarri AK-47.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar sulmet që iu bënë zyrtarëve policorë të Kosovës derisa po kryenin detyrën në pikat kufitare me Serbinë. Ambasada e SHBA-së në Kosovë e ka quajtur të mjerueshme dhe të pajustifikueshme dhunën ndaj policëve.

SHBA-ja ka kërkuar që të ndalen spekulimet që mund të rrisin tensionet.

“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë dhe gurë të hedhur në drejtim të zyrtarëve kosovarë të sundimit të ligjit, afër Zubin Potokut. Këto sulme ndodhën teksa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e sundimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne bëjmë thirrje kundër spekulimeve që do të rrisnin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për ta penguar këtë punë thelbësore”, thuhet në reagimin e kësaj ambasade.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, të premten bëri të ditur se dy vetura të Policisë së Kosovës të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare në veri, janë sulmuar në mëngjes. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Sveçla ka thënë se zyrtarët policorë të cilët po shkonin në pikat kufitare për ndërrimin e tyre, janë sulmuar me granatë dorë dhe armë AK-47. Ministri Sveçla e ka quajtur sulmin “terrorist”. Sipas tij, në tri ditët e fundit kanë ndodhur katër sulme në atë zonë ndaj Policisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button