Kurti prezantoi planin për rritjen e pagës minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të martën, 12 prill, se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë – të mërkurën – do të miratohet projektligji që i hap rrugën rritjes së pagës minimale, transmeton REL.

Ai ka thënë se paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, dhe paga deri më këtë shumë do të lirohet nga tatimi.

Sipas Kurtit, mbi 100 mijë punëtorë do të përfitojnë nga kjo rritje.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se nga kjo rritje do të përfitojë secila familje në Kosovë.

“Ligji për pagën minimale, përveç se rrit pagën për të gjithë përfituesit nën nivelin 264 euro, ofron rritje për pagës neto, si për sektorin privat, ashtu edhe për atë publik. Secili që e ka pasur pagën mbi 250 euro deri më tani, do të përfitojë rreth 80 euro në vit, apo 6.80 euro në muaj, pas lirimit nga tatimi”.

Në konferencë për media me gazetarët, Kurti ka thënë se në kuadër të masave për ringjalljen ekonomike, në muajin prill do të dyfishohet vlera e asistencës sociale, pensionistët do të përfitojnë nga 100 euro shtesë, ashtu sikurse punëtorët e sektorit publik, privat si dhe studentët.

Sipas Kurtit, vlera e zbatimit të këtyre masave do të shkojë në mbi 100 milionë euro.

Murati ka thënë se për rritjen e pagës minimale duhet të bëhen disa ndryshime ligjore, duke përfshirë Marrëveshjen me Bankën Botërore për zgjerimin e asistencës sociale, Ligji për pagën minimale dhe Ligji për rishikimin e buxhetit.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji për pagën minimale duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rregullores së Kuvendit, shqyrtimi i parë i një projektligji nuk mund të bëhet pa kaluar dy javë pune dhe as më vonë se katër javë pune, nga dita e shpërndarjes së tij.

Pas kësaj, ligji u kthehet në shqyrtim komisioneve të ndryshme, dhe amendamentet mund të parashtrohen në afat prej dy javësh. Pastaj, komisioni funksional ia paraqet Kuvendit raportin me rekomandime për projektligjin brenda dy muajve nga shqyrtimi i parë, ose pesë ditë pune para shqyrtimit të dytë në mbledhje plenare.

Paga minimale në Kosovë është 170 euro. Ajo nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011.

Agjencia Evropiane e Statistikave e ka vlerësuar këtë pagë si më të ulëtën në Evropë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button