Bogovinë, banorët protestojë, kryetari pretendon se ka mbajtur premtimin

Banorët e Bogovinës sot bllokuan rrugën në hyrje të fshatit për të protestuar në shenjë revolti për mos-përfundimin e punëve të rrugës e cila filloi të asfaltohet më datë 5 prill  dhe mbeti e papërfunduar.

Në atë kohë kryetarët e komunave të Bogovinës, Vrapçishtit dhe drejtori i ndërmarrjes “Makedonija Pat” Gajur Kadriu deklaruan se kjo rrugë do të përfundoj brenda 25 ditëve.

Bujar Misimi, këshilltar i pavarur në komunën e Bogovinës tha se nuk është kundër askujt por duan  të përfundojnë punët të cilat kanë filluar.

“Ne do të ndërmarrim dhe masa tjera nëse nuk merren parasysh kërkesat tona  dhe do të bllokojmë magjistralen” tha Misimi.

Ndërsa kryetari i komunës së Bogovinës, Hazbi Idrzi pretendon se punët kanë përfunduar në kohë dhe se qytetarët nuk e dinë edhe vet pse kanë dalë në protesta.

“Unë jam i sigurt se ata nuk janë mirë të informuar prandaj dhe e kanë bë këtë punë, në cilësinë e kryetarit të komunës kaq do iu them, këto punë do vazhdojnë por ka edhe halle tjera dhe duhet të kesh buxhet për ti bë punët përnjëherë, buxheti realizohet brenda vitit kalendarik nga një janari deri më 31 dhjetor, do bëhen këto punë të buxhetit dhe me atë dinamikë edhe do vazhdohet”, tha ai duke përkrahur drejtorin e kësaj ndërmarrjeje se ka punuar dhe punët kanë përfunduar në kohë.

Drejtori Gajur Kadriu nuk ishte i kapshëm për prononcim në Portalb.

Kjo rrugë filloi të asfaltohet në kohën  kur ishte rrethi i dytë zgjedhor në zgjedhjet lokale dhe mund të fitojmë përshtypjen se u shfrytëzua për marketing politik nga partia në pushtet. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button