Ambasadorja Bërns gjyqtarëve: Vetëm 8% e qytetarëve të Maqedonisë kanë besim në gjyqësor

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Burns sot në konferencën para gjykatësve tha se qytetarët e Maqedonisë nuk kanë besim në gjyqësor. Ajo iu referua një sondazhi të fundit të Eurohtink se vetëm 8% e qytetarëve i besojnë gjyqësorit dhe për të rikthyer besimin, qytetarët duhet të shohin se sistemi funksionon, transmeton Portalb.mk.

“Nuk është sekret që publiku nuk beson në drejtësi. Në fakt, një sondazh i fundit i Eurothink tregoi se vetëm 8% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut i besojnë gjyqësorit dhe prokurorisë. Duket qartë, ka shumë punë për të bërë, përfshirë reformën në drejtësi dhe forcimin e institucioneve, por duhet të adresohen edhe perceptimet – njerëzit duhet të shohin dhe të ndjejnë se sistemi funksionon. Qytetarët duhet të sigurohen se çështja e tyre do të shqyrtohet nga gjykata neutrale dhe të pavarura brenda një kohe të arsyeshme. Ky është një parim themelor në çdo demokraci të lirë dhe funksionale”, tha Burns sot në konferencën ndërkombëtare gjyqësore “Pavarësia e gjyqësorit përmes procesit të reformës – pritjet dhe realiteti” në Shkup.

Ajo shtoi se për të fituar respektin e qytetarëve, gjyqësori duhet të jetë efikas, i pavarur dhe të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë.

“Kthimi i besimit të publikut mund të arrihet vetëm nëse të gjithë gjyqtarët bëjnë më shumë se sa pritej prej tyre kur e dhanë betimin”, tha Bërns.

Ambasadorja iu referua edhe pushtimit rus të Ukrainës.

“Ndërsa jemi të lumtur që jemi këtu së bashku, nuk mund të injorojmë faktin se ukrainasit po mbrojnë me guxim qytetarët e tyre, sovranitetin dhe demokracinë kundër agresionit brutal rus. Siç tha Presidenti Biden, “demokracitë janë përgjigjur mirë dhe bota ka zgjedhur qartë anën e paqes dhe sigurisë”. Dhe prandaj ShBA-të ju mbështesin sot këtu – për të promovuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, tha Bërns.

Ndryshe, qytetarët kanë besim më të madh në Armatën e MV (47%), në presidentin e MV (31%), në bashkësitë religjioze (30%), si dhe në policinë (25%), ndërsa më pak i besojnë gjyqësorit (8%) dhe prokurorisë (8%), thuhej në sondazhin e Eurothink.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button