Maqedonia e Veriut pret një grup refugjatësh nga Ukraina

Refugjatët e parë nga Ukraina kanë arritur në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për 15 persona, të cilët janë vendosur në Ohër dhe Strugë pas një rrugëtimi të gjatë që kanë bërë për të ikur nga, siç thonë, tmerret e luftës që kanë përfshirë Ukrainën nga agresioni rus, raporton REL.

Në mesin e tyre janë edhe bashkëshortët Vladimir dhe Marija Orovska, me gjashtë fëmijët e tyre, një prej të cilëve është dy muajsh. Ata kanë ikur nga qyteti Zaporozhye në Ukrainën Juglindore, ku sipas Vladimirit ka pasur luftime të ashpra.

“Kemi vuajtur shumë, andaj edhe nuk mundëm të qëndrojmë më tepër. Atje kishim një shtëpi që kishim filluar të ndërtonim pesë vjet më parë. Kishim edhe një biznes tonin, por nuk mundëm të qëndrojmë dhe më 15 mars u larguam nga shtëpia”, thotë ai, duke shtuar se nga gjithë pasuria që e kishin ngritur me mund, morën një valixhe të vetme.

“Shtëpinë e kishim afër aeroportit dhe objekteve ushtarake. Çdo ditë dëgjonim shpërthime e krisma që nga 24 shkurti në orën 5 të mëngjesit – ishin momente të rënda”, thotë Vladimir Orovski, refugjat nga Ukraina.

Për tmerret e luftës, por edhe për largimin nga shtëpia flet edhe bashkëshortja e tij, Marija:

“Bombardimet ishin aq të rënda saqë e gjithë shtëpia lëkundej. Shpërthimet ndodhnin vetëm disa kilometra nga shtëpia jonë, por dëgjoheshin sikur binin në oborr. Disi arritëm të iknim pasi filluan të paraqiten grupe të ndryshme të njerëzve të armatosur, të bllokohen rrugët, të bombardohet gjithçka. Ikëm me ato rroba që i patëm në trup. Prej këtu shkuam te të afërmit tanë në pjesën perëndimore të vendit ku qëndruam një javë dhe prej andej u vendosëm këtu”.

Një tjetër refugjate është Olga Kosicenko nga qyteti Poltava që ndodhet 100 kilometra nga Harkivi. Ajo thotë se me ditë të tëra me familjen ka qëndruar në bodrumin e shtëpisë derisa arritën të evakuohen me një tren të mbushur me civilë që braktisnin shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve.

“Ikëm pasi situata filloi të bëhej gjithnjë e më e rëndë. Me ditë të tëra kemi qëndruar në bodrumin e shtëpisë derisa arritëm të largohemi. Ikëm me një tren që evakuonte popullatën e rrezikuar. Ishin vullnetarë me ndihmën e të cilëve fillimisht u vendosëm në Varshavë të Polonisë”.

Përveç Qeverisë, edhe objektet hoteliere janë shprehur të gatshme të ndihmojnë me strehimin e refugjatëve, ndërkohë organizata të ndryshme humanitare kanë vazhduar me aksionin për grumbullimin e ndihmave jo vetëm për refugjatët, por edhe për popullatën në Ukrainë.

Maqedonia e Veriut e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, ndërsa u është bashkuar edhe sanksioneve që Bashkimi Evropian i ka vendosur Rusisë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button