Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi, ndërsa Pavarësinë e Kosovës nuk do ta njohim, paralajmëroi Vuçiq

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe të parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”, raporton ABC. Vuçiç ka thënë se Serbia nuk ka pranuar të bëjë diçka të tillë.

Ai tha se sot për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.

“I kam lutur që të kenë durim dhe të numërojmë deri në dhjetë”, theksoi Vuçiç.

Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiç, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që “435 policë t’i lënë armët dhe të braktisin policinë”. Vuçiç theksoi se edhe “njerëzit nga jugu” u pajtuan me këtë “për herë të parë”, të udhëhequr nga Dallibor Jevtiç.

“Unë i pyeta, e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të luftës”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill. Vuçiç gjithashtu theksoi që për serbët e Kosovës do të përgatiten vendvotime në komunat në Serbinë qendrore.

Vuçiç i bëri këto komente pas takimit më 22 mars me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi pasoi njoftimin e BE-së se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit.

Vuçiç sot është takuar edhe me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Beograd.

Sot, po ashtu, është mbajtur edhe një seancë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ministrat e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç dhe Aleksandar Vulin, ish-kryeparlamentari Ivica Daçiç, si dhe zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.

Temat e takimeve nuk janë bërë të ditura zyrtarisht. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se ka biseduar për disa orë sot në Beograd me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për të diskutuar çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit të shtetit serb në Kosovë.

Në një konferencë për media, ai tha se për lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në Kosovë, Prishtina ka kërkuar nga Serbia që fjalë për fjalë dhe De fakto ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ata kanë insistuar vetëm në një gjë, pra që ne ta njohim pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk e ka pranuar këtë dhe nuk do ta pranojë. Për këtë nuk e kemi pranuar”, tha Vuçiç para gazetarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me kërkesën që Qeveria serbe t’i drejtohet asaj të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, nuk ka synuar që të sjellë njohjen e pavarësisë nga Serbia.

“Unë kurrë nuk kam synuar që nëpërmes këtij letërkëmbimi ta sjell njohjen e Serbisë. Unë e kam ditur që kjo nuk bëhet, mirëpo nuk mund të kërkojë askush prej meje që unë të mos e njoh Republikën e Kosovës, pavarësinë e vendit tonë”, tha Kurti në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button