Do të zhbllokohet Komisioni për zgjedhje dhe emërime, deputetët votuan kryetare dhe anëtar të ri për të zëvendësuar Zendelin

Kuvendi sot në kuadër të seancës së 66-të zgjodhi për kryetare të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Marija Georgievskën, deputete e LSDM-së, ndërsa anëtar i ri është zgjedhur edhe bashkëpartiaku i saj Darko Kaevski. Deputetët votuan edhe për dy zëvendës-anëtarë, Hysni Ismaili nga Alternativa dhe Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët, transmeton 360 Shkallë.

Zgjedhja e kryetares së re vjen pasi kryetari i mëparshëm Kostadin Kostadinov u bë kryetar i Komunës së Strumicës dhe u largua nga Kuvendi. Nga ana tjetër, Kaevski zëvendëson Fadil Zendelin nga Lëvizja Besa, i cili u shkarkua si anëtar.

Puna e këtij Komisioni u ndërpre pasi shumica në Kuvend u modifikua pas vendimit të Besës për t’iu bashkuar opozitës. Edhe pse partitë opozitare e kundërshtuan, shumica e re dhjetë ditë më parë arriti të shkarkojë Zendelin me shpjegimin se si pjesë e opozitës nuk duhet të zërë vendin që i takon koalicionit qeverisës.

“Në bazë të numrit të deputetëve në përbërje të këtij Komisioni, LSDM dhe Koalicioni marrin pjesë me pesë deputetë, VMRO-DPMNE dhe Koalicioni me pesë, BDI me dy, dhe Aleanca për Shqiptarët me një deputet, me çka, siç theksohet, plotëson përbërjen e Komisionit”, shkruan në arsyet e vendimit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj.

Para votimit të vendimit doli koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski, i cili edhe një herë e theksoi qëndrimin e partisë se vendimi është marrë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

Kjo seancë plenare në Kuvend ka nisur dje, por për shkak të mungesës së kuorumit, rendi i ditës nuk është miratuar dhe për këtë ka vazhduar edhe sot.

Një nga çështjet kryesore që u pengua nga mosfunksionimi i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime ishte zgjedhja e gjyqtarëve të rinj kushtetues. Zgjedhja e anëtarëve të rinj tani hap mundësinë që gjyqtarët përfundimisht të propozohen për katër vendet dhe më pas të zgjidhen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button