Mickoski me kthesë befasuese për transportin publik në Shkup: Projekti i BRT-së nuk braktiset

Pasi kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, si dhe partia opozitare VMRO-DPMNE, e cila e mbështeti kandidaturën e Arsovskës, vazhdimisht dolën me pretendime se futja e BRT-së, gjegjësisht “autobusëve të shpejtë” do të shkatërronte gjelbërimin e bulevardeve, ujësjellësin kryesor nën bulevardin Partizanski Odredi dhe një sërë kritikash të tjera për projektin, dje kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i ftuar në emisionin “Vetëm e vërteta” (Samo Vistina) në Kanal 5, tha se projekti nuk u braktis, por korrigjohen vetëm gabimet, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Nuk është braktisur projekti BRT, por gabimet që kryetari i mëparshëm i Shkupit nga radhët e LSDM-së Petre Shilegov në projekt, në fakt nuk ka projekt por ka vetëm dëshirë, teknikisht po i korrigjojmë”, tha Mickoski.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tha për “Meta.mk” se nuk ka probleme me projektin, pasi banka merr përgjegjësi shumë serioze për transparencën e projekteve.

Tenderi për ndërtimin e linjës së parë BRT është shpallur në fund të tetorit të vitit të kaluar. Në itinerarin me gjatësi prej 12,81 km ishte planifikuar të qarkullojnë autobusë ekologjikë 18 metra të gjatë, 21 stacione autobusësh përgjatë gjithë trasesë, si dhe 2 terminale në Gjorçe Petrov dhe Novo Lisiçë. Me zbatimin, pritej që koha e udhëtimit me transport publik të përgjysmohej nga 70 minuta në 35 minuta për qytetarët që përdorin transportin publik.

Tenderi pasoi nënshkrimin e një marrëveshjeje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në prill të vitit të kaluar për një kredi prej 70 milionë euro për ndërtimin e dy linjave BRT në Shkup. Projekti BRT u shqyrtua nga BERZH dhe huamarrja e vendit shkoi për votim në Parlamentin e RMV-së.

Por, Qyteti i Shkupit në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, rreth tre muaj më parë, njoftoi se tenderi për ndërtimin e linjës së parë është ndërprerë.

“Sipas analizave që janë përgatitur vitin e kaluar për nevojat e Qytetit të Shkupit, ka mangësi dhe rreziqe të shumta të projektit që do të kenë ndikim në mjedis, gjë që në asnjë rast nuk duhet të lejohet”, tha Qyteti i Shkupit për Meta.mk.

Pas shpalljes së vendimit për ndërprerjen e projektit, ka reaguar LSDM-ja, e cila e quajti këtë veprim skandaloz, duke thënë se është bërë projekti për trasenë e parë, është nënshkruar marrëveshje me BERZH-in për kredi speciale prej 70 milionë euro për ndërtimin e dy linjave të sistemit BRT. LSDM thekson se ky veprim i Arsovskës përveç se është kundër interesave të Shkupit, është në dëm të drejtpërdrejtë të qytetit dhe shtetit, para institucioneve financiare ndërkombëtare, siç është BERZH.

VMRO-DPMNE-ja ka reaguar ndaj LSDM-së, duke thënë se kryesia e mëparshme e qytetit ka valëvitur letrën për projektin BRT për katër vite dhe e ka imponuar në mënyrë jashtëzakonisht jotransparente pa mendimin e opinionit ekspert. Sipas VMRO-DPMNE-së, në mënyrë edhe më jotransparente tenderi është shpallur pak para zgjedhjeve.

Kjo parti pretendon se projekti BRT është dashur të realizohet për 10 vjet dhe Shkupit i duhen projekte që do të ofrojnë zgjidhje për gjendjen aktuale me kaosin në trafik.

Së fundmi nga BERZH kanë thënë për Meta.mk se në ueb-faqen e tyre po publikojnë informata të detajuara për të gjitha projektet, përfshirë edhe dokumentet për transport me autobus të shpejtë.

“Të gjitha projektet tona i nënshtrohen një rishikimi shumë të detajuar përpara se të miratohen dhe ne jemi krenarë për standardet e larta me të cilat menaxhohemi dhe të njëjtën gjë presim nga partnerët dhe klientët tanë. Ka një sërë hapash mbrojtjeje dhe verifikimi që po ndërmarrim për të siguruar që projektet tona të përmbushin këto standarde”, thanë nga BERZH.

Kështu, projekti rishikohet nga BERZH dhe vlerësimi i ndikimit të tij vlerësohet me 70, në një shkallë nga 0 deri në 100, gjë që e vendos atë në kufirin midis projekteve të mira dhe të forta të vlerësuara nga Banka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button