Tetovë, policia apelon për kujdes, viktima tregon si ndodhi rasti i vjedhies së portofolit

Shëtitja e mbrëmjes së 3 marsit për 27 vjeçaren N.A. nga Tetova u kthye në një përvojë traumatizuese. Ajo rrëfen për Portalb.mk se si duke u kthyer në shtëpi ishte sulmuar nga një person i panjohur duke i vjedhur asaj portofolin të cilin e mbante në duar. Nga policia thonë se po punojnë në zbardhjen e rastit dhe sqarojnë se si duhet vepruar nëse ndodh një incident i tillë. Jozyrtarisht, ka me dhjetëra raste të vjedhies së çantës nëpër rrugët e Tetovës, megjithatë në polici, sipas të dhënave zyrtare, është paraqitur vetëm një rast brenda dy muajve, ndërkaq vitin e kaluar dymbëdhjetë.

“Të enjten e javës së kaluar më ka ndodhur rasti. Isha duke ecur atë mbrëmje në rrugën kryesore të “Ilindenit”, kishim dalë me një shoqe për kafe. Diku nga ora 21:10, pasi e kalon “Memën” te hapësira ku ka një bllok banesash, te një shitore me veshje për gra duke kaluar aty më ndodhi, ishte një si korridor që të lidhte me blloqet e banesave. Personi i panjohur ma humbi fokusin, domethënë unë portofolin e kisha në dorën e djathë ai mua fillimisht mu paraqit si hije në anën e majtë, më ka shtyrë dhe më mori portofolin”, rrëfen 27 vjeçarja e cila është e njohur për redaksinë por pasi që rasti po zbardhet nga policia, për opinionin mbetet anonime.

“Edhe shoqja ime përjetoi traumë. Shumë shpejtë ndodhi, portofoli im veçmë ndodhej në duart e dikujt tjetër, i veshur me të zeza me maskë të zezë prej këtyre të pandemisë dhe kapele, ishte edhe natë dhe ishte vështirë për ta parë se kush ishte. Filluam të vrapojmë pas tij por në atë vendbanim kishte shumë kthesa-rrugica të vogla dhe idenë nuk e kisha nga shkoi. Ishte çështje sekondash, ishte shumë i shpejtë, instinktivisht kam reaguar por pastaj u dorëzova. Ai vetëm se e dinte terrenin. Mua mu duk e paramenduar”, tregon ajo.

“Më pas e thirra policinë, e paraqita rastin se ma kanë vjedhur portofolin me të gjitha dokumentat personale brenda, letrën e njoftimit, kartelat bankare, para kesh, fotografi personale. Rastin në polici e paraqita diku katër ose pesë minuta pasi ndodhi. Kur erdhi policia më thanë na dërgo te vendi ku ka ndodhur të shohim a ka ndonjë kamerë. Edhe pse kamera kishte ata më thanë kamera këtu nuk ka, por unë e pashë se kishte kamera. Ishte një shtëpi private që kishte kamerë. Isha edhe fizikisht në polici dhashë deklaratë”, tregon ajo.

Ajo ndër të tjera sqaroi se është kontaktuar nga policia për bashkëpunim të mëtejshëm për zgjidhje të rastit dhe identifikim të autorit, që pastaj çështja të kalojë në prokurori dhe atje të vazhdojë rasti.

SPB Tetovë
SPB Tetovë

Rastin si të paraqitur e konifrmuan edhe nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, por nuk japin detaje shtesë rreth çështjes së kamerave, pasi siç thonë rasti është duke u zbardhur dhe dokumentuar.

“Më datë 03.03.2022 në ora 22.30 në SPB Tetovë N.A. (27) nga Tetova ka raportuar se rreth orës 21.20 para një dyqani në Bulevardin e ,,Ilindenit” në Tetovë është sulmuar fizikisht nga një person i cili i ka marrë portofolin me para dhe disa gjëra personale. Rasti është duke u zbardhur dhe dokumentuar plotësisht”, thanë nga SPB Tetovë.

Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë njoftojnë se gjatë muajit janar dhe shkurt të vitit 2022 është regjistruar vetëm një vepër penale vjedhje e pacipë (Tetovë), e cila është sqaruar plotësisht dhe ndaj kryerësit të veprës është parashtruar kallëzim përkatës deri në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë.

“Gjatë vitit 2021 në SPB Tetovë janë regjistruar 12 vepra të tilla penale (Tetovë 5 dhe Gostivar 7), prej të cilave 11 vjedhje të pacipë dhe një vjedhje xhepi, ku kundër 8 autorëve (Tetovë 5 dhe Gostivar 3) janë ngritur kallëzime përkatëse në Prokurorinë Publike Tetovë dhe Gostivar, ndërsa 4 vepra të këtilla penale (Gostivar) janë me autor të panjohur dhe po merren masa për zbardhjen e këtyre rasteve”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Ai sqaroi se gjatë kësaj periudhe të këtyre vjedhjeve, nuk janë regjistruar keqpërdorime të të dhënave personale.

“SPB Tetovë apelon qytetarët që të kenë kujdes, kujt ia japin të dhënat personale, të mos e mbajnë kodin-PIN të kartelave bankare të shkruar në fletë në portofol ose në çantë, si dhe informacione të tjera të rëndësishme që mund të keqpërdoren”, tha më tej Rexhepi.

Për sa i takon vjedhjeve të cilat ndodhin në vendet të cilat janë nën vëzhgim të kamerave, Rexhepi sqaroi se policia paraqet kërkesë në Prokurorinë Publike për marrjen e video-incizimeve nga vëzhgimi, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e vjedhjes.

“Nëse një personi i ndodhë një vjedhje e tillë, duhet të denoncojë menjëherë në polici në numrin e telefonit pa pagesë 192 dhe menjëherë pas raportimit njoftohen të gjithë punonjësit e policisë në terren, në bazë të të dhënave të paraqitura në raportim”, tregoi Rexhepi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button