RMV, janë ndarë 596 bursa për nxënës romë dhe janë mbështetur 47 shkolla fillore
Gjithsej 596 bursa janë ndarë për nxënësit romë të regjistruar nga klasa e parë deri në të katërt në vitin shkollor 2021/2022 në kuadër të projektit “Të rregullt në orë: Aksioni për përfshirjen e romëve në arsimin fillor”, financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti zbatohet nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, së bashku me Asociacionin Qendra për mbështetje arsimore Dendo vas dhe Fondacioni për iniciativa arsimore dhe kulturore Hap pas hapi, transmeton Portalb.mk.
“Të drejtë për bursë kanë nxënësit romë, familjet e të cilëve janë përfitues të ndihmës sociale në lidhje me të ardhurat familjare dhe që rinovojnë bursën e dhënë në vitin akademik 2020/202. Bursistët vijnë nga 73 shkolla fillore në 31 komuna, 51% janë vajza dhe 49% janë djem. Bursat ulin shpenzimet financiare të familjeve rome lidhur me shkollimin e fëmijëve të tyre”, thuhet në njoftimin e Fondacionit Shoqëria e Hapur – Maqedoni.
Bursat ndahen për një periudhë prej një viti shkollor, në vlerë prej 400 euro në vit, kurse mbajtja dhe rinovimi i tyre varet nga rregullsia e fëmijëve në orët mësimore. Bursa ka për qëllim të mbulojë shpenzimet e shkollimit të fëmijëve, ushqimin, veshjet, mjetet dhe materialet shkollore, sportive dhe pajisjeve të tjera për aktivitetet jashtëshkollore të fëmijëve.
“Gjatë gjysmës së parë të këtij viti shkollor, 47 shkolla fillore, ku mësojnë bursistët e projektit, zhvilluan aktivitete jashtëshkollore, të cilat përmes lojës dhe pjesëmarrjes së përbashkët inkurajuan ndërveprimin dhe shkëmbimin e njohurive mes nxënësve dhe integrimin e nxënësve romë”, informuan nga Fondacioni.
Përndryshe, shkollat morën mbështetje nga projekti prej 2500 euro për shkollë, që përfshin materiale didaktike, mjete shkollore, pajisje sportive, orendi shkollore, material bibliotekar, pajisje, materiale për rregullimin e oborreve shkollore, si dhe punime të vogla përshtatëse për rregullimin e këndeve kreative dhe të këndshme shkollore për mësimin dhe shoqërimin e fëmijëve, prindërve dhe mësuesve.