8 gra për 8 Mars

Edhe këtë vit, përmes kampanjës simbolike 8 gra për 8 Mars, Qendra për të drejtat e njeriut në Tetovë, organizon kampanjën simbolike për promovimin e 8 grave dhe vajzave të cilat kanë kontribuar shumë në fusha të ndryshme për mirëqenën dhe ngritjen e pozitës së gruas në shoqëri, transmeton Portalb.mk.

Gratë/ vajzat janë shtyllë kryesore e çdo shoqërie të cilat dinë që në mënyrën më elegente dhe gjithmonë me dashuri, të japin kontributin e vlefshëm për shoqërinë. 8 Marsi që rëndom perceptohet si një festë, ne fakt shënon luftën e grave për të gëzuar barazi dhe të drejta të njëjta. Kjo luftë e vazhdueshme ndër vite, ende nuk është fituar plotësisht, por një fitore e madhe është arritur. Të gjithë jemi dakord se gratë nuk kanë nevojë për një ditë të veçantë për tu ndjerë të veçanta, sepse ato janë të veçanta çdo ditë.

Gjithsesi në këtë datë historike, edhe pas 110 viteve, gratë/ vajzat duhet të vazhdojnë luftën e tyre për barazi në vende pune, në edukim, në politikbërje, kundër patriarkatit dhe të gjitha padrejtësive që ju bëhen çdo ditë… veç sepse janë gra ose vajza” thuan nga Qendra për të drejtat e njeriut.

Ato për më tepër shtojnë se vendimi për përzgjedhjen e 8 grave ka qenë i vështirë sepse në shoqërinë tonë ka shumë gra të cilat punojnë me shumë përkushtim, por për shkak të simbolikës ata kanë përzgjedhur 8 gra dhe vajza të cilat me punën dhe impenjimin e tyre kanë dhënë një kontribut të pamohueshëm. “Ne mundohemi gjithnjë të promovojmë gra dhe vajza, sepse mendojmë se ata edhe sot nuk e kanë pozitën e merituar në shoqëri edhe përkundër kontributit të madh që e japin” shtojnë nga Qendra për të drejtat e njeriut.

Profilet e 8 grave dhe vajzave janë si vijojnë:

Arta Selmani Bakiu, Profesoreshë universitare/ Prodekane

Një grua e guximshme, e pavarur e cila arrin me mjeshtëri të balancoj jetën familjare, sfidat e punës, përgjegjësitë private dhe profesionale. Docente e lëmisë civile, prodekane në Fakultetin Juridik të UEJL-së, nënë, autore dhe një nga profesoreshat më të respektuara e të dashura nga studentët.

Është profesoreshë e parë shqiptare në RMV që përmes, hulumtimeve, paraqitjeve dhe shkrimeve të saja ka thyer tabu rreth temave të reproduktimit artificial të familjes. Aktive në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve, veçanërisht të drejtave familjare dhe trashëgimore, e zëshme në evitimin e diskriminimit, të shqetësimeve gjinore dhe gjuhës së urrejtjes.

Rruga e saj drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë, por dëshira zelli dhe buzëqeshja i kanë dalë ballë suksesshëm gjitha sfidave me të cilat jeta e ka përballur.

Verica Timosieska, Avokate

Një grua e fuqishme, ajo që e karakterizon si avokate dhe e bën të fuqishme është zëri, elokuenca, arsyetimi i rrallë dhe sidomos  dëshira për të ndihmuar dhe kontribuar. Nga shumë gra, ajo njihet si “shpresa e shpëtimit” sepse përmes punës dhe përkushtimit të saj ka ndihmuar që të largohen nga rrethi vicioz i dhunës dhe abuzimit shumë viktima gra.

Me shumë modesti ajo thotë se puna më e rëndësishme e cila e ka plotësuar atë është rritja dhe kujdesi ndaj tre vajzave të saja të cilat sot janë zonja që respektojnë të tjerët dhe punojnë për promovimin e pozitës së gruas në shoqëri. Ajo ka qenë aktive edhe në shoqërinë civile përmes shumë aktiviteteve të cilës i ndihmon edhe tani vullnetarisht sipas mundësive edhe pse është në pension.

Fatmire Isaku, Zëvendësministre në Ministri të Punëve të Jashtme të RMV-së

Lirshëm dhe me dinjitet mund të thuhet se Fatmire Isaku është zëri autentik i gjeneratës së re të gruas shqiptare në politikë. Karriera e saj është e mbushur plot me arritje të mëdha dhe plot suksese. Nga mësuese në disa shkolla fillore, në profesoreshë në universitet, pozita të rëndësishme në jetën politike e deri sot kur ajo me shumë elan dhe përkushtim ka pranuar detyrën e Zëvendësministres për punë të jashtme.

Kontributin e saj në shoqëri Znj. Isaku ka vendosur ta jap përmes pjesëmarrjes në jetën politike, një vendim jo i lehtë ky duke qenë se i është dashur të qëndroj e fortë dhe të përballet në një botë të predominuar nga gjinia tjetër. Por ajo jo vetëm që ia ka dalë me sukses, por edhe ka dhënë shembull për pjesëmarrjen e gruas në poltikë. Veç tjerash ajo aktualisht është edhe në proces të përfundimit të doktoratës në Fakultetin Filologjik në Shkup.

Iva Matic, Pilote e fluturimeve komerciale

Iva mund të konsiderohet si një nga vajzat më të guximshme nga vendi ynë, kjo jo vetëm për faktin se sot ajo është pilote e fluturimeve komerciale, por edhe sepse ajo është pilotja e parë ushtarake vajzë dhe pilote e parë vajzë e helikopterit tek ne. Matiq në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2019 ka qenë pjesë e Armatës së Republikës së Maqedonisë ku ka qenë pilote e helikopterit Mi-17/8, gjatë kësaj periudhe pjesë edhe e një misioni paqeruajtës në Afganistan.

Si shumë gra të tjera në rrugën e suksesit, Iva bën shumë përpjekje dhe këmbëngulje në avancimin e saj si një grua, profesioni i së cilës thyen stereotipet sociale. Arritje dhe sukses ka dëshmuar gjithashtu edhe në studimet bachelor dhe master në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjisë së Informacionit, ku tezat e saj kanë të bëjnë me kontrollin automatik të mjeteve ajrore pa pilot.

Pas një trajnimi tre vjeçar ajo ka licencë civile edhe si pilote, duke thyer edhe një rekord tjetër në vend dhe duke marrë titullin gruaja e parë pilote në kompaninë WizzAir në vend.

Agnesa Bexheti, Volejbolliste/ studente

Agnesa përfaqëson vajzën e gjeneratës së re e cila është e përkushtuar ndaj avancimit të vajzave dhe grave në shoqëri. Përmes aktiviteteve të shumta të cilat ajo i ndërmerr, kontribuon në arritjen e qëllimit për një shoqëri më të barabartë. Aktualisht është duke ndjekur studimet për Teknologji Informatike dhe nuk lë pas as pasionin e saj për sportin përmes angazhimit si volejbolliste profesioniste për ekipin e Universitetit të Tetovës, gjithashtu skiatore e pasionuar.

Agnesa aktualisht është sekretare për Ballkanin në asociacionin Girl UP, njëherësh është edhe udhëheqëse e klubit Girl UP në Tetovë, përmes të cilit mundohet të ndalojë steriotipet dhe të nxisë pëlqimin e vajzave të reja për profesione për të cilat vajzat dhe gratë paragjykohen.

E përkushtuar, e guximshme dhe gjithmonë duke tentuar të sfidoj veten me detyra të reja, Agnesa është shpresa dhe shembulli për shumë vajza moshatare.

Sema Halili, Psikologe

Sema është një grua e cila për të arritur aty ku është sot, ka investuar shumë në arsimimin dhe avancimin e saj përmes trajnimeve të shumta. Sot ajo është psikologe e licencuar me li0cencë të posaçme për shëndetësi dhe psikoterapi, Gestalt psikoterapeute, dhe Emi Practicioner.

Kontributin e saj dhe diturinë e akumuluar ka vendosur të shpërndaj përmes sektorit civil ku është shumë aktive. Njëkohësisht ajo është Themeluese dhe Presidente e shoqatës së psikologëve, këshilluesve dhe psikoterapeutëve  “CORTEX “ Tetovë. Presidente e Shoqatës “EMI North Macedonia” Tetovë dhe Menaxhere e brend-it EMI North Macedonia.

Gjithashtu Sema punon nga afër me viktima të dhunës në familje dhe persona me sëmundje të rralla, në formë profesionale. Në këtë formë përmes profesionit të saj ajo ndihmon shumë gra dhe vajza të cilat kalojnë nëpër momente të vështira.

Dushanka Merxhanoska, Gjykatëse

Fuqia dhe zëri i një gruaje shumëfishohet kur në duart e saja është edhe fati i shumë grave dhe qytetarëve të tjerë. Dushanka Merxhanoska është një gjykatëse e cila 10 vitet e fundit të karrierës së saj në përditshmëri ka gjykuar raste të dhunës në familje dhe ka sjellë vendime të cilat kanë pasur ndikim pozitiv në jetën e shumë qytetareve – viktimë të dhunës në familje.

Edhe pse vjen me një bagazh të madh akademiko-juridik ajo gjithnjë e ka sfiduar veten me trajnime të ndryshme, ka qenë pjese e paneleve të rëndësishme dhe organizatave të mëdha për të avancuar njohuritë me qëllim që të i shërbej edhe më fuqishëm  kauzës për ndarje të drejtësisë. Tani që është para pensionimit, ajo vazhdon me përkushtim dhe shumë pasion të pranoj lëndë të reja dhe të i përkushtohet karrierës së saj.

Valbona Gjonbalaj, Doktoreshë

Valbona është nga ato personazhe të cilat profesionin e vendosin mbi gjithçka tjetër. Ajo i qëndron besnike betimit të dhënë për tu përkujdesur për gjithkënd që ka nevojë.

Përkushtimi maksimal ndaj shëndetit dhe mirëqenës së vajzave dhe grave është lajtmotiv edhe në shkrimet, publikimet dhe hulumtimet e saj, sepse gjithmonë vë theksin mbi shëndetin e grave në përgjithësi duke u kujdesur edhe për pozitën dhe respektin që i takon asaj në familje dhe shoqëri.

Gjatë një periudhe sfiduese për mantelet-e-bardhë, Valbona nuk pushoi kurrë duke kontribuar për mirëqenjen e qytetarëve dhe duke i ndihmuar më këshilla për vetëmbrojtje.

Gjatë vitit të kaluar nga kjo organizatë me rastin e 8 Marsit u promovuan, 8 profile të tjera të grave në profesione të ndryshme dhe atë: Besa Arifi, Frosina Ivanovska, Elita Ziberi, Vlora Ademi, Ana Koleva, Afërdita Haxhijahja-Imeri, Besa Alili Bajrami dhe Filis Ismaili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button