Sanksionet kundër Rusisë: kreshendo

Brenda një jave, Bashkimi Evropian, në tre raste (më 23, 25 dhe 28 shkurt 2022), vendosi sanksione të reja ose i ndryshoi sanksionet ekzistuese ndaj Rusisë. Ato ishin paralajmëruar më parë në një nivel të lartë, kështu që kishte konfuzion se cilat sanksione po negociohen dhe cilat tashmë janë në fuqi. Përveç marrëveshjeve të brendshme, BE-ja i ka harmonizuar sanksionet me partnerët e saj euro-atlantikë – më së shumti me Shtetet e Bashkuara dhe ish-anëtarin e BE-së – Mbretërinë e Bashkuar.

Malinka Ristevska Jordanova

Seria e fundit e sanksioneve të miratuara, që më 28 shkurt dhe 1 mars 2022 u publikuan në Gazetën Zyrtare të BE-së, përbëhet nga:

  • Zgjerimi i listës së personave që i nënshtrohen masave kufizuese (ngrirje pasurie, ndalim transaksionesh, ndalim udhëtimi) me 26 persona të tjerë fizikë dhe 1 person juridik;
  • Ndalimi i ngritjes, uljes ose fluturimit të avionëve rusë;
  • Ndalimi i transaksioneve me Bankën Qendrore Ruse;
  • Ndalimi i transmetimit të radiodifuzerëve rus – RT dhe Sputnik.

Lista e zgjeruar tani përmban 680 individë dhe 53 persona juridikë.

Ndalimi i fluturimeve për avionët rusë kufizon ndjeshëm komunikimet e Rusisë me Bashkimin Evropian dhe bllokun euroatlantik në përgjithësi. Në të njëjtën kohë, kostoja e fluturimeve në territore të tjera për linjat ajrore ruse po rritet. Nga ana tjetër, kundër-ndalimi i vendosur tashmë nga Rusia ndaj 36 vendeve rrit kostot e linjave të tyre ajrore.

Ndalimi i radiodifuzerëve rusë ka ndezur debate dhe mendime të ndara për lirinë e fjalës, veçanërisht në qarqet gazetareske.

Padyshim një nga sanksionet më të ashpra dhe ndoshta më efektive deri më tani është ndalimi i transaksioneve të Bankës Qendrore Ruse, me çka kufizohet ndjeshëm potenciali i rezervave të larta të Rusisë – nëse ato nuk mund të tregtohen, e humbasin vlerën. Rusia ka opsione për të tregtuar me rezerva, me vendet që nuk kanë vendosur sanksione ndaj saj, por ato janë më të kufizuara dhe kanë një çmim më të lartë.

Kjo masë, së bashku me ndalesën më parë të bankave dhe institucioneve të tjera financiare ruse në tregjet evropiane të kapitalit, çoi në një rënie të mprehtë të vlerës së monedhës kombëtare ruse. Kundërmasat ruse tani janë të përqendruara kryesisht në masat e brendshme për të mbrojtur rënien e mëtejshme të rublës, si rritja e normave të interesit, depozitimi i detyrueshëm i rublës në vend të valutës së huaj, ndalimi i depozitave në banka të huaja madje edhe mbyllje të bursës ruse.

Sipas portalit Politico.eu, në mbrëmjen e 1 marsit 2022, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së arritën një marrëveshje për përjashtimin tashmë të paralajmëruar të bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT. Përmendet se me këtë masë do të preken shtatë banka ruse, por jo edhe huadhënësi më i madh në vend Sberbank dhe Gazprombank, e cila qartë kanë lidhje me sektorin e energjisë dhe pjesërisht është në pronësi të gjigantit rus të gazit Gazprom. Kjo është padyshim linja që ende duhet të sigurojë fluksin financiar për dërgesat e gazit dhe naftës nga Rusia. Institucionet e tjera në listë janë bankat VTB, Rusia, Otkritie, Novikombank, Promsvjazbank, Sovkombank dhe WEB.RF. Kjo masë tashmë është miratuar.

Sanksionet e BE-së deri më tani janë harmonizuar me Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo që mund të ketë qenë befasia më e madhe është respektimi i masave kufizuese nga ana e Zvicrës, e cila, për shkak të statusit dhe pozicionit neutral të bankave të saj, tradicionalisht ka qenë relativisht e përmbajtur sa i përket sanksioneve. Ajo deri më tani iu ka bashkuar masave të 23 dhe 25 shkurtit, por ka paralajmëruar se do t’iu bashkëngjitet edhe më tej sanksioneve që pasojnë.

Respektimi i masave kufizuese është një nga parametrat e harmonizimit gradual me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, si pjesë e procesit të stabilizim-asociimit dhe sigurisht edhe i negociatave. Nga rajoni, Serbia e ka bërë të qartë se nuk do të mbështesë masat kufizuese kundër Rusisë, pavarësisht mbështetjes së saj për integritetin territorial të Ukrainës. Bosnja dhe Hercegovina, si zakonisht, nuk mund të harmonizohet brenda. Vende të tjera në rajon i kanë mbështetur sanksionet dhe deri më tani iu përmbahen atyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button