Nëse nuk zgjidhet problemi me deponinë e “Jugohromit”, kromi gjashtëvalent mund të jetë kërcënim edhe për burimin Rashçe

Kromi gjashtëvalent nga deponia “Jugohrom” në Jegunovc dhe shtyrja pafund e zgjidhjes së këtij problemi mund të jetë kërcënim për burimin Rashçe nga i cili me ujë të pijshëm furnizohet pothuajse i gjithë Shkupi. Përzierja e ujërave nëntokësore, të kontaminuara me mbetjet e deponisë dhe ujit në masivin e Gjedenit, me të cilin kryeqyteti furnizohet me ujë të pastër, është regjistruar dy dekada më parë në një studim të Drejtorisë Hidrometeorologjike, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Prania e kromit gjashtëvalent në ujërat që gravitojnë drejt burimit të Rashçes është konfirmuar në hulumtimin “Origjina e ujërave të burimit Rashçe dhe aspektet e mbrojtjes së tyre”, nga një grup profesorësh të Fakulteti Teknologjik Metalurgjik në Shkup, i cili nëpërmjet Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) u botua në vitin 2019.

Në punim, autorët, në bazë të testeve të realizuara të ujërave në tridhjetë lokacione në fshatrat Kopancë, Raotincë, Jegunovcë, Dvorcë, Radushë dhe Rashçe, rekomandojnë hetim dhe zgjidhje të problemit me repartet e kontaminuara me Cr 6+ dhe deponinë industriale të fabrikës “Jugohrom” dhe të zvogëlojë ndikimin e tyre në akuiferin e Gjedenit, e me këtë edhe në ujërat e burimit të Rashçes, si dhe të përkufizojë transportin e kromit që tashmë ka depërtuar nëpër masivin e Gjedenit si rrezik potencial për cilësinë e ujit të burimit Rashçe.

Qëllimi i hulumtimit është burimi i Rashçes, në veçanti mbrojtja e tij sepse ka studime të mëparshme që e kanë konfirmuar cenueshmërinë e ujit të këtij burimi të rëndësishëm të ujit të pijshëm, si dhe nevojën për kujdes të përhershëm për mbrojtjen e sipërfaqes lokale të ekzaminuar dhe ujërave nëntokësore. posaçërisht për faktin që tashmë është regjistruar depërtimi i ujërave nëntokësore të kontaminuara me jone gjashtë valente të kromit, nga lokacioni i ish-fabrikës “Jugohrom” dhe deponia e saj industriale deri në Gjeden dhe burimi Rashçe.

Ministria e Mjedisit Jetësor, e cila aktualisht është përgjegjëse për funksionimin e impiantit të trajtimit që i trajton ujërat e ndotura me krom gjashtëvalent nga deponia dhe ish-kombinatet industriale në “Jugohrom”, si dhe për zgjidhjen e problemit me mbetjet historike, bën me dije se nuk ka urdhëruar analiza të ujërave nëntokësore dhe mbitokësore për prani të kromit gjashtëvalent. Nga ministria thonë se cilësia e ujit, veçanërisht në kryeqytet, analizohet nga të dhënat e laboratorit të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” që kryen matje rregullisht.

As Instituti i Shëndetit Publik dhe as Qendrat për Shëndet Publik në Shkup dhe Tetovë nuk bëjnë analiza për praninë e kromit gjashtëvalent në ujë, si aktivitet të rregullt. Drejtoria Hidrometeorologjike, nga ana tjetër, në vitin 1999 e ka realizuar hulumtimin “Ndikimi i deponisë KEH “Jugohrom” në cilësinë e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore”, ku thuhet se deponia industriale është rrezik potencial për ndotjen e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore në rajon dhe burimin Rashçe, prandaj duhet të merren masa urgjente për rehabilitimin dhe eliminimin e këtij rreziku.

Prej atëherë, ky institucion ka punuar vetëm një herë në vitin 2009, me kërkesë të Qytetit të Shkupit, në shqyrtimin e ndikimeve në ujërat nëntokësore që e furnizojnë Rashçen, por nuk e ka ekzaminuar kromin gjashtëvalent. Edhe në kuadër të aktiviteteve të tij të rregullta, DHM merr mostra të ujit dhe e ekzaminon cilësinë e njëzet pozicioneve, përfshirë Vardarin, por kromi gjashtëvalent nuk është një nga parametrat që monitorohet.

Në këtë lloj analize punon vetëm laboratori i Ndërmarrjes Publike të Shkupit “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Ata thonë se sektori i tyre për kontroll sanitar ka plan vjetor dhe program pune në kuadër të të cilit rregullisht e monitoron dhe e kontrollon cilësinë e ujërave nëntokësore në Rashçe dhe rrethinë por ndikime të kromit gjashtëvalent afër burimit nuk ka.

Deri më tani, në pikat matëse që ndikojnë drejtpërdrejt në burimin e ujit në Rashçe, nga ku Shkupi më së shumti furnizohet me ujë, nuk është vërejtur krom gjashtëvalent. Përqendrim i ngritur i kromit gjashtëvalent është vërejtur vetëm në një pikë – piezometri në Jegunovc, i cili nuk ka ndikim në burimin Rashçe. Monitorimi i këtij piezometri është bërë për shumë vite dhe është konstatuar se nuk ka ndikim në burimin Rashçe, i cili monitorohet dhe kontrollohet dy herë në muaj”, tha Katerina Veljanovska-Mihaillov, bashkëpunëtore e lartë për bashkëpunim dhe projekte ndërkombëtare.

Ajo thekson se ndërmarrja publike monitorimin e bën nëpërmjet një rrjeti prej afër 70 piezometrash në luginën e Pollogut dhe Shkupit dhe qytetit të Shkupit, të vendosura përgjatë gjithë masivit të Gjedenit që e kontrollon zonën e dytë mbrojtëse të burimit Rashçe. Marrja e mostrave bëhet në disa cikle radhazi dhe analizat kryhen në çdo kohë të vitit, gjatë gjithë vitit, në laboratorët e “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.

“Theksojmë se kontrolli bëhet me metoda shkencore duke aplikuar teknologji moderne që garantojnë besueshmëri të të dhënave nga ekspertët. Pas Vjenës, Shkupi është kryeqyteti që pi ujin më cilësor në Evropë, kurse për të mundësuar performancë më të mirë të ujit të Shkupit, përveç dhuratës natyrore, ndikon edhe kujdesi dhe kontrollet e vazhdueshme që bëhen”, tha Veljanovska-Mihaillov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button