Nuk është e vërtetë se të pavaksinuarit do ta shpëtojnë botën
Pandemia e virusit Kovid 19 ka ndarë botën në persona që besojnë në virusin dhe atyre që nuk besojnë si dhe në persona që (nuk)besojnë në shkencë si dhe në efektivitetin e vaksinës ose dëmin eventual që mund ta shkaktojnë. Këto çarje në shoqëri dhe dyshime janë pikënisje e mirë për të manipuluar me masën e qytetarëve duke iu servuar informacione bombastike që flasin për “vdekje të sigurt” nga vaksinat apo për pasojat që lejnë ato. Në postin që e recensojmë, dëgjojmë pohime të pabaza se vaksinat do t’i mbysin njerëzit.
Një artikull i shpërndarë masivisht në disa gjuhë të botës përcjellë fjalimin e virologut francez Luc Montagnier i cili ka ndërruar jetë para dy javësh, gjatë protestave kundër “Green passs” apo pasaportave për vaksina në Itali. Në të ai flet kundër vaksinimit dhe alarmon për pasoja të atyre që tashmë janë vaksinuar, duke nxitur kështu anti vaksinimin. Virologu, në fjalimin e tij të përcjellë në mënyrë origjinale dhe të transkriptuar në disa gjuhë të cilën e kemi verifikuar në disa mënyra, thotë se të pavaksinuarit do ta shpëtojnë botën.
“Varet nga ju, mbi të gjitha nga ju të pavaksinuarit që nesër do të mund të shpëtoni njerëzimin. Vetëm të pavaksinuarit do të mund të shpëtojnë të vaksinuarit”, është deklarata që ka bërë bujë.
Madje, virologu i ka bërë thirrje masës protestuese të italianëve që të mobilizohen dhe të gjejnë të vërtetën, duke bërë kështu thirrje indirekte për mosdëgjim dhe trazira kundër vaksinave.
“Ju duhet patjetër të veproni, secili prej jush, dhe të gjeni të vërtetën e fshehur pas gënjeshtrave. Rroftë liria”- ka deklaruar Montagnier.
Por, qëndrimi i virologut nuk mban ujë.
Vaksinat janë mënyra e vetme për të parandaluar sëmundjen e rëndë dhe vdekjen nga virusi
Studimet e ndryshme të institucioneve ndërkombëtare shëndetësore dëshmojnë për efektin pozitiv të vaksinave në luftën me virusin, dhe apelojnë për vaksinim masiv pasi në këtë mënyrë do të mundej aftësia e virusit për të zhvilluar mutacione të mëtejme. Edhe Qendra Amerikane për Kontrollim dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC) e dëshmon efektivitetin e vaksinave kundër virusit Korona dhe varianteve të saj, sidomos asaj Delta që konsiderohej më e rrezikshmja. Por efekt ka edhe në variantet e tjera. Por ajo që përmend Qendra Amerikane është se mutacione ka patur dhe do të vazhdojë të ketë, natyralisht, duke kundërshtuar në total tezën e virologut se vaksinimi është duke i nxitur mutacionet duke aluduar se po të ndalej vaksinimi , virusi do të zhdukej natyrshëm.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se vaksinat kundër Kovid 19 janë zhvilluar me të njëjtat standarde sigurie dhe efektiviteti si çdo vaksinë tjetër ,dhe se për shkak të nevojës urgjente për gjetjen e vaksinës, disa nga hapat për zhvillimin e vaksinës janë bërë paralelisht që të blihet në kohë por se në asnjë moment nuk është tejkaluar asnjë fazë e nevojshme për sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës, ndërsa si element shtesë për zhvillimin e shpejtë të vaksinave ka qenë edhe investimi i pakursyer nga të gjitha palët.
Virologu me qëndrime radikale para dhe gjatë pandemisë
Në shumicën e teksteve që i kemi bërë fjalimet kanë rezultuar të shtrembëruara apo përcjella në mënyrë selektive, por në këtë rast është virologu ai që përcjellë dezinformata dhe qëndrime radikale anti vaksine për çka është i njohur madje që prej para pandemisë së Kovid 19. Për qëndrimet radikale të virologut kanë shkruar shumë media ndërkombëtare që e kanë quajtur shkencëtarin anti-vaksinim .
Por, Montagnier ka qenë emri kryesor sidomos gjatë pandemisë pasi që ka dhënë disa deklarata si ajo se virusi është krijuar në një laborator në Vuhan, se vaksinimi po i krijon mutacionet...Dhe shpesh qëndrimet e tij janë demantuar ose janë cilësuar si dezinformata, dhe qëndrimet e tij radikale vazhdimisht janë kundërshtuar madje edhe nga kolegët e tij shkencëtarë francezë.
Media që ka përcjellë këtë fjalim nuk ka bërë asnjë shtrembërim, por mediat e kanë për detyrë të kontrollojnë faktet dhe të mos shpërndajnë informata të pasakta. Sensacioni që është krijuar rreth idesë së mosvaksinimit sjell kërcënim ndaj shëndetit publik, pasi me refuzimin e vaksinimit, rrezikohet shëndeti publik ndërsa me përcjelljen e teksteve të tilla kjo ide negative nxitet më shumë. Mediat duhet të ndihmojnë për të mirën e përgjithshme dhe nëse organizatat botërore shëndetësore me dëshmi të ndryshme pozitive alarmojnë dhe bëjnë thirrje për vaksinim, atëherë mediat nuk duhet të raportojnë ndryshe nga kjo ide.
Në doracakun e Crithink për edukim mediatik mund të lexoni për teknikën e spinit që është përdorur në këtë tekst pasi që autori ka përcjellë video të vërtetë por nuk ka shkruar faktet kundërshtuese të kësaj ideje si ato që i kemi theksuar më lartë në favor të vaksinimit.