Përshpirtje për Bardhyl London

Poetin Bardhyl Londo e kam njohur para se ta takoja. Duhet të ketë qenë viti 1989, kur shtëpia botuese “Rilindja” – kjo pasuri kombëtare dhe kulturore, që sot nuk përmendet nga askush – ia botoi librin “Vetëm Itaka”. Shqipëria ende ishte vendi më i mbyllur në botë. Kufijtë e saj mund të kaloheshin pa viza dhe procedura shërbimesh sekrete vetëm nga zogjtë dhe ata që ishin të gatshëm të paguanin çdo çmim jetësor vetëm për ta parë “botën tjetër”.

Pas rënies së murit të mallkuar, jam takuar disa herë me Bardhyl London, zakonisht nëpër manifestime letrare. Nga takimet e rralla, ai më ka lënë përshtypjen e njeriut të dashur e shpirtmirë.

Në një takim Moikom Zeqo e tha me dhembje: “Ne poetët jemi të varfër”. Këtë e miratoi Bardhyl Londo. Në atë çast m’u kujtua një varg i Jevrem Brkoviqit për poetin në Ballkan: “Në Ballkan vetëm poeti i therur është poet”… 

Nuk jam prej atyre që besoj se pasuria është pengesë në krijimtari. Përkundrazi, shkrimtarit i duhet jeta komode dhe koha e ngeshme, sepse vetëm kështu nuk e çon dëm talentin e tij. Shumica e shkrimtarëve ëndërrojnë të merren vetëm me letërsi, por kjo është një utopi. (Do të bëhej hataja nëse një shkrimtar do ta merrte një honorar të majmë, por jo edhe kur një mediokër me aq para e paguan një drekë. Sepse poeti patjetër duhet të mbetet i varfër!)

Megjithatë, pasuria nuk është kusht për të qenë shkrimtar. Shumë gjeni u përballën me probleme ekzistenciale. Disa shkruanin edhe për të paguar borxhet, sikurse Balzaku apo Dostojevski. Të tjerë nuk i patën këto halle. Madje, jetuan në luks, sikurse Bajroni apo Floberi.

Nuk e di si ka qenë gjendja materiale e Bardhyl Londos, por e di se ai ka lënë pas vetes një pasuri të madhe letrare, e cila do të mbetet kur shumëçka tjetër të jetë harruar. Ai i la letërsisë shqipe shumë poezi antologjike, që lexohen e do të lexohen.

Poezia e Londos është sa “e hapur”, po aq e thellë. Si puna e ajsbergut. Është poezi e “kodit të dyfishtë”. Secili mund ta përjetojë sipas mënyrës së vet. Se poezinë e lexon kultura jonë. Disa e shohin bukurinë e dukshme. Të tjerë shohin përtej të dukshmes…

Në poezinë e Londos ka shumë trishtim, dhembje, mall, ankth, depresion, por vazhdimisht ka dashuri. Për poetin “dashuria është një monument që mbrohet nga njeriu”. Dashuria e ushqeu poezinë e Londos. Poezia e tij është himn për të gjitha format e dashurisë.

“Vetëm Itaka mbetet”, ndonëse shumë popullore, është një poezi e thellë dhe e shumëkuptimshme. Ndryshojnë njerëzit, vijnë e ikin nga kjo botë, por Itaka mbetet. E përhershme. E përjetshme. Ajo i pret dhe i përcjell Odisetë e saj. Itaka është pjesë e secilit njeri. Madje, edhe e atyre që duan të çlirohen prej barrës së saj. Itaka nuk është vetëm pjesë e gjeografisë. Ajo është gjendje shpirtërore.

“Vetëm Itaka mbetet./ Itaka te fëmija, Itaka te gjeniu / ajo, e përjetshmja, / ëndrra, / dashuria, / jeta, / vdekja: / Itaka-vetë njeriu.” 

Është popullore edhe poezia për atdheun. Për poetin, atdheu nuk është punë kalamajsh. Atdheu është dhimbje. Është përgjegjësi e përhershme. Është e rëndësishme vetëm ajo që na dhemb në shpirt. Shumëçka tjetër është kalimtare. Atdheu është i parëndësishëm për ata që e duan si sediljen komode të një makine apo zyre. Mjerisht, shumë nga ata që vendosin për fatin e atdheut mendojnë e veprojnë kështu.

Është mbresëlënëse edhe poezia “Vrasja e fytyrës”. Një poezi për shpërfytyrimin moral të njeriut, i cili fytyrën e shfrytëzon si maskë. Është kjo poezi për njeriun që qesh kur qesh shefi dhe ngryset kur shefi s’i ka punët mirë. Kështu, me kalimin e kohës, i vdes fytyra dhe i mbetet vetëm maska.

Ose poezia “Diktatorët”, që na vetëdijeson se diktatorët sundojnë aty ku pranohet nënshtrimi. Kështu, diktatorët, duke u mësuar që të gjithë t’u nënshtrohen, fillojnë ta ndjejnë veten si hyjni.

Janë mbresëlënëse edhe shumë poezi dashurie. Poezi lirike, plot imazhe…

Poezia e Londos ka një përparësi: ajo flet vetë. Kritikëve letrarë u mbetet ta vlerësojnë dhe ta afirmojnë…

Bardhyl Londo, pasi e krijoi botën e tij simbolike, e cila i nënshtrohet vetëm ligjeve të estetikës, shkoi të pushojë pak, siç thotë Marin Soresku për Shekspirin. Ai la një pasuri që do të mbetet kur të jenë harruar shumë të pasur, të cilët nuk mund ta blejnë dijen, as talentin që Zoti nuk ua jep të gjithëve. “Me të holla nuk blihet urtia” (Job 28, 15).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button