Kuvendi i miratoi ndryshimet ligjore për pagën minimale prej 18.000 denarëve

Me 90 vota “për”, asnjë të “përmbajtur” dhe asnjë “kundër”, Kuvendi sot i miratoi ndryshimet në Ligjin për Pagë Minimale, të cilat duhet të mundësojnë rritjen e saj në 18.000 denarë, njofton Portalb.mk.

Deputetët e shumicës parlamentare thonë se me këtë zgjidhje ligjore do të përmirësohet standardi jetësor i rreth 80.000 të punësuarve të cilët marrin pagë minimale, a siç vlerësuan, është mirë që është ndryshuar metodologjia për harmonizimin vjetor dhe që paga  minimale nuk mund të jetë më e ulët se 57% se paga mesatare.

Deputetët e opozitës, nga ana tjetër shprehën keqardhje që nuk janë pranuar amendamentet e tyre që në mënyrë të shkallëzuar të rriten edhe pagat tjera pasi që, siç thonë ata, inflacioni ndikon në standardin jetësor të të gjithë të punësuarve. Sipas tyre,  nëse rritet vetëm paga minimale dhe jo edhe tjerat, atëherë do të vijë deri te nivelimi.

Propozim-ndryshimet e Ligjit për pagë minimale u dorëzuan në Kuvend pasi pas negociatave disaditore të Këshillit Ekonomik-Social më 7 shkurt u arrit marrëveshje që paga minimale të rritet në 18.000 denarë me pagesën e marsit në prill. Rritja e pagës minimale do të ndihmohet edhe nga ana e shtetit i cili nga buxheti do të ndajë 16 milionë euro për të paguar dallimin në kontributet deri në fund të vitit.

Rritja e pagës minimale është kërkesë e sindikatave, sipas të cilave, bëhet fjalë për nevojë ekzistenciale të punëtorëve duke e pasur parasysh rritjen e shpenzimeve të jetesës dhe faktin që dy paga minimale janë pak për t’u mbuluar shporta sindikale minimale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button