Bekteshi: Marzhet e ngrira për tregtinë me shumicë dhe pakicë, tregtarët e ushqimeve nuk do të përfitojnë në kurriz të qytetarëve

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sot në pres-konferencë informoi se me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria në seancën e sotme solli vendim që përcakton marzhin më të lartë tregtar deri në 5% të çmimit të shitjes të llogaritur në tregtinë me shumicë, pra deri në 10% të çmimit të shitjes në tregtinë me pakicë si kusht i veçantë në tregti, transmeton Portalb.mk.

Kjo masë vlen për: bukën, sheqerin, kripën, miellin-tip 400, vajin e lulediellit të papërpunuar dhe vaj luledielli për ngrënie, qumështit të qëndrueshëm me yndyrë prej 2.8%, 3.2% dhe 3.5%, mish i freskët dhe produktet e mishit, djathë, gjizë, oriz, vezë, makarona, grurë, pemë dhe perime.

“Duke marrë parasysh informacionet dhe analizat në terren se shpenzimet e prodhuesve të produkteve themelore ushqimore janë në rritje, ky vendim ka për qëllim të kufizojë tregtarët të bëjnë fitim në kurriz të qytetarëve dhe prodhuesve. Me këtë vendim kontrollohet që rritja e çmimeve të produkteve themelore ushqimore të mos ketë ndikim të rëndësishëm në konsumin e qytetarëve, duke marrë parasysh se nga 1 marsi pushon të vlejë vendimi për çmimet më të larta (të ngrira) të produkteve themelore ushqimore”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ministri shtoi se shitësit me pakicë në masën totale të marzhit tregtar deri në 10% përfshijnë zbritjen dhe tarifat që shitësi me pakicë i ngarkon shitësit me shumicë për reklamat dhe për pozicionet parësore dhe dytësore për paraqitjen e mallit në rafte.

“Ky Vendim do të zbatohet nga 1 marsi i vitit 2022 deri më 31 maj të vitit 2022, për shkak të nevojës për të kufizuar rritjen e çmimeve në tre muajt e ardhshëm. Nëse tregtarët nuk i përmbahen këtij vendimi, vijojnë edhe gjoba” tha ministri Bekteshi dhe shtoi se për shkeljen e këtyre masave në përputhje me nenin 30 të Ligjit për tregti, janë parashikuar

“Gjobë në vlerë prej 800 deri në 1.000 euro me kundërvlerë në denarë për mikro-tregtar, gjobë në vlerë prej 1.600 deri në 2.000 euro me kundërvlerë në denarë për tregtar të vogël, gjobë prej 3.000 deri 6.000 euro me kundërvlerë në denarë për tregtar të mesëm,gjobë prej 7.000 deri në 10.000 euro me kundërvlerë në denarë për tregtar të madh”, deklaroi Bekteshi.

Ministri Bekteshi potencoi se në periudhën në vijim Inspektorati Shtetëror i Tregut do të dalë në terren me kontrolle të intensifikuara te tregtarët, dhe qytetarët që do të përcaktojnë rritje drastike të çmimeve të produkteve ushqimore bazë të raportojnë në numrin e telefonit pa pagesë në Inspektoratin Shtetërore të Tregut 191.

“Së fundi, dua të informoj se Ministria e Ekonomisë është në analizë përfundimtare të direktivës së re të BE-së 2019/633 për përgatitjen e Ligjit për praktikat e padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit me ushqime dhe deri në fund të marsit të këtij viti, Projektligji do të jetë gati”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button