Ide të vjetra, persona të huaj dhe të vdekur në konkursin për projekte kulturore në RMV

Filtrin e kanë kaluar 3.769 aplikime të vlefshme, ndërsa për përkrahje të projekteve do të ndahen mbi një miliard denarë. Përparësi ka “kultura e gjallë” vendase, raporton DW në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Me projekte të vjetra, me një autor në disa role, me aplikime nga shtetas të huaj, si dhe me nënshkrime nga persona të vdekur, këtë vit aplikues të shumtë tentuan t’i manipulojnë institucionet dhe të marrin mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës. Filtrin e kaluan 3.769 aplikime të vlefshme, ndërsa për përkrahje të projekteve do të ndahen mbi një miliard denarë.

Këtë vit për herë të parë të interesuarit në konkurs kanë aplikuar në mënyrë elektronike. Duke qenë se dy të tretat e aplikimeve kishin gabime teknike, afati i aplikimit u shty.

“Fatkeqësisht, ka aplikime që nuk e plotësojnë as titullin e konkursit, por shembujt e mirë dhe të këqij i marrim si përvojë për të përmirësuar konkurset e tjera”, tha ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska.

Përparësi ka “kultura e gjallë” vendase

“Pjesa më e madhe e mjeteve të buxhetit për programin vjetor ndahen për veprimtarinë muzikore, pastaj për botime dhe drama. Përparësi ka kultura vendase. Janë vërejtur prioritete të tjera – mbështetje për projekte rinore, projekte të destinuara për fëmijët apo personat me nevoja ndryshe”, tha ministrja Stojçevska.

Komisionet kanë pasur kujdes për të mbështetur projektet nga aplikuesit të cilët deri më tani nuk kanë shfrytëzuar mjete nga buxheti i Ministrisë së Kulturës. Gjithashtu, gjatë përzgjedhjes së projekteve, komisionet kanë pasur parasysh përfaqësimin e drejtë në bazë etnike. Janë mbështetur gjithashtu një sërë projektesh në të cilat shprehet interkulturalizmi. Është marrë parasysh edhe barazia gjinore.

Konkurs i ri – sjellje të vjetra

Megjithatë, shumë nga aplikuesit nuk i kanë respektuar kushtet, prandaj janë përpjekur të kalojnë me projekte të vjetra, të cilat paraprakisht janë realizuar apo mbështetur nga Ministria e Kulturës. Disa kanë kërkuar shumë para dhe ka pasur projekte që kanë pasur nënshkrime të shtetasve të huaj dhe të vdekurve.

“Komisionet, në raportet e tyre, vënë në dukje përsëritjen e sjelljeve të vjetra të disa prej aplikuesve – nga kërkesa për shuma të larta deri te konkurrimi me projekte të vjetra, të realizuara apo të mbështetura nga Ministria e Kulturës, i njëjti autor aplikoi në disa role, në disa projekte edhe përkundër deklaratës së nënshkruar se është duke aplikuar me një projekt, aplikime nga persona që nuk janë qytetarë tanë, nënshkrime të personave të vdekur apo personave që nuk e dinin fare se ishin propozuar në një projekt”, tha ministrja e Kulturës.

Për shqyrtimin e aplikimeve të pranuara për konkursin vjetor, janë formuar disa komisione për të kontrolluar gjitha aktivitetet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button