Suedia rekomandoi dozën e katërt të vaksinës për të moshuarit

Agjencia Shëndetësore e Suedisë ka rekomanduar që qytetarët 80 vjeç e më të vjetër të marrin dozën e katërt të vaksinës kundër koronavirusit, me qëllim që të mos bie efektiviteti i vaksinave.

Në rekomandimin e bërë të hënën nga kjo agjenci thuhet po ashtu se doza e katërt rekomandohet për të gjithë personat që jetojnë në shtëpi të kujdesit apo ata që marrin shërbime asistence në shtëpi, transmeton REL.

Doza e katërt, sipas rekomandimit, duhet të administrohet të paktën katër muaj pas dozës përforcuese, tha Agjencia Shëndetësore.

Suedia më herët gjatë këtij viti shënoi shifra rekorde të infektimeve, teksa varianti Omicron i koronavirusit është përhapur me shpejtësi në mbarë shtetin.

Por, autoritetet suedeze kanë hequr kufizimet, duke argumentuar se simptomat më të buta nga varianti Omicron dhe fushata e imunizimit me doza përforcuese, kanë ulur presionin ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor.

“Doza përforcuese rrit mbrojtjen. Prandaj, ne besojmë se personat 80 vjeç e më të vjetër do të përfitojnë nga një dozë e dytë përforcuese”, tha epidemiologu Anders Tegnell.

Agjencia Shëndetësore suedeze tha se dozat përforcuese duhet të jenë të kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button