Ngrohja globale e pranishme në RMV, temperaturat e vitit të kaluar ishin mbi mesataren (Infografik)

Në vitin 2021, në Maqedoninë e Veriut temperaturat e ajrit vazhduan të pasqyrojnë tendencat e ngrohjes globale, me devijime pozitive të temperaturave nga normalja, pothuajse për gjithë vendin. Ky është konstatimi i Raportit Vjetor të Drejtorisë Hidrometeorologjike(DHM) për vitin 2021, i përgatitur nga autorja m-r Aleksandra Stevkov, nga sektori për meteorologji pranë DHM, të cilin Meta.mk e kërkoi dhe e pranoi nga kjo drejtori, transmeton Portalb.mk.

Devijimet nga temperatura mesatare e ajrit në vitin 2021 shkojnë nga -0,3 deri në 1,1 gradë Celsius mbi periudhën e referencës të viteve 1981-2010. Gjatë kësaj, devijime më të mëdha janë regjistruar në temperaturat maksimale, të cilat shkojnë nga 0 deri në 1,6 gradë mbi mesataren për periudhën e viteve 1981-2010, ndërsa te temperaturat minimale të ajrit, devijimet nga mesatarja kanë qenë nga -0,7 deri në 0,8 gradë.

TEMPERATURA MESATARE VJETORE E AJRIT NË GJEVGJELI PËR PERIUDHËN 1961-1990
TEMPERATURA MESATARE VJETORE E AJRIT NË GJEVGJELI PËR PERIUDHËN 1961-1990

Temperatura mesatare më e ulët e ajrit vitin e kaluar është matur në Lazaropole prej 7 gradë Celsius, ndërsa Gjevgjelia është tradicionalisht vendbanimi më i ngrohtë në vend me temperaturë mesatare të ajrit në vitin 2021 prej 15,8 gradë.

TEMPERATURA MESATARE VJETORE E AJRIT NË LLAZAROPOLE PËR PERIUDHËN 1961-1990
TEMPERATURA MESATARE VJETORE E AJRIT NË LLAZAROPOLE PËR PERIUDHËN 1961-1990

Sipas temperaturave të matura të ajrit dhe krahasimit me temperaturat mesatare vjetore të ajrit për periudhën 1981-2010, vitin e kaluar Gjevgjelia, Shkupi dhe Ohri kanë pas një “vit shumë të nxehtë”, ndërsa në kategorinë “vit i nxehtë” janë përfshirë Shtipi. Strumica, Demir Kapia, Prilepi dhe Manastiri. Matjet e temperaturës kanë treguar se vitin e kaluar “vit normal” ka pas në Berovë, Kriva Pallankë, Lazaropolë dhe Mavrovë.

Njëkohësisht, në Raportin Vjetor të DHM-së, vera e kaluar u klasifikua si e nxehtë deri në jashtëzakonisht e nxehtë. Të përkujtojmë, Maqedonia e Veriut gjatë verës së vitit 2021 u përball me zjarret më të mëdha pyjore në dekadën e fundit. Brenda vetëm katër muajsh, nga qershori deri në shtator 2021, ndodhën 142 zjarre pyjore në të cilat u dogjën 11.420 hektarë sipërfaqe pyjore dhe u shkaktuan dëme materiale prej mbi 37,6 milionë euro. Këto të dhëna i ka publikuar Enti Shtetëror i Statistikave në fund të vitit të kaluar në hulumtimin statistikor që u realizua në bashkëpunim me NP Pyjet Kombëtare.

Gjatë kësaj periudhë verore u regjistruan valë të nxehta të gjata, me temperatura të larta të ajrit, të shoqëruara me erë, ndërsa situata më e vështirë ishte në rajonin e Maleshevës, ku për shuarjen e zjarreve u desh të përfshihen edhe zjarrfikës nga disa vende evropiane.

Ndryshe, sa i përket reshjeve, Raporti Vjetor i DHM për vitin 2021 tregon se pikërisht në Berovë, sikurse në Manastir, vitin e kaluar ka pasur një vit jashtëzakonisht të lagësht. Viti 2021 ishte vit me lagështi në Shtip dhe Mavrovë, ndërsa në kategorinë “vit normal” përfshihen Kriva Pallanka, Demir Kapia, Prilepi, Ohri dhe Lazaropole. Viti i kaluar ishte vit i thatë në Strumicë, Gjevgjeli dhe Shkup.

Ndonëse ndryshimi i klimës i shprehur përmes rritjes së temperaturave mesatare të ajrit konfirmohet në dokumentin DHM, ngrohja globale u konfirmua edhe nga Agjencia Evropiane e Klimës “Kopernik”. Ata kanë konkluduar se temperatura globale në vitin 2021 ishte 1,2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Kjo do të thotë se ndryshimet klimatike vazhdojnë me ritëm të pandërprerë të krijojnë kushte ekstreme të motit në Tokë, e këto ndryshime shkaktohen nga emetimet e gazrave serrë.

Revista britanike “Guardian” i raportoi të dhënat shkencore të fituara nga “Kopernik” për matjet e shtatë viteve të fundit në botë, të cilat tregojnë se pikërisht këto janë vitet më të ngrohta në historinë e njerëzimit.

Duhet theksuar se në dokumentin e ekspertëve i përgatitur nga DHM, për vitin 2021, temperaturat e matura vitin e kaluar krahasohen me temperaturën mesatare vjetore të ajrit për periudhën 1981-2010, ndërsa krahasimet që janë në dispozicion në ueb-faqen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për vitin 2020 dhe vitet para tij janë bërë me temperaturë mesatare vjetore të ajrit për periudhën 1961-1990 në vendbanimet anembanë vendit, me përjashtim të Shkupit ku janë bërë krahasime për periudhën 1981-1990.

Për të parandaluar efektet e ngrohjes globale, në nëntor të vitit kaluar në Glasgou u mbajt Konferenca mbi Ndryshimet Klimatike (COP 26). Gati 200 vende, në Paktin Klimatik në Glasgou, ranë dakord të mbajnë kufizim të rritjes globale të temperaturave të ajrit në 1,5 gradë Celsius dhe të përfundojnë elementet e pazgjidhura të Marrëveshjes së Parisit. Megjithatë, vendet vetëm sa duhet të fillojnë t’i zbatojnë masat në nivel kombëtar për të reduktuar emetimet e gazrave serrë.

Në Konferencën në Glasgou, 130 vende në mbarë botën u zotuan t’i japin fund shpyllëzimit më së voni deri në vitin 2030. Përkatësisht, janë pikërisht pemët ato që i thithin gazrat e dëmshme serrë që lëshohen në ajër. Në të njëjtën kohë, dhjetëra vende të KOP 26 janë zotuar të ndërpresin prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri, i cili është një nga shkaktarët kryesorë të gazrave serrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button