Çështja me Bullgarinë, Osmani: Duhet lënë anash emocionet, veprojmë me mençuri

Të enjten me 17 shkurt do të takohet grupi i punës i formuar për Arsim dhe Kulturë si dhe grupi punues për eurointegrime, agjendë të gjelbër dhe dixhitalizim mes RMV-së dhe Bullgarisë. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është ndër çështjet  më të diskutuara këto ditë në dë dyja vendet. Për këto, ministri i Jashtëm Bujar Osmani u shpreh se qëndrimet e RMV-së mbetet të pandryshuara sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin, shkruan Portalb.mk.

Ministri Osmani u shpreh se Shkupi nuk ka të drejtë që të kërkojë nga Bullgaria përfshirjen e pakicës maqeone të cilët janë shtetas të Bullgarisë.

“Ne nuk kemi të drejtë t’u themi bullgarëve se si e kanë rendin kushtetues sepse këtë detyrim e kemi marrë me ndryshimet në 1999, me ndryshimet kushtetuese më 2019-ën dhe me marrëveshjen e vitit 2017. Ata janë shtetas bullgarë dhe shteti bullgar duhet të qëndrojë pas tyre ashtu siç vetëm ky shtet mund të qëndrojë pas meje. Ne nuk kemi të drejtë të qëndrojmë pas qytetarëve që nuk janë shtetasit tanë”, tha Osmani.

Ndër të tjera ai theksoi se hapja e Kushtetutës dhe njohja e bullgarëve si minoritet në RMV është pjesë e politikës shtetërore ndaj komuniteteve etnike, kurse theksoi se në raport me Bullgarinë duhet të veprohet jo me emocione por me mençuri.

“Ju mendoni se mua si politikan nuk më përshtatet të reagoj. Unë mundem të reagoj çdo ditë dhe të tregohem para popullit se sa jam efektiv në ato reagime. Qëllimi im përfundimtar është që Maqedonia e Veriut të bëhet një vend evropian, të normalizojë marrëdhëniet me fqinjët, duke ruajtur atë që është më e rëndësishme për qytetarët. Andaj na duhet më shumë mençuri në veprime se  emocione. Qytetarët mund të jenë të qetë se nuk do të lejojmë që të cenohet asgjë që është thelbësore për identitetin e tyre”, tha Osmani.

Qeveritë e reja të RMV-së dhe Bullgarisë kanë ngritur katër grupe ku është planifikuar që çdo të diel të mbajë mbledhje njëri prej këtyre grupeve, të cilat secili në sferën e tij do të duhet të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, për të ndihmuar procesin eurointegrues të RMV-së.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button